Nuk është Dinamo e frikshme, Skënderbeu ka më shumë shanse kualifikimi

666
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-kapiteni i skuadrës korçare, ai që shënoi gol në ndeshjen me kroatët dy vite më parë
Bledi Shkëmbi ka qenë protagonist i padiskutueshëm i sukseseve të Skënderbeut, si në fitimin e gjashtë titujve Kampionë rresht, por edhe në paraqitjet që skuadra korçare ka bërë në Evropë gjatë kësaj periudhe. Për ish-kapitenin, shorti i turit play-off me Dinamon e Zagrebit, është i mirë për Skënderbeun. “Mendoj se është një short i mirë, sepse kishte skuadra shumë më të forta dhe më të mira se sa Dinamo e Zagrebit. Më erdhën në mendje shumë nga ato momente të dy ndeshjeve që luajtëm me ta, por gjithsesi ky është është short i mirë për Skënderbeun”, kështu deklaroj mes të tjerave Bledi Shkëmbi, në intervistën e djeshme për gazetën “Telegraf”.
Nga fusha në fushë, si ndjehet sot ish-kapiteni i Skënderbeut në stolin e skuadrës së Lirisë të Prizrenit?
Është e natyrshme, dhe vetë mosha të dikton disa gjëra të mira, të cilat i shërbejnë së ardhmes. Për mua ka qenë një përvojë e shkëlqyer e gjithë karriera ime si futbollist, e cila natyrisht që kulmoi së fundmi me Skënderbeun. Nuk kam qëndruar indiferent dhe larg futbollit, tashmë jam këtu në këtë skuadër, Liria e Prizrenit, e cila ka synime ambicioze në këtë sezon.

Por, nuk ju ndahet “zemra” nga Skënderbeu, si e pritët kualifikimin në play-off-in e Evropa Ligë?
Pasi mbarova stërvitjen me ekipin, kam vrapuar tek një lokal që ta shikoja ndeshjen e Skënderbeut me Mlladën. Kisha një parandjenjë se do të kualifikoheshim (Skënderbeu), edhe pse më trembi fillimisht, por me kalimin e minutave u binda se do të kalonte në turin tjetër.

Ndoshta menduat se goli i Mlladës do të ishte fatal për kualifikimin e Skënderbeut?
Fillimisht ashtu mendova, madje edhe u tremba, sepse nuk e prisja që Skënderbeu ta merrte aq lehtë fillimin e kësaj ndeshjeje. Ka qenë një pjesë e parë që mua nuk më pëlqeu, ndoshta edhe më bëri pak skeptik për kualifikimin. 

Çfarë ndryshoi më shumë në pjesën e dytë, e cila mbeti siguria e kualifikimit?
Në pjesën e dytë skuadra reflektoi ndryshe nga pjesa e parë. Skuadra hyri me ide të qarta dhe me vetëbesim në 45 minutat e dyta, pse jo edhe në dy shtesat nga 15 minuta. Në pjesën e parë ishte edhe meritë e çekëve që nuk e lanë Skënderbeun të dilte në lojën e tij, por skuadra ndryshoi shumë, dhe pas golit të parë, çekët e humbën toruan dhe ishin nervozë në ndërtimin e lojës, dhe në finalizim.

Ndoshta edhe penalltitë ju bënë paksa skeptikë për kualifikimin?
Jo, sepse e di shumë mirë që Skënderbeu ka gjuajtës të mirë të penalltive. Nuk kisha dyshime që kalonin, madje e dija se kapiteni Shehi do gjuante një penallti, por nuk mendova se do të ishte i pari. Në fakt mirë bëri sepse i dha zemër skuadrës.

Në fund, Skënderbeu u kualifikua, si u ndjetë në penalltinë e pritur nga portieri Shehi?
Kur shkoi me penallti, unë kisha besim se Shehi do ta priste një. Te penalltitë isha më i sigurt te kualifikimi, më shumë se sa 120 minutat e ndeshjes, dhe në atë moment u lumturova dhe u emocionova për kualifikimin. Kisha një ndjesi shumë pozitive.

Tashmë është hedhur edhe shorti i play-off dhe Skënderbeu luan me një kundërshtar të njohur, si e pritët Dinamon e Zagrebit?
Mendoj se është një short i mirë, sepse kishte skuadra shumë më të forta dhe më të mira se sa Dinamo e Zagrebit. Më erdhën në mendje shumë momente të dy ndeshjeve që luajtëm me ta, por gjithsesi ky është është short i mirë për Skënderbeun.

