Nuk regjistron vendimin e Asamblesë, Bashkim Fino “pronëson” vendimin e Gjykatës së Tiranës, “qetëson” FSHF-ja

134
Nga Agron KAJA
AKTUALITET/ Pas 51 ditëve të zhvillimit të saj, drejtësia ka kërkuar që të bashkëngjitet lista e anëtarëve që votuan, a janë ata të regjistruar në Gjykatë apo QKB 
Mesdita e djeshme “tronditi” portalet elektronike dhe ekranet e televizioneve. Lajmi i stisur sipas interesave që kishte të bënte me Asamblenë Zgjedhore në FSHF më 7 shkurt të këtij viti, fillimisht jepte përshtypjen se në këtë Asamble ishin bërë manipulime. Po çfarë ka ndodhur në fakt në Gjykatën e Tiranës dje, sa i përket Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së? 

Ja si e përshkruanin mediat e portalet elektronike këtë vendim të Gjykatës së Tiranës. “Vetëm 51 ditë zgjatën vendimet e Asamblesë së FSHF-së të zhvilluar më 7 shkurt 2018, pasi sot (dje), Gjykata e Tiranës nuk e regjistron vendimin e saj. Pas këtij vendimi, FSHF-ja duket se duhet të bëjë korrigjimet e nevojshme, pasi kështu, Asambleja Zgjedhore e ka zhytur futbollin në një situatë tepër të vështirë, si juridike, ashtu edhe në imazh. Pasi u zgjodh president i ri Armand Duka dhe 9 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, vendimi i Asamblesë Zgjedhore u dërgua në Gjykatën e Tiranës për regjistrim. Por, abuzimet dhe paligjshmëria që u denoncuan nga kandidati Bashkim Fino, tashmë janë faktuar në Gjykatë. Pasi kërkuan të bëjnë regjistrimin e vendimit të Asamblesë, me shpresën se abuzimet e tyre do kalonin në heshtje, Gjykata u ka kërkuar që vendimin e Asamblesë ta bashkëngjisin me listën e të gjithë anëtarëve që votuan, a janë ata të regjistruar në Gjykatë apo QKB, si janë të organizuar”, ky ishte versioni jashtë FSHF-së, i cili i referohej anonimatit të Gjykatës, ndërkohë që dje pasdite, institucioni i futbollit shqiptar doli me një njoftim zyrtar për shtyp, ku informoi opinionin publik se, nga Gjykata e Tiranës nuk ka një vendim refuzimi apo konstatimi të paligjshmërisë së zgjedhjeve të fundit të organeve drejtuese të FSHF-së. “Ky vendim ka të bëjë vetëm me kthimin e kërkesës, për shkak të plotësimit të disa dokumenteve shtesë që ka kërkuar gjykata. Pasi të plotësohet dokumentacioni i kërkuar, FSHF-ja do t’i ridrejtohet gjykatës për depozitimin e dokumenteve që parashikon Ligji. Kjo praktikë, në Gjykatë ka të bëjë vetëm me regjistrimin e akteve, pasi legjislacioni në fuqi kërkon që këto akte të regjistrohen në Gjykatën e Tiranës, dhe nga ana e saj, gjyqtarja e çështjes ka kërkuar vetëm disa plotësime në dokumentacionin e kërkuar, të cilat shumë shpejt do ti vihen në dispozicion”, kështu thuhej në njoftimin e FSHF-së, që krahasuar me lajmet e mediave, i nxjerr ato si “penallti” jashtë zonës!
Ky vendim ka të bëjë vetëm me kthimin e kërkesës, për shkak të plotësimit të disa dokumenteve shtesë që ka kërkuar gjykata. Pasi të plotësohet dokumentacioni i kërkuar, FSHF-ja do t’i ridrejtohet gjykatës për depozitimin e dokumenteve që parashikon Ligji