Partizani e Flamurtari, “Big-ët” e merkatos

515
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Dritëhijet e lëvizjeve të verës në skuadrat e Kategorisë Superiore, ja dy skuadrat më aktive 
Duke iu referuar tregut mediatik të merkatos në Kategorinë Superiore shqiptare, nuk është e vështirë të dallohen skuadrat, të cilat janë më aktive, kryesisht në afrime. Nëse i referohemi vetëm ambientit mediatik në Shqipëri, i cili periodikisht ka përcjellë ritmikën e hyrje-daljeve në skuadrat e kësaj kategorie, qartazi sytë ndalen tek Partizani e Flamurtari, skuadra të cilat jo vetëm se kanë afruar më shumë futbollistë, por emrat e tyre duken se janë përzgjedhur me më shumë kujdes nga stafet që punojnë me merkaton. Kështu, te Partizani janë afruar G. Progni, B. Kotobelli, M. Xhixhua, M. Basrak, K. Adorjan, dhe trajneri Mark Iuliano, një grup i cili është sa i njohur për Superioren, aq edhe i panjohur për të huajt e rinj. CV-të e tyre flasin për nivel e cilësi të lartë, ndaj edhe veccohen në këtë përzgjedhje që kanë bërë, duke ju paraprirë edhe largimeve, të cilat kanë qenë edhe ato të rëndësishme. Kur kujtojmë sulmuesin Ekuban që shënoi 17 gola në sezonin e kaluar, por edhe futbollistët e tjerë të formacionit titullar, si Ramadani, Bonifejs, Torrasa e Mazrekaj, lëvizjet e reja kanë qenë të detyrueshme. Por, te Partizani ka ndryshuar edhe trajneri, ku pas largimit të Starovës, drejtori i klubit Luçiano Moxhi ka sjellë një patriotin e tij, ish-futbollistin e Juventusit, Mark Iuliano. Po kështu edhe Flamurtari, i cili nën drejtimin e Shpëtim Duros, po orientohet te një skuadër më të konsoliduar, për të eliminuar ato ecejaket që në sezonet e kaluara kanë bërë që skuadra të vuante, deri në mbijetesë. Dhe, duke ju referuar emrave, duket se edhe vlonjatët në këtë sezon të ri e kanë ndryshuar kursin e synimeve, nga mbijetesa në vendet e kreut të renditjes. Kështu, D. Bicaj, A. Hoxhaj, A. Nurkoviç, E. Musta, G. Siljanovski, M. Huseini, N. Jufo, D. Sidibe, A. Pollozhani, S. Kamara, L. Liçaj dhe I. Toungara, do të jenë emrat që do të “firmosin” në librin e objektivave të Flamurtarit për sezonin e ri 2017-2018. Edhe Kukësi ka lëvizje, edhe pse më të pakta në numër nga dy të parat, që gjithsesi duket se flasin për më shumë cilësi. Bashkuar këtu edhe trajnerin serb Mlladen Milinkoviç, kampionët e Superiores duken si të matur në numra dhe emra, por edhe me probleme për futbollistët e trajnerin e larguar. Lëvizje kanë edhe skuadrat e tjera, por jo sikundër tre të parat, ndërkohë që nga dy debutueset, Kamza duket më aktive nga Lushnja. Gjithsesi, kjo është vetëm pjesa mediatike e merkatos, sepse ritmika e saj zhvillohet edhe me parashikime apo premtime me kushte.
2 trajnerë
Në merkaton e kësaj vere, vetëm 2 skuadra kanë deklaruar zyrtarisht trajnerët e rinj, serbi Milinkoviç te Kukësi, dhe italiani Iuliano te Partizani
13 lojtarë
Deri më 31 korrik 2017, në merkaton e Kategorinë Superiore, qarkullojnë 13 emra futbollistësh të huaj që do të jenë në sezonin e ri
Pritja e gjatë e Partizanit, mund të prishet para përfundimit të sezonit të ri, pasi flitet se titullin kampion për edicionin 2015-2016, që Komisioni i Etikës ia hoqi Skënderbeut, mund t’ia kalojë Partizanit
Sigal