Partizani dhe Laçi, dy ekstremet e dritëhijeve në startin e ri

697
KATEGORIA SUPERIORE/ Ja si e vlerësojnë javën e parë dy ish-futbollistë të Partizani dhe Kombëtares
5 pyetjet e fokusit të javës së parë
1. Si i përshkruani pesë ndeshjet e javës së parë të Kategorisë Superiore 2017-2018?
2. Teknikisht, cilën ndeshje veçoni si më të mirën, dhe cilën më të dobët?
3. Çfarë tregoi Partizani në këtë ndeshje të parë, ku pësoi humbje me Laçin?
4. U shënuan 10 gola, 3 me penallti dhe 1 autogol, u dhanë 21 kv e 1 kk, çfarë treguesish janë këto për një start Superioreje?
5. Cili është vlerësimi juaj për të pesta ndeshjet e kësaj jave të parë?
Perlat Musta: Është fillimi, skuadrat nuk shprehen plotësisht
1. Ky është një fillim, i cili asnjëherë nuk duhet marrë për bazë, gjithmonë në përshkrimin e një skuadre për ndeshjet respektive. Kishte ndeshje të mira dhe me nivel mbi mesataren, kishte edhe të dobëta. Duke qenë start, vlerat e skuadrave nuk janë të qarta. Skënderbeu e Flamurtari ndeshje me dy fytyra, Kukësi-Kamza, të barabartë.
2. Të flasësh që në ndeshjen e parë me terma teknikë, është pak e vështirë, sepse nuk ka shumë hapësirë për këtë gjykim. Por, si ndeshje më autoritare ishte ajo e Korçës, ku edhe Flamurtari bëri një lojë të mirë, duke e mbajtur larg sulmin korçar. Nuk e gjykoj këtë ndeshje nga rezultati, sepse golat ishin të kalueshëm.
3. Duke qenë se jemi në start, të tilla rezultate janë normale, dhe unë mendoj se nuk ishte një ndeshje e mirë për Partizanin. Nuk mund të justifikohet kjo humbje, pa mohuar edhe vlerat e fitores të Laçit, ku do të veçoja interpretimin taktik që i bëri skuadrës trajneri Nica.
4. Si fillimi, unë nuk mendoj se këta tregues: golat, penalltitë apo kartonët, ishin jashtë normales. Përkundrazi, ato janë pjesë e lojës, dhe do të na shoqërojnë gjatë gjithë kampionatit. Rëndësi ka që mes këtyre treguesve, të kemi lojë me nivel në rritje.
5. Të gjithë ekipet u treguan të etura për të marrë pikët, por këtu e përjashtoj Partizanin, i cili me lojën që bëri, tregoi se ende nuk e ka bërë përshtatjen në grup. Duke i vlerësuar të pesta ndeshjet, për mua një mesatare 7.5 për javën e parë, do të ishte normale.
10 gola
Ky ishte numri i golave që u shënuan në pesë ndeshjet e javës së parë të Kategorisë Superiore, me mesataren 2 gola për ndeshje
1 autogol
Në ndeshjen Lushnja-Vllaznia, mbrojtësi Gava shënoi autogolin e parë të këtij Kampionati, si dhe golin e parë të tij me Lushnjen
Hasan Lika: Në tërësi, ndeshjet nuk treguan vlerat e …………
1. Mendoj se ka qenë një javë e parë që filloi me ndeshje të bukura, por edhe me rezultate të papritura. Disa nga skuadrat treguan fizionomi në lojë, ndërkohë që të tjerat treguan se duan kohë që të përshtaten me ndryshimet që kanë bërë në përbërjet e tyre. Në tërësi, ishin ndeshje që nuk treguan tërësisht vlerat e skuadrave.
2. Në fakt, nuk mund të shkëputësh një ndeshje teknikisht të mirë, por më e mira mund të thuhet Skënderbeu-Flamurtari. Vetëm këtu u bë një lojë e fortë dhe pjesërisht e bukur, më pas, edhe sfida Partizani-Laçi, e cila pati fragmente të mira në lojë. Ndeshjet e tjera ishin në normalen e tyre, nuk pamë gjëra të mëdha prej tyre.
