Sigal

Barcelona vijon me fitore të njëpasnjëshme në La Liga, por objektivi i vërtetë në këtë sezon për katalanasit është Champions League. Një titull që mungon prej disa vitesh në “Camp Nou” dhe për më tepër dominimi i Real Madridit në këtë veprimtari në vitet e fundit nuk mund të kapërdihet nga katalanasit.

“Këtë vit ne duam trofeun e Champions League. Jemi eliminuar në fazën çerekfinale për tre vite radhazi dhe herën e fundit ishte më e hidhur, sepse arritëm në Romë me një rezultat pozitiv në favorin tonë. Ne duhet ta fitojmë kompeticionin këtë edicion… për klubin, ekipin dhe tifozët. Kemi një skuadër kaq spektakolare, ne mund të garojmë për çdo trofe”, tha kapiteni Leo Messi për “Radio Catalunya”.

Barcelona ndodhet në grupin e ferrit, pasi do të përballet me skuadra si Tottenham, Inter dhe PSV Eindhoven. Gjithsesi ky fakt nuk i shqetëson katalansit, që nuk e diskutojnë kalimin e grupit.