Partizani-Flamurtari në Elbasan, por ka edhe 4 përplasje me Tiranën

495
Java e 25-të e Superiores sjell përplasjen e parë mes dy klubeve të kryeqytetit për çështjen e stadiumit, pasi “Selman Stërmasi” përdoret si pritës për të dy klubet. Federata ka publikuar kalendarin e ndeshjeve për këtë javë dhe të premten Tirana pret Skënderbeun në këtë impiant, ndërsa Partizani-Flamurtari do të luhet të shtunën. Por duke ditur se Partizani e organizon këtë ndeshje pa praninë e tifozëve, përballja me vlonjatët do të spostohet në “Elbasan Arena”. Për të mos rënduar fushën e stadiumit “Selman Stërmasi”, por edhe për të pasur një terren më perfekt për Flamurtarin, pas publikimit të kalendarit, të kuqtë kanë bërë kërkesë në federatë që takimi të luhet në Elbasan kësaj radhe.

Por rikthimi i Partizanit në kryeqytet sjell shumë pështjellime për kalendarin në vijim. Përveç kësaj jave, janë edhe 4 raste të tjera që Partizani dhe Tirana luajnë njëkohësisht në kryeqytet. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së dy klubeve, që lejonte Partizanin të luante në “Selman Stërmasi”, të kuqtë, përveç marrëveshjes mes palëve, në FSHF kanë depozituar edhe një kërkesë që federata të shikojë mundësitë për ndryshimin e kalendarit.
Përplasjet në këto katër javë mund të sjellin dëmtimin e impiantit, nëse federata nuk gjen zgjidhjen e duhur, jo të veprojë si këtë javë që ndeshjet u lanë me diferencë kohore, më pak se 24 orë. Gjithashtu, ndryshimet në kalendar do të shikohen si tendencioze edhe nga tifozëritë, sa u përket orareve dhe ditëve. Një tjetër betejë duket në horizont mes të kuqve dhe FSHF-së.
Sigal