Orges Shehi: Ndeshjet në Evropa Ligë, stacioni i fundit i karrierës sime

498
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” portieri i Skënderbeut, “Dino Xofi” në futbollin shqiptar, aktualisht me moshën më të madhe në katërkëndorët e Superiores
Portieri aktual i skuadrës së Skënderbeut, 40 vjeçari durrsak Orges Shehi, këto ditë të nxehta korriku, e ka “nxehur”paksa ambientin mediatik, pse jo, ka vënë në lëvizje edhe drejtuesit e skuadrës, teksa në deklaratat e tij ka shprehur se së shpejti do të largohet nga futbolli i luajtur. Këtë deklaratë ai e pohoi edhe për gazetën “Telegraf”, duke shtuar njëherësh se, më parë nga largimi, ai kërkon që skuadra korçare të shkojë sa më larg në ndeshjet e Evropa Ligë. “Të enjten kemi një sfidë shumë të vështirë me çekët e Mlladës, ku ne do të shkojmë me synime të qarta. Pse jo, por më shumë ne orientohemi në këtë përballje për një rezultat pozitiv, që ti shërbejë kualifikimit tonë për në turin tjetër”, kështu deklaroi në intervistën e tij Orges Shehi, portieri që në ambientet e tifozerisë është quajtur edhe si “Dino Xofi” i futbollit shqiptar.
Shehi, duket se keni shumë keni përqendrim te ndeshja, dhe më pak te ambienti mediatik, sa ju “gërvishtin” bisedat tona?
Natyrisht që unë jam i përqendruar për ndeshjen e radhës me Mlladën, por kjo nuk më ka penguar edhe të flas me mediat, sikundër edhe me ju. Ne jemi aktorë në fushat tona: futbollistët në fushën e futbollit dhe ju në fushën e medias, dhe që së bashku kemi produktin që i shërben njëherësh të dy profesioneve tona. 
Jeni në prag të sfidës me Mllada Boleslav, e kishit menduar se do ta kalonit Kairatin në turin e dytë?
Ajo ndeshje u mbyll, dhe ne u kualifikuam, ndaj për Skënderbeun e skeptikët, ky është një sukses që tregon për vazhdimësinë progresive të kësaj skuadre të madhe në futbollin shqiptar. Të enjten kemi një sfidë shumë të vështirë me çekët e Mlladës, ku ne do të shkojmë me synime të qarta. Pse jo, por më shumë ne orientohemi në këtë përballje për një rezultat pozitiv, që ti shërbejë kualifikimit tonë për në turin tjetër.
Sa e njihni Mllada Boleslavin si kundërshtar në turin e tretë të UEFA Evropa Ligë?
Nuk kemi ndonjë njohje specifike, por e dimë se ka eksperiencë të mirë në këtë kompeticion, pasi ka arritur të shkojë deri në fazën e grupeve. Është një kundërshtar shumë i fortë, me një përbërje cilësore, që njëherësh vjen nga një Ligë futbolli e rëndësishme në Evropë.
Duke qenë se ndeshjen e parë e luani në transfertë, do të jetë ky një fakt i rëndësishëm që mund të sjellë kualifikimin e Skënderbeut?
Që do të luajmë ndeshjen e parë në Çeki, kjo është punë e shortit. Por, ne nuk jemi nisur shumë nga ky fakt, sepse dy ndeshje vajtje-ardhje janë, dhe në të dyja duhet dhënë maksimumi. Gjithsesi, ne do të luftojmë shumë ta shfrytëzojmë këtë takim në transfertë, sikundër bëmë në turin e dytë me Kairatin. 
Çfarë i duhet më shumë skuadrës së Skënderbeut që të arrijë kualifikimin në turin e katërt?
Skënderbeu është skuadër e madhe në futbollin shqiptar, është skuadër serioze që di të vlerësojë çdo kundërshtar. Edhe në Evropë ka krijuar një përvojë të mirë, kur kujtoj edhe kalimin në fazën e grupeve në Evropa Ligë, dhe nga ky këndvështrim, vlerësimi ynë do të jetë real, i matur dhe i kujdesshëm në të dy takimet.
Ju më 20 shtator 2017 mbushni 40 vjeç, e vendosët largimin pikërisht në respekt të moshës, apo si detyrim në respekt të profesionalizmit?
