Sigal

Trajneri Kristian Panuçi ka folur pas barazimit me Jordaninë ku është shprehur i kënaqur për lojën e skuadrës së tij. “Patëm 5-6 raste për gol, pastaj kur gjen kundërshtar që mbrohet ka konfuzion. E qartë që e meritonim fitoren, por kur gjendesh përballë një skuadre që mbrohet me dhjetë vetë e ke të vështirë. Dëmtimi i Mihajt dhe Ramadanit na prishi pak punët, sepse Gjimsiti nuk duhet të luante 90 minuta por luajti gjatë gjithë kohës. Por kemi katër ditë për të rikuperuar dhe do të punojmë”.

Për mungesën e Hysajt, shtoi: “Hysaj ka bërë shumë ndeshje gjatë këtij muaji dhe e lashë pushim, pasi ndeshja jonë e rëndësishme është kundër Izraelit. Ai ka punuar në stërvitje me Memushajn dhe Bashën dhe vendosa që të mos luajë për këtë arsye”. Sipas Panuçit lojtarëve nuk ka çfarë i kritikon. “Për sot nuk mund të them asgjë për lojtarët, sepse janë treguar seriozë e profesionistë. Sigurisht mungoi goli dhe më vjen keq që nuk fituam, por për sa i përket ndeshjes së sotme ata e kanë bërë detyrën e tyre.

Për sa i përket skemës së lojës Panuçi deklaroi: “Gjithmonë kemi luajtur me tre mbrojtës, sepse nuk doja të sforcoja Gjimsitin dhe Mavrajn. Sulmi? Do të shohim të dielën, e rëndësishme që të shënojmë gol”, përfundoi trajneri.