Sigal

Në ndeshjen hapëse të javës së 14-të të Kategorisë Superiore vlonjatët mundin minimalisht 1-0 “demat e kuq” me një gol të Bushiç në minutën e 9′

Partizani bie në Vlorë, Flamurtari thyen kryesuesit

Ndeshja më e shumëpritur e javës së 14-të të Superligës, mes Flamurtarit dhe Partizanit, ka nxjerrë si fitues vendasit vlonjatë, të cilët kanë triumfuar minimalisht me rezultatin 1-0, falë golit të Bushiç në minutën e 9′ të sfidës. Kjo ndeshje vinte, pas pushimit dyjavor për shkak të impenjimeve të ekipeve përfaqësuese, dhe pritej me kuriozitet për të parë gjendjen e skuadrave pas pauzës. Flamurtari tregoi se mbetet një skuadër për të mos u nënvlerësuar, duke marrë një fitore shumë të rëndësishme, si për aspektin moral ashtu edhe për objektivat e skuadrës së Ilir Dajës. Partizani i Gegës, nga ana tjetër, e nisi këtë përballje disi i përgjumur dhe iniciativat e lojtarëve të kuq gjatë pjesës së dytë ishin të pamjaftueshme për të thyer kundërshtarët vlonjatë. Partizani kryesues tregoi në këtë ndeshje limitet e tij dhe tani e shikon të kompromentuar pozitën e tij në majë të renditjes.