Të dyja së bashku. Unë tashmë e shoh se ka ardhur dita për tu larguar nga katërkëndori si futbollist. Ky është një moment që gjithkush e ka kaluar në karrierë, është i pa shmangshëm. Për mua ka edhe të veçantën, pasi dy muaj më vonë unë mbush 40 vjeç, çka tregon se është stacioni i fundit i kësaj karriere. Janë 23 vite në elitën e futbollit shqiptar, ku kam kaluar momente shumë të bukura, por edhe të vështira.
Largoheni nga futbolli i luajtur me 5 tituj radhazi kampion, si asnjë portier tjetër në historinë e futbollit shqiptar, sa rëndësi do të ketë kjo statistikë për vazhdimësinë tuaj?
Pas lënies së futbollit si lojtar, unë nuk kam menduar të largohem nga futbolli, por sot për sot, ende nuk e kam të përcaktuar se në çfarë pozicioni do të vazhdoj. Rëndësi ka që, unë largohem pas një eksperience me një skuadër të madhe si Skënderbeu, ku edhe arrita kulmin e karrierës sime mbi 23 vjeçare në futbollin elitar shqiptar.
Dhe ku do të vazhdoni pas lënies së futbollit, apo, pas “varjes së këpucëve në gozhdë”?
Unë me futbollin do të bashkëjetoj gjithë jetën time, dhe gjithçka që kam arritur gjatë karrierës si futbollist, kryesisht në shtatë sezone me Skënderbeun, do të jenë themeli ku do të ndërtohet e ardhmja ime në këtë sport. Sot për sot, nuk mund ta përcaktoj saktë, por vetëm në futboll do më shikoni e dëgjoni.
E harruat ju Kombëtaren si eksperiencë, apo e latë për në fundin e kësaj bisede?
Kombëtarja ka qenë një eksperiencë shumë e vlefshme në karrierën time, dhe për këtë respekt, unë dua të falënderoj ish-trajnerin De Biazi, por edhe drejtuesit e FSHF-së. Ata besuan te vlerat e mia, dhe unë në çdo moment kam qenë i gatshëm, aq sa më është dhënë mundësia të luaj. Në historinë e futbollit shqiptar nuk kishte ndodhur që të luhej në një Kampionat Evropian, aq më shumë, që të kishte edhe një portier 39 vjeçar si alternativë.
Unë tashmë e shoh se ka ardhur dita për tu larguar nga katërkëndori si futbollist. Ky është një moment që gjithkush e ka kaluar në karrierë, është i pa shmangshëm. Për mua ka edhe të veçantën, pasi dy muaj më vonë unë mbush 40 vjeç, çka tregon se është stacioni i fundit i kësaj karriere. Janë 23 vite në elitën e futbollit shqiptar, ku kam kaluar momente shumë të bukura, por edhe të vështira
CV 
Orges Shehi
Datëlindja: 20 shtator 1977 
Skuadrat ku ka luajtur: Në sezonet 1994-2004 Teuta (huazim te Bylisi në sezonin 1998-1999; në sezonin 2004-2005 me Vllazninë; në sezonet 2005-2009 me Partizanin; në sezonin 2009-2010 me Besën; nga sezoni 2010 e në vazhdim me Skënderbeun.
Rekordi si portier: Luan në rreth 500 ndeshje në Superiore, ka fituar më shumë tituj e trofe radhazi, 6 herë me Skënderbeun.
Tituj e trofe: Kampion me Skënderbeun 5 herë radhazi 2010-2011, 2011-2012, 2012-2013, 2013-2014 dhe 2014-2015; Kupën e Shqipërisë me Teutën në sezonet 1994-1995 dhe 1999-2000, me Besën në sezonin 2009-2010; Superkupën e Shqipërisë me Besën në sezonin 2009-2010, me Skënderbeun në sezonet 2013-2014 dhe 2014-2015.
Me Kombëtaren: Nga viti 2010 e në vazhdim, luajtur në 10 ndeshje
LIGA E EVROPËS 2017-2018
Turi i tretë eliminator
Takimi i parë/ Datë 27.07.2017 
Mllada Boleslav-Skënderbeu 18:00
Gjyqtar: Alan Mario Sant (Maltë)
Stadiumi: Mestsky Stadion
Takimi kthimit/ Datë 03.08.2017 
Skënderbeu-Mllada Boleslav 20:00
Sigal