Panuçi e nis nga “prapanicat” e lojtarëve, me Norvegjinë ka largime dhe afrime

704
Nga Agron KAJA
KOMBËTARJA/ Trajneri u “rrëfye” dje për listën e miqësores ndaj Norvegjisë, ja si e justifikoi mosgrumbullimin e disa lojtarëve
Trajneri i Kombëtares sonë, Kristian Panuçi, dje nisi realisht punën për vitin 2018. Pasi e kishte bërë publike listën e lojtarëve që do të grumbullonte për miqësoren Shqipëri-Norvegji, dje ai e konfirmoi gjatë një konference për shtyp, në të cilën tregoi edhe PSE-të e disa mos grumbullimeve për lojtarët më të vjetër. Por, italiani u tregua më cinik ndaj atyre futbollistëve që kanë bërë zgjedhje të tjera jashtë Shqipërisë, dhe nëse nuk do ta kuptonim sportivisht përgjigjen, rreth pyetjes për emrat që nuk ka grumbulluar, do ta çonte në orientime të këqija seksuale të tij. Sepse Misteri dje përdori disa herë fjalën “prapanicë”, që në futboll ka shumë kuptim sportiv. “Disa futbollistë nuk kanë b***ë të bëjnë zgjedhje. Ata pyesin familjarët e më pas vendosin. Unë kam djem dhe lojtarë të shkëlqyeshëm dhe, nëse mua më thonë “jo”, ata nuk vijnë më në Kombëtare. Nuk të duhen këta lojtarë”, ishte kjo përgjigja më e veçantë që Panuçi iu dha gazetarëve të pranishëm në konferencën e tij për shtyp, ndërsa tregoi edhe arsyen e mos grumbullimit për të dytën herë të kapiteni Ansi Agolli. “Në shtator Agolli mbush 36 vjeç, në momentin që fillojnë eliminatoret zyrtare, dhe ne na duhet që të mendojmë për zëvendësuesit. Unë e kam biseduar me Agollin dhe i kam përcjellë atij faktin, që, nëse do të kem nevojë, do ta kem në konsideratë. Duhet të jem shumë i qartë në atë që po ju përcjell, Agolli sot është 36 vjeç, është një profesionist shumë serioz e do të kisha dashur ta trajnoja kur të ishte 28 vjeç. E ndjej detyrimin për të kërkuar diçka tjetër, për veç faktin e moshës që është 36 vjeç”, ishte kjo përgjigja e Panuçit për mos grumbullimin për miqësoren me Norvegjinë, të kapitenit Ansi Agolli. Ndërsa për lojtarët që ai ka menduar të aktivizojë në këtë miqësore, tekniku italian deklaron se do të preferojë emrat që kanë luajtur sa më shumë ndeshje në kampionatet e tyre. “Për lojtarët që do të zbresin në fushë, do të jenë ata që kanë më shumë ndeshje dhe duhet të presin për të parë kush luan. Llogaritë për kapitenin bëjini me vetveten. Grupi është duke u formuar dhe besoj dhe e keni kuptuar. Natyrisht që deri në qershor do të provoj lojtarë 26-28 vjeç, që do të jetë baza. E kam vendosur pak a shumë, por kemi edhe lojtarë të tjerë. Sadikun e njoh, por them se është problem, sepse po luan pak. Po punojmë fizikisht me të. Kemi në sulm Cikalleshin dhe Balajn, me karakteristika të ndryshme me njëri-tjetrin”. Ndër të tjera, dje Panuçi theksoi se, tashmë është krijuar baza e skuadrës, por deri në qershor do të shohë për elementë të tjerë për të formuar të plotë skuadrën që do të zhvillojë fazën eliminatore të ndeshjeve për “Ligën e Kombeve dhe Evropianin “Euro 2020”. Grumbullimi i Kombëtares nisi dje në “Tropikal” në Durrës, ndërsa stërvitjen e fillon sot në ora 15:30 me një seancë stërvitore e planifikuar me akses të plotë mediatik.
Panuçi për Kampionatin shqiptar
“E ndjek kampionatin shqiptar, pasi jam trajner i Kombëtares shqiptare. Abazaj dhe Gavazaj më pëlqejnë, sepse janë lojtarët e duhur për mënyrën tonë të të luajturit. Ata janë lojtarë shumë të mirë një kundër një. Po luajnë shumë mirë, prandaj e meritonin një çmim për këtë paraqitje, e tashmë duhet parë si do të luajnë me Kombëtaren. Ajo që vlen të evidentoj është fakti që çdo kush bën paraqitjen e mirë dhe më demonstron në fushë një rritje të tij, unë e grumbulloj menjëherë. Nuk kam asnjë kompleks në këtë drejtim”, kështu theksoi dje tekniku kuqezi.
Sigal