Partizani dhe Tirana “mbysin” kundërshtarët, fitojnë edhe në javën e 10-ë

487
Sigal

Flamurtari harron shijen e fitores po ashtu edhe Vllaznia që “koleksionon” humbjen e katër radhazi

Faza e dytë e kampionatit filloi pa surpriza të mëdha, me pretendentet që vazhduan të jenë të tillë dhe me të njëjtat skuadra që rrezikojnë të bien nga kategoria. Në fakt skuadrat e Superiores nuk patën kohë që të pushonin pas ndeshjeve të javës së 9-të për t’u rikthyer edhe dje me të gjitha takimet të luajtura në një ditë. Kukësi Vllaznia ishte ndeshja që të gjithë prisnin, dhe në fund u vendos me një ngjitje tjetër të kuksianëve në tabelë, duke numëruar edhe dy fitore radhazi, bashkë me atë ndaj Flamurtarit. Fitorja 2-1 ishte më se e merituar për kuksianët që fituan me po të njëjtin rezultat si në ndeshjen e parë në fazën e parë ndaj Vllaznisë. Ndërkohë që shkodranët nuk gjejnë aspak ngushëllim në rezultate, pasi me humbjen e djeshme numërojnë plot 4 të tilla rresht në kampionat. Situata tek Vllaznia duket shumë e rëndë për sa i përket rezultateve dhe ndoshta shpresë dhe kthesë njëkohësisht mund të jetë ndeshja e radhës që do të kenë ndaj Teutës, një kundërshtare që mund edhe ti marrin pikë, ashtu si në ndeshjen e parë që fituan 1-0 por duke parë ndeshjen që këta të fundit zhvilluan ndaj Flamurtarit mund të jenë një pengesë përsëri për fitoren e shkodranëve. Kriza që ka përfshirë Vllazninë, e bën këtë të fundit të mendojë vetëm për mbijetesë, pasi kreu i renditjes tanimë është shumë më larg se ç’dukej në fillim të kampionatit. Skënderbeu, nga ana tjetër, arriti të merrte një fitore të vyer ndaj Elbasanit, në një takim që pavarësisht rezultatit të ngushtë (1-0), arriti ta dominonte ndeshjen dhe të mos i jepte asnjë shans real Elbasanit, që vazhdon akoma të koleksionojë humbje pas humbjesh në një kampionat që deri më tani është më shumë se i humbur për ta. Ky rezultat e fundos Elbasanin në kategorinë e “pretendenteve” për të lënë Superioren sezonin e ardhshëm. Fitorja e Skënderbeut, pavarësisht lojës jo shumë të qartë që shfaqi, e rivendosin edhe një herë bindshëm në luftën për titullin, i mbetet vetëm të fitojë ndeshjet direkt me kryesueset. Ndërkohë që Partizani shkëlqen sërish në ndeshjen që u quajt edhe supersfida e javës ndaj Laçit. Një fitore më se e merituar ndaj laçianëve që e panë tu rrëshqiste nga dora dëshira që kishin për të luftuar këmbë për këmbë për kreun e kampionatit. Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje u mbyll 0-0 , në një lojë shumë të mirë në mbrojtje të të dyja palëve por me Partizanin në pjesën e dytë që u mobilizuan më mirë dhe shfrytëzuan ato raste që patën duke i lënë në shtëpi tre pikët që synonin të merrnin. Kjo ndeshje tregoi edhe një herë në fakt vlerat e vërteta të “demave” që përveç se me pikë ata po kryesojnë kampionatin edhe me lojë dhe vijueshmëri rezultatesh. Nuk ngelet pas as Tirana që mori një fitore të merituar, në një ndeshje që mund të quhet relativisht e qetë,ndaj Apolonisë vendase. Ky rezultat i bardhebluve u arrit në një ndeshje të qetë dhe shumë të kontrolluar duke mos i lënë asnjë hapësirë fierakëve, pavarësisht dëshirës që kishin për të korrur një rezultat pozitiv në shtëpi. Fitorja e skuadrave kryeqytetase i lejon përsëri këto të dyja të “sundojnë” bashkërisht kampionatin, të paktën deri në fundjavë që do të luhen ndeshjet e javë së 11-të.

Ndeshja e fundit për ditën e djeshme ishte ajo mes Teutës dhe Flamurtarit, në një takim që risolli edhe një herë lojën e bukur që mund të prodhojnë durrsakët, dhe që mund të mundin çdo kundërshtar të kampionatit. Nga ana tjetër Flamurtari dështon sërish të fitojë, duke treguar se pavarësisht grupit shumë të mirë të futbollistëve, rezultatet pozitive nuk janë pjesë e tyre.

