Sigal

Grupi i trajnerit Christian Panucci ka pësuar një tjetër largim, pasi portieri Alban Hoxha është detyruar të lërë kampin stërvitor. Portieri i tretë i kombëtares ka pësuar një dëmtim që e konfirmon në sajtin zyrtar dhe FSHF. Në informimin e mediave, zyra e shtypit e Federatës bën me dije se vendin e portierit të Partizanit do ta zërë portieri i shpresave, Elhan Kastrati.

“Një tjetër zëvendësim i detyruar për shkak të probleme fizike në radhët e ekipit kombëtar të futbollit. Portieri Alban Hoxha është dëmtuar dhe nuk mund të udhëtojë sot me skuadrën drejt Izraelit. Në këtë situatë, trajneri i ekipit kombëtar Christian Panucci ka thërritur menjëherë ti bashkangjitet skuadrës, portierit të ekipit kombëtar U-21, Elhan Kastrati i cili pritet për pak ti bashkohet skuadrës për ndeshjen zyrtare në Izrael.

“Skuadra udhëton sot drejt Tel Avivit rreth orës 15.30. Në orën 19.45 (ora lokale) të ditës së sotme do të zhvillohet konferenca për shtyp e trajnerit të skuadrës me kapitenin e ekipit”, – shkruhet në njoftimin e FSHF-së. Interesant është fakti se trajneri Panucci ka thirrur me urgjencë portierin Kastrati. Ky i fundit ishte titullar në ndeshjen e kaluar të shpresave, pasi portieri i parë Selmani ishte i dëmtuar.

I çuditshëm vendimi i Panuccit, pasi “injoron” krejtësisht Shpresat dhe nuk i jep aspak vlerë ndeshjes zyrtare që kjo grupmoshë do të luajë kundër Estonisë më 16 tetor. Numri një i stolit mund ta zgjidhte shumë mirë me grumbullimin e një emri tjetër, Koliçi ka qenë pjesë e përfaqësues dhe për nga meritokracia, eksperienca apo dhe minutat e lojës i takon më shumë se Kastratit.