Parku Olimpik i Tiranës së shpejti do jetë gati

552
Sigal

Shumë shpejt “Parku Olimpik i Tiranës” do të jetë
gati. Projekti i shumëpritur nga komuniteti i sportit mori rrugë në qershor
2015, dhe kishte si afat të përfundimit të punimeve 24 muaj, por me shumë
gjasa, kjo arenë do të jetë në dispozicion të disiplinave të ndryshme shqiptare
më herët nga parashikimet.

 “Mbresëlënës
progresi te Parku Olimpik! Fundi i vitit, por jo fundi i punëve, thuajse gati
Parku Olimpik pranë Liqenit! Vetëm me punë miq ecën Tirana jonë”, shkruan
Veliaj.

“Tirana Olimpik Park” është një nga projektet
madhore që po financohet nga qeveria shqiptare, në ndihmë të sportit shqiptar.
Projekti parashikon ndërtimin e godinave e zyrave të shumësportit dhe Komitetit
Olimpik, pallatit të sportit me parametra olimpikë, godinave dhe hotelit për
ekipet kombëtare, fushave të reja futbollit, pishinave të mbyllura dhe pistën e
atletikës.

Ky ambient do t’i kushtojë buxhetit të shtetit një
investim prej 6 milionë dollarësh. Siç dihet, tashmë në hapësirën prej 75 mijë
metra katrorë, është planifikuar një rikonfigurim i plotë i ambienteve të
Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, si dhe sipërfaqes përreth saj. Në mungesë
të një investimi në këto ambiente prej vitit 1989, në Parkun Olimpik do të
gjejnë strehë të gjitha federatat shumësportëshe dhe Komiteti Olimpik Kombëtar
Shqiptar.

Ky projekt pritet të mbledhë bashkë të gjitha
strukturat zinxhir të sportit, federatat, peshëngritjen, mundjen, atletikën, si
dhe lojërat me dorë.

Dushe, sauna, dhoma zhveshjesh të ndara, akomodim i
veçantë për federatat, një fushë olimpike rreth 13 mijë metra katrorë, janë
disa nga ndryshimet që po ndodhin në fushën e sportit.

Palestra e lojërave
me dorë do të ketë një kapacitet rreth 1500 vendesh. Ky investim pritet që të
rivitalizojë jetën sportive të kryeqytetit.