Mund të quhet short i mirë, kur kemi parasysh që dy vite më parë Skënderbeu i ka humbur të dyja përballjet me Dinamon?
Kur ju thashë se kishte skuadra më të forta në short, si Milani, Ajaksi apo Fenerbahçe, këtu kualifikimi i Skënderbeut mbetej utopi që në short. Ndryshe me Dinamon e Zagrebit, sepse aktualisht nuk është më ajo Dinamo e frikshme. Ata mbeten të rrezikshëm, por unë mendoj se tani Skënderbeu ka më shumë shanse se ne atëherë dy sezone më parë.

Cilat janë problemet që ju mendoni se i ka skuadra e Dinamos para dy sfidave me Skënderbeun?
Besoj se Dinamo nuk është më aq mirë si atëherë, dhe ka edhe probleme të brendshme. Presidenti Mamiç, pika më e fortë e klubit, ka pasur probleme të vazhdueshme gjatë muajve të fundit dhe shpeshherë ka qenë në qendër të akuzave. Është sulmuar mediatikisht edhe nga miq të tij, dhe kjo situatë është reflektuar edhe në skuadër. Por, nga Dinamo janë larguar disa lojtarë shumë të rëndësishëm që bënin dukshëm diferencën.

Kështu duket sikur e njihni Dinamon sikundër edhe Skënderbeun?
Flas kështu, sepse kam parë disa ndeshje të Dinamos, dhe mund të them se nuk janë më aq të shpejtë në aksionet sulmuese si dy vite më parë. Më duken se janë më të lexueshëm në lojë, edhe pse rrezikshmërinë e shfaqin në fragmente të lojës. Por, Skënderbeu duhet të japë gjithçka për t’ia dalë mbanë, sepse sipas meje, ka më shumë shanse për kualifikim.

Çfarë mendoni se duhet të bëjë ndryshe Skënderbeu që të arrijë kualifikimin pas dy ndeshjeve me Dinamon e Zagrebit?
Mendoj se duhet të jetë më i qetë dhe të shfrytëzojë më mirë rastet që i krijohen. Me ekipet e mëdha, vetëm kështu ia dilet. Por ndoshta gjatë lojës mund të freskohet skuadra pak më herët, sesa në ndeshjet tona të mëparshme me kroatët, sepse ne e ndjemë lodhjen pas minutës së 70-të. 

Realisht, i ka mundësitë e kapacitetet Skënderbeu që ta kalojë skuadrën kroate?
Mendoj se, Skënderbeu duhet të kujdeset më shumë edhe për lojtarët që ka në përbërje. Unë e kuptoj se duhen përforcime, por nuk mund të thuhet pas ndeshjeve se nuk kemi sulmues. Kjo i bën të ndihen keq ata që janë aty pjesë e ekipit.

Nga Skënderbeu si ish-lojtar, si i keni punët te Liria e Prizrenit, sot trajner?
Deri tani jam i kënaqur me skuadrën, por presim kur të fillojë sezoni, sepse atëherë do ta shohim forcën e vërtetë dhe do të kuptojmë ku jemi. Këtu kampionati nis më 19 gusht dhe jo si në Shqipëri që nis më 9 shtator. 

Po me futbollin shqiptar, keni kontakte, dhe sa e njihni situatën në këtë periudhë përgatitore?
Po, jam në kontakte të vazhdueshme, sepse jam i lidhur shpirtërisht me Skënderbeun dhe komunikoj çdo ditë me shumë nga çunat e skuadrës. Nëse Skënderbeu mbetet një pikë referimi në futbollin shqiptar, më habit situata te Kukësi. Doli kampion dhe morri trajner të ri, diçka pa kuptim për vazhdimësinë, apo edhe Partizani, i cili gjatë kampionatit të kaluar predikoi se ishte më i zoti, ndërkohë që po ndryshon gjithçka.
Mendoj se është një short i mirë, sepse kishte skuadra shumë më të forta dhe më të mira se sa Dinamo e Zagrebit. Më erdhën në mendje shumë momente të dy ndeshjeve që luajtëm me ta, por gjithsesi, ky është është short i mirë për Skënderbeun
2 përballje
Skënderbeu është ndeshur 2 herë me Dinamon e Zagrebit, pikërisht në turin play-off , por Ligës së Kampioneve
2 humbje
Në dy përballjet që Skënderbeu ka luajtur me Dinamo Zagreb ka shënuar 2 humbje: 1-2 në Elbasan dhe 4-1 në Zagreb

PËRBALLJET
Skënderbeu-Dinamo Z
Liga e Kampioneve
Sezoni 2015-2016 
Turi play-off
Datë 19 gusht 2015 
Skënderbe-Dinamo Z 1-2
Datë 26 gusht 2015 
Dinamo Z-Skënderbe 4-1
BILANCI
Nd2, F0, B0, H2, G 2-6
Sigal