Odise Roshi, Ronaldoja i Frankfurtit

595
Sigal

Gazeta gjermane “Frankfurter Rundshau” i ka kushtuar një speciale mesfushorit fierak: “Ai është Kristianoja ynë”

Unë mund të jap akoma më shumë për FSV Frankfurtit. Tani kam më shumë besim të vetja”. Deklarata është e mesfushorit shqiptar Odise Roshi, i cili në fundjavë shënoi golin e parë në fitoren 2-1 të FSV Frankfurtit ndaj St. Paulit (golin e dytë e realizoi sulmuesi Edmond Kapllani).

Yll në Shqipëri

“Në atdheun e tij, – shkruan gazeta e njohur gjermane ‘Frankfurter Rundshau’, – Odise Roshi është tashmë një yll i vogël, ndërsa te FSV Frankfurti shqiptari dëshiron të jetë ndër më të rëndësishmit e skuadrës”. Odise Roshi u transferua gjatë merkatos së verës nga Këlni tek FSV Frankfurti, me formulën e huazimit dhe impakti i tij në skuadër ishte i menjëhershëm. 21 vjeç ai është pjesë e Kombëtares shqiptare, ndërkohë që me shqiptarin tjetër, sulmuesin Edmond Kapllani (edhe ky një lojtar i Kombëtares) ka formuar një dyshe të frikshme, e që  ka e çuar ekipin në vendin e dytë të Bundesligën 2. Odiseja duket se ka veshur “këmishën e djallit”, madje edhe sjellja e tij, shkruan gazeta gjermane, është pak djallëzore: sytë i mban gjithmonë poshte, gjuan guriçkat në rrugë dhe qesh vazhdimisht, duke i zbardhur dhëmbët. “Po, ai tani është dikush, tipi i personit që ka qejf të bëjë gjithmonë shaka me shokët, madje bën gjëra të çuditshme me kokën e tij”, – shkruan “Frankfurter Rundshau”. Në fakt, Odiseja i tillë ka qenë edhe kur ishte te Këlni sezonin e kaluar, dhe shakatë e tij me Lukas Podolskin (lojtarin e Kombëtares gjermane, që tani është tek Arseanli) janë të njohura në dhomat e zhveshjes.

“Përkthyesi” Kapllani

Mesfushori ofensiv shqiptar është huazuar për një vit te FSV Frankfurti i Bundesligës së Dytë, por humori i tij është i njëjti edhe në Bornheim. “Këto janë gjëra të vogla”, – tha Roshi për gazetën. “Unë jam nga natyra i tillë. Për këtë i ngacmoj gjithmonë shokët e mi”. Ndërkohë që ai bën thuajse gjithë ditën shaka, por me pak fjalë, ai është krejt tjetër në fushë. Roshi flet vetëm pak një gjermanisht të kursyer apo anglisht, ndërkohë që Edmond Kapllani bën përkthyesin. Ai ishte i pari, që iu hodh në qafë Odise Roshit, kur ky i fundit shënoi golin e parë kundër St. Paulit. Një përqafim i ngrohtë, një puthje e vogël në faqe, një raport i shkëlqyer midis dy shqiptarëve te FSV Frankfurti.

Ronaldo shqiptar

Përpara se Kapllani të shënonte golin e fitores 2-1 kundër St. Paulit, ishte Roshi ai, që në minutën e shtatë kishte realizuar një gol shumë të bukur, e që i dha kryesimin e përkohshëm skuadrës së tij. Një goditje precize me të djathtën. “Unë e kontrollova mjaft mirë topin, por po kaq e lehtë ishte dhe të gaboja”, -tha Roshi pas ndeshjes. Paraqitja e tij e pestë për FSV Frankfurtin ishte dhe e mira e tij, jo vetëm se shënoi golin. Në duelin e drejtpërdrejtë me mbrojtësin e St. Paulit, Kristofer Avevor, Roshi isht e një fitues i qartë, për më tepër që ai shkëlqeu edhe për pasimet e tij. Në pjesën e dytë ai dha një krosim saktësisht në kokën e Kapllanit, por që ky i fundit gjuajti dobët. Tashmë Roshi e ka kaluar momentin psikologjik dhe ka një mentalitet të fortë. Trajneri i tij, Beno Mëhlman, nuk i kursen lëvdatat: “Kjo do ta inkurajojë atë gjithmonë dhe më shumë”. Ai i di fuqitë e djaloshit, që vjen nga qyteti i Fierit. “Me topin në këmbë ai është tmerrësisht i shpejtë”, – thotë drejtori sportiv i klubit, Uve Shtëver. “Dhe këtë ai e tregoi qysh në ndeshjen e tij të parë. Me golin që shënoi tani ai do të bëjë gjera dhe më të mrekullueshme”. Roshi thotë: “Unë mund të jap akoma më shumë për FSV Frankfurtit. Tani kam më shumë besim të vetja”.

 __________________________________________________________________________________

ËNDRRA/”ME KOMBËTAREN DUA NJË TURNE TË MADH”

Odise Roshi është pjesë e Kombëtares shqiptare, madje debutimi i tij përkon kundër një skuadre të madhe, si Franca. Roshi ka luajtur deri tani shtatë ndeshje për Shqipërinë. “Ne jemi një vend i vogël, por megjithatë ne kemi ëndrrën, që një herë të jem në një turne të madh”, – thotë Roshi për gazetën gjermane. Nga dy ndeshjet e para kualifikuese të Kampionatit Botëror, Shqipëria ka grumbulluar tri pikë (fitorja 3-1 me Qipron. “Kjo i jep shpresë Kombëtarës së tij”, – veçon gazeta. Në Shqipëri, Odise Roshin e vlerësojnë si një anësor të talentuar, si një “avion fluturues” dhe e krahsojnë atë me superyllin Kristiano Ronaldo. Roshi ka një dashuri të jashtëzakonshme për këpucët ekstravagante dhe tregon gjithashtu një kujdes të veçantë për fytyrën. Flokët e prera shkurt, lëkura delikate, por edhe pamja janë disi të ngjashme me portugezin. Kështu, që rruga e Roshit është e qartë: “Drejt Realit të Madridit”, -qesh Odiseja.