Panucci: Ekipi kombëtar është krenari, s’mund të vijmë sipas qejfit në stërvitje

497
Ende pa filluar mirë punën akoma, Christian Panucci ka vendosur rregullat e tij në Kombëtaren e Shqipërisë.
Tekniku italian tha se “të vish të luash për ekipin kombëtar është krenari, dhe duhet të plotësojmë disa rregulla, që i ka vendosur Federata apo edhe unë si trajner”.
Panucci zbuloi dhe arsyet se pse e kishte grumbulluar Sokol Cikalleshin për ndeshjet me Lihteshtejn dhe Maqedoninë, dhe më pas e kishte lënë në shtëpi.

“Fola me Cikalleshin në telefon sot në mëngjes, pasi më tha që nuk mund të vinte pasi duhet të firmoste një kontratë me ekipin e ri. Pasi i dëgjova i thashë që nuk mund të të jap leje për të ardhur me ekipin, pasi kontratat firmosen edhe me e-mail, por edhe nëpërmjet menaxherit që ta marrë me avion kontratën. Dhe meqë nuk mori avionin e orës 8 të mëngjesit dhe duke mos ardhur në orarin e grumbullimit, lojtari do të qëndrojë në shtëpi, sepse ka rregulla që duhen respektuar,” tha Panucci.

Tekniku italian gjithashtu tha se në stërvitje lojtarët duhet të shfaqen të gjithë në orar.

“Nuk mund të vijmë në stërvitje sipas qefit, njëri në orën 3, tjetri në 5 e tjetri në 7. Janë të justifikuar ata lojtarë të cilët nuk gjejnë linja avionësh në oraret që ne duam, por ama në stërvitjen e kombëtares të gjithë duhet të tregohen seriozë. Unë jam gati të çohem dhe në 2 të natës për ekipin,” tha Panucci.
Sigal