Partizani “abonohet” me rezultatin 3-0, Laçi i “tregon” dhëmbët

430
Sigal

Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë patën vetëm një surprizë të madhe, humbja e Partizanit, ndërkohë që Tirana, Skënderbeu dhe Kukësi arritën të kalonin më tej   

 U luajtën dje ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, ku përsëri rezultatet surprizë nuk munguan, e sigurisht takimi që bie më shumë në sy është Laçi-Partizani, ku laçianët arritën që të fitonin me rezultatin 3-0, por u desh koha shtesë që të mbyllej çdo gjë. Në takimet e tjera, Kukësi e menaxhoi me shumë qetësi rezultatin e fituar në Shkodër, ku nuk ndeshi në rezistencën e shkodranëve në “Zeqir Ymeri” dhe rezultati 0-0 ishte më se i mjaftueshëm për të shkuar më tej. Skënderbeu-Flamurtari ishte tjetri takim i orës 14:00 dhe në këtë ndeshje korçarët arritën që të tregonin me të vërtetë forcën e tyre ndaj kundërshtarëve, duke mundur një skuadër të fortë siç është edhe Flamurtari.

Laçi-Partizani, nuk mjaftojnë 90 minuta

Një rezultat që nuk u menaxhua, kur Partizani kishte mundësinë vetëm të qëndronte në mbrojtje, të bllokonte mesfushën dhe t’i gëzohej….. rezultatit të parë. Në fakt nuk ndodhi kështu, pasi Partizani shpërdoroi atë avantazh luksi të dy javëve më parë. Një humbje e turpshme duhet thënë, ku në një stadium të boshatisur, (por prania e tifozëve qëndronte jashtë shkallëve të stadiumit të Laçit), kryeqytetasit nuk arritën që jo vetëm të sulmonin por as të mbronin atë që kishin prekur dy javë më parë. Dukej si një “lojë fëmijësh” për Partizanin, por në të tillë e ktheu Laçi që jo vetëm e barazoi por edhe e tejkaloi me gola, duke arritur kështu që të bënte më tej, në gjysmëfinale. Të besuarit e Cungut arritën një rezultat shumë të mirë, duke treguar kështu që nuk janë rastësisht në ato pozita në kampionat por edhe në rezultatet e arritura në Kupë. që në minutat e para të takimit, janë vetëm laçianët që sulmojnë, duke lënë pak në hije miqtë, ndërkohë që pjesa e parë u mbyll 0-0, në pjesën e dytë u fol një tjetër gjuhë, ku Laçi e rriti shumë presionin, duke arritur që të shënojnë nga pika e bardhë, me anë të Xhejms, pasi kishin humbur një penallti 5 minuta më parë me anë të Çetkoviç. Të dy penalltitë i shkaktoi Muskaj, që ndëshkohet me të kuqe, duke lënë ekipin me 10 lojtarë. Kaq u desh për laçianët që shfrytëzuan përsëri rastet, duke parë që Partizani la shumë hapësira dhe në të 76-ën minutë dyfishohet rezultati. Me këtë rezultat ndeshja kaloi në shtesë dhe vetëm në të 118-ën u shënua goli i tretë dhe i kualifikimit, duke lënë pas Partizanin që po kalon një formë shumë të keqe.

Skënderbeu-Flamurtari, vendasit “vënë” rregullat

Një ndeshje e shkëlqyer e Skënderbeut, ku treguan edhe një herë forcën e tyre në Kupë, me një kundërshtar shumë të vështirë si Flamurtari, që duke marrë parasysh rezultatin e dy javëve më përpara, vihet re qartazi vështirësia e takimit dhe kundërshtarit. U desh fundi i pjesës së parë që ë vinte edhe zhbllokimi i rezultatit, pasi korçarët shënuan përmes Osmanit, ndërkohë me rifillimin e pjesës së dytë, është Berisha ai që gjen golin, por më pas do të vinte edhe reagimi i Flamurtarit në minutën e 72-të, duke shënuar me Hoxhën, por është një gol që nuk ka vlerë shumë të madhe, të paktën jo për shumë kohë, pasi për t’i ngirë buzëqeshjen vlonjatëve mendon Shkëmbi, që shënon një gol shumë të bukur, që nga mesi i fushës. E ky gol, i dha fund edhe ndeshjes efektive, pasi bileta për në gjysmë finale u pre nga Skënderbeu.

Kukësi-Vllaznia, menaxhim kampionësh nga vendasit

Nuk pati asnjë vështirësi skuadra e Kukësit që të përballonte Vllazninë, duke parë që kjo e fundit nuk ndodhet në gjendjen e saj më të mirë, ndaj edhe përqendrimi nuk ishte maksimal. Në fakt, kjo ishte një ndeshje vendimtare për trajnerin Raineri që e kishte si shansin e fundit takimin ndaj Kukësit, por përsëri maksimumi i mundshëm ishte një barazim pa gola, që në fakt nuk e shpëton Vllazninë nga forma e keqe, por të paktën tregon se mund të kemi të bëjmë me përmirësime, pasi ndalon serinë e humbjeve, edhe pse ndaj një Kukësi që nuk doli në fushë me potencialin maksimal të tyre.

Apolonia-Tirana, surpriza nuk mban më emrin e fierakëve

Shumë e bukur për të qenë e vërtetë! Kjo mund të thuhet për Apoloninë e Fierit që edhe aps atij barazimi 2-2 dy javë më parë, nuk arriti që të tregonte të njëjtën grintë edhe në ndeshjen e djeshme, pasi u shpartalluan me rezultatin 3-0 nga Tirana, duke i dhënë fund ëndrrave të një kualifikimi në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Kupa e Shqipërisë, rezultatet finale

Grupi A

Laçi-Partizani  3-0 (3-2)

Skënderbeu-Flamurtari 3-1 (4-2)

Grupi B

Kukësi-Vllaznia  0-0 (2-0)

Apolonia-Tirana  0-3 (2-5)

Mirel Josa: Vuajtëm, por e merituam fitoren

Fitorja e Skënderbeut dje në ndeshjen ndaj Flamurtarit i jep qetësi skuadrës korçare, pasi këtë të diel kanë një nga takimet më të forta për kampionat, atë ndaj Kukësit, duke u fokusuar vetëm për atë takim, ndërkohë që fjalët e djeshme të trajnerit Josa iu kushtuan vetëm analizës së ndeshjes me Flamurtarin: “Nuk është problem se ne vuajtëm në pjesën e parë. Ne bëmë një lojë të menduar mirë pasi e dinim që Flamurtari do të vinte këtu për të sulmuar. Flamurtari humbi një shans të mirë në pjesën e parë, por edhe ne patëm disa raste për shënim. Ishte një ndeshje e vështirë ne patëm fat dhe kaluam në avantazh falë golit të Osmanit. Edhe pas golit të disavantazhit ata u përpoqën të barazonin, por ne e menaxhuam mirë ndeshjen dhe në pjesën e dytë arritëm të realizonim edhe golin e avantazhit të dyfishtë që na dha një qetësi të jashtëzakonshme. Jam i kënaqur për faktin se e mbyllëm çështjen e kualifikimit brenda 90-minutave”.