Olgert Muka: Terrenet janë të dobëta, shembull Akademia e Internacional Tirana

843
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Për situatën në futbollin shqiptar, flet për “Telegraf” ish-futbollisti lushnjar që “pushtoi” disa skuadra, sot trajner me Licencën UEFA A
Pak vite më parë si lojtar në fushë, sot Olgert Muka në bankinë, e kishit menduar të lehtë largimin?
Natyrisht që e kisha menduar. Unë kam pak vite që jam larguar nga futbolli i luajtur, në një moshë relativisht të madhe (35 vjeç). Kjo është një kohë që duhet pranuar, por, kur shoh sot breza më të rinj në fushë, shpesh më duket sikur do të jem aty. Gjithsesi, ishte koha për ta lënë futbollin, po jo larg tij.

Pse, ende në futboll “militoni” apo në pozicione të tjera?
Kam kam disa vite që kam marrë Licencën UEFA A për trajner futbolli, dhe aktualisht jam trajner i skuadrës së të rriturve të Internacionalit. Është një skuadër që përgatitet në kushte moderne, dhe me një kujdes serioz e mbështetje të madhe nga presidenti.

Si është gjendja e skuadrës së Internacionalit aktualisht?
Në raport me skuadrat e tjera ku marrim pjesë, në Kampionatin e Kategorisë së Dytë, ne nuk kemi problematika. Kushtet stërvitore dhe organizimi në këtë Akademi futbolli janë në standardet e kohës, dhe këto janë treguesit që tërheqin shumë në këtë skuadër. Unë jam duke bërë një seleksionim të futbollistëve, dhe më 15 korrik do bëjmë një fazë përgatitore në bregdetin shqiptar.

Po situatën në futbollin shqiptar sot, si e shikoni: pasive apo aktive?
Që futboll luhet, kjo tashmë është evidente, por realisht nuk ka baza të forta. Sepse, çdo ekip, nuk e ka forcën e duhur nga fillimi e deri në fund, për të realizuar synimet. Projekte të mira ka, por nuk ka baza të forta për mbështetjen e realizimin e tyre.

Gjatë muajit qershor në Shqipëri është zhvilluar fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, ka penguar kjo në përgatitjen e skuadrave?
Unë mendoj se jo, sepse të gjitha skuadrat janë stërvitur normalisht. Duke ju referuar skuadrave të Kategorisë Superiore, kryesisht atyre që do të luajnë në Evropë, të gjitha kanë vazhduar me periudhat stërvitore. Me sa kam dijeni, Kukësi ka shkuar në alpet e Austrisë, ndërsa Skënderbeu ka rreth dy javë që zhvillon përgatitjet në Slloveni.

Mos është kjo një periudhë kohe ku kanë lëvizur më shumë skuadrat që do të luajnë në Evropë?
Dhe është normale, sepse nesër datë 29 qershor, janë tre skuadra shqiptare që do të luajnë ndeshjet e para në Evropa Ligë, ndërsa Kukësi starton 10 ditë më vonë. Prandaj edhe përgatitjet e Partizanit, Skënderbeut, Tiranës e Kukësit kanë qenë më evidente në këtë periudhë.

Veç Skënderbeut që ka rival të lehtë, si e shikoni ecurinë e skuadrave të tjera në Evropë?
Mendoj se Kukësi ka kundërshtar të fortë. Le të kujtoj një fakt: skuadra e Sherif Tiraspol ka një buxhet sa e gjithë Kategoria Superiore shqiptare. Besoj se kaq vlen për të parë raportet, por loja e futbollit prandaj është e bukur. Sot, Partizani ka një kundërshtar mbi mesataren, Botev Plodviv, Tirana ndaj Makabi Tel-Aviv, më shumë do të mbyllë problemet financiare të sezonit të kaluar.

Çfarë dukurie kanë shfaqur deri më tani këto katër skuadra në këtë periudhë përgatitore?
Ndoshta të gjitha, kanë bërë merkato sa për frymëmarrje. Janë përqendruar në shpenzime shumë të vogla me elementët që kanë sjellë, por kjo nuk e ndryshon situatën në futbollin tonë. Duhet buxhet më i madh për merkaton, për të sjellë futbollistë që realisht bëjnë diferencën.

Do ndikojë te Skënderbeu dënimi që i bëri Komisioni i Etikës ditë më parë?
Absolutisht që jo. Përkundrazi, skuadra është shfaqur shumë e motivuar në periudhën përgatitore në Slloveni, ndërkohë që edhe për ndeshjen me skuadrën modeste të Andorrës, Sant Hullia, janë treguar të motivuar, vlerësues e të kujdesshëm.
Mendoj se Kukësi ka kundërshtar të fortë. Le të kujtoj një fakt: skuadra e Sherif Tiraspol ka një buxhet sa e gjithë Kategoria Superiore shqiptare. Besoj se kaq vlen për të parë raportet, por loja e futbollit prandaj është e bukur. Ndërsa Partizani, ndaj Botev Plodviv ka një kundërshtar mbi mesataren, Tirana ndaj Makabi Tel-Aviv, më shumë do të mbyllë problemet financiare të sezonit të kaluar 
Olgert Muka
Datëlindja: 10 shtator 1979/ Vendlindja: Librazhd
Sporti që ushtron: Futboll/ Gjatësia: 185 cm
Roli në fushë: Mesfushor-sulmues
Skuadrat ku është aktivizuar: Starti me skuadrën e Lushnjës, më pas me Teutën, Dinamon, Partizanin, Bylisin, Besën e Flamurtarin.
Me Kombëtaren: Me Kombëtaren A, luajtur 5 ndeshje
Aktualisht: Trajner i parë në skuadrën e të rriturve të Internacional, Tiranë
Sigal