Kukësi 2-1 Vllaznia

Skënderbeu 1-0 Elbasani

Apolonia 0-3 Tirana

Partizani 2-0 Laçi

Teuta 1-0 Flamurtari

  Skuadra Nd F B H GSH GP P
1 Tirana 10 6 3 1 14 5 21
2 Partizani 10 6 3 1 9 2 21
3 Kukësi 10 6 1 3 12 8 19
4 Skënderbeu 10 5 3 2 10 4 18
5 Laçi 10 4 4 2 12 7 16
6 Flamurtari 10 3 4 3 9 7 13
7 Teuta 10 3 1 6 9 9 10
8 Vllaznia 10 3 2 5 7 12 8
9 Apolonia 10 2 1 7 3 17 7
10 Elbasani 10 1 0 9 4 18       3

 

Nënkryetari i Federatës Serbe: Faji i tifozëve, UEFA na toleroi

Duket se dalëngadalë edhe opinioni serb, të paktën i atyre që mund të mendojnë qartësisht, po ndryshojnë mendim në lidhje me dhunën që u shfaq në stadiumin e Beogradit. Pas shumë deklaratash të tjera, është radha e nënkryetarit të FSF, Ivan Çurkoviç, të tregohet tërësisht i sinqertë me veprimet dhe pasojat që erdhën nga dhuna. Ai në këtë pikë fajësoi tërësisht tifozët serbë, që sipas tij, ishin shkaktarët kryesorë të të gjitha ngjarjeve. Çurkoviç tha se, pavarësisht se Serbisë ju dha fitorja në tavolinë, një gjë të tillë nuk e meritonin, duke thënë madje se, duhej të ishin dënuar edhe më shumë, pasi UEFA ishte treguar shumë tolerante me palën serbe.

Avdijaj, përfshihet në aksident me makinë

Lojtari më i ri i afruar tek Kombëtarja jonë  dhe njëkohësisht një nga talentet më të mira të skuadrës së Schalke 04 në Gjermani, është përfshirë në një aksident me makinë, episod shumë i pakëndshëm ky, në të cilin është përfshirë djaloshi 19- vjeçar. Sipas gazetës gjermane “Bild”, Avdijaj dyshohet të jetë përfshirë në garat e jashtëligjshme me makinë, nga ku ka përplasur makinën e tij tip “Mercedes” me një makinë “Lamborghini”. Dëshmitarët e pranishëm kanë rrëfyer se ai po ecte me një shpejtësi 160 km/h dhe se shoqërues flitet të ketë pasur babain e tij. Ky veprim në fakt mund ta fusë në telashe talentin shqiptar, që duket se, “talenti” jashtë fushe i mungon po aq sa edhe disiplina. Një deklaratë të tillë e ka bërë edhe drejtori i Schalke Horst Held që duke folur për Avdijaj i bëri të gjitha lëvdatat si futbollistit, por që duhet të ndryshojë sjellje nëse do të fitojë zemrat e tifozëve dhe besimin e trajnerit.

  Kupa e Botës 2018, prezantohet logoja

FIFA pak nga pak po fillon të hedhë hapat e para të Kupës së Botës për vitin 2018 që do të zhvillohet në Rusi, duke bërë publike për syrin e gjerë logon zyrtare që do ta shoqërojë këtë turne deri në përfundim. Dje në darkë u prezantua për të gjithë “simboli” i Kupës së Botës për 2018 që në fakt është edhe një simbol i traditës dhe kulturës ruse.

  Basketboll/Nuk funksionoi tabela, Vllaznia humb ndeshjen në tavolinë

 Një tjetër shenjë e keqe prek sportin tonë  dhe këtë herë bëhet fjalë për sportin e basketbollit, ku një tabelë elektronike dhe mungesa e organizimit çon dëm mundin e  skuadrës së Vllaznisë në ndeshjen ndaj Mornarit të Tivarit për Ligën Ballkanike. Problemet me tabelën elektronike kanë bërë që fitorja t’i jepej në tavolinë 20-0 skuadrës mike. Ndeshja zhvillohej në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, që ishte i mbushur plot nga tifozët që ishin përgatitur shumë për këtë ndeshje. Pritet që Liga Ballkanike të marrë edhe një tjetër vendim ndëshkues ndaj Vllaznisë, për shkak të mungesës së organizimit, pasi një ndeshje pa tabelë elektronike nuk mund të zhvillohet. Tabela në fakt ishte e re, pasi sapo ishte bërë një investim nga Bashkia, por që sollën vetëm humbjen në tavolinë të ndeshjes.