3. Humbjen e Partizanit e quaj normale, si çdo humbje që pëson një skuadër e mirë, përballë një kundërshtari që i ka hapur probleme të sezonet e fundit. Pritej më shumë nga Partizani, por Laçi mendoj se u mirëorganizua dhe e meritoi fitoren, nuk e vodhi. 
4. Çdo javë do të ketë tregues të tillë, sepse loja në vetvete i prodhon të gjitha: gola, autogola, kartonë, penallti e të tjerë. Kjo histori do të jetë në 36 javët, diku më lart e diku më poshtë, por në logjikën e një kampionati futbolli, këta janë tregues të pranueshëm.
5. Nëse do t’i vlerësoja në tërësi, une mendoj se kishte ndeshje që vlerësohej me notën 8, dhe kishte ndeshje që nuk mund të marrë një vlerësim më shumë se nota 5. Duke marrë një mesatare, mendoj se kjo javë e parë e meriton plotësisht vlerësimin me notën 7.
3 penallti
Kaq penallti i dhanë në ndeshjet e javës së parë të Kategorisë Superiore, vetëm Kukësi morri tri pikët nga gjuajtja e 11 metërshit

22 kartonë
Java e parë e Kategorisë Superiore, prodhoi edhe 21 kartonë të verdhë dhe 1 karton të kuq, shifër e lartë për një start elite
Ndeshjet-Java e parë
Të shtunën, 9 shtator 2017 
Kukësi-Kamza 1-0
Skënderbe-Flamurtar 2-0
Teuta-Luftëtari 2-1
Të dielën, 10 shtator 2017 
Lushnja-Vllaznia 0-2
Partizani-Laçi 0-2 
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Laçi 1 3
2. Skënderbeu 1 3
3.Vllaznia 1 3
4.Teuta 1 3
5.Kukësi 1 3 
6. Luftëtari 1 0
7.Kamza 1 0
8.Flamurtari 1 0
9.Lushnja 1 0
10.Partizani 1 0
Ndeshjet-Java e dytë
Datë 16 shtator 2017 
Flamurtari-Lushnja 19:00
Datë 17 shtator 2017 
Laçi-Luftëtari 16:00
Vllaznia-Teuta 19:00
Datë 18 shtator 2017 
Kamza-Skënderbeu 16:00
Partizani-Kukësi 19:00
KOMBËTARJA E KOSOVËS
Thashethemet mediatike, Gjoka në stolin e përfaqësueses
Pas dorëheqjes së Albert Bunjakit nga stoli i Kombëtares së Kosovës, duket se FFK-ja i ka hedhur sytë në tregun e trajningut të Shqipërisë, edhe pse momentalisht nuk e ka vendosur se kujt do t’ia besojë postin e trajnerit të Përfaqësueses. Burime brenda Federatës së Futbollit në Kosovë, dje kanë konfirmojnë se, në listë është edhe emri i trajnerit shqiptar, Ernest Gjoka, i cili në sezonin e kaluar drejtoi Kukësin Kampion. Gjoka shihet si ndër trajnerët më të mirë që ka Shqipëria, ndërsa aktualisht është i lirë, pasi u largua nga Kukësi, sepse nuk vazhdoi kontratën me klubin verilindor, pasi i shpalli ata kampion të Shqipërisë për herë të parë në histori.
DEKLARATA E DREJTORIT
Tomori e quan aksident humbjen me Laçin, mban objektivat!
Drejtori i FK “Partizani”, Genc Tomori, në një deklarim mediatik dje në mbrëmje, e quajti si një aksident humbjen me Laçin, madje ai thekson se, objektivat nuk ndryshojnë nga kjo humbje. “Natyrisht që nuk na vjen mirë për këtë humbje, sepse zhgënjyem me rezultat. Megjithatë, duke qenë ndeshja e parë, objektivat tona nuk do të ndryshojnë, dhe Partizani do të synojë titullin kampion”, kështu theksoi në deklarimin e tij Genc Tomori, duke vlerësuar më pas merkaton e kësaj vere. “Ajo që ndodhi në ndeshjen ndaj Laçit, ishte thjesht një aksident. Për ne, kjo është merkato më e mirë që klubi ka bërë, krahasuar me sezonet e kaluara”.
Sigal