“NOTOJMË DHE FESTOJMË”/ Sot, AN “Te Stela” çel “odën” e rekordeve

Dy ditë më parë, Krye/trajneri i AN “Te Stela”, Sadik Mema, deklaroi për gazetën “Telegraf”, se të shtunën (sot), do të organizohet veprimtaria “Notojmë dhe festojmë”. Duke qenë një event brenda këtij resorti të madh e serioz në Tiranë, mbështetja nga FSHN-ja nuk do të mungojë. Madje enkas për këtë event, edhe Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, deklaroi për gazetën “Telegraf” se, AN “Te Stela” jep një kontribut real në rritjen e nivelit e të cilësisë në sportin e notit. Sot, 70 notarët (meshkuj e femra) që do të garojnë, nuk do ta kenë harruar “zakonin” tashmë të “vjetruar”, thyerjen e Rekordeve Kombëtare. Ndërkohë, Krye/trajneri i AN “Te Stela”, Sadik Mema, dje në bisedë me gazetën “Telegraf”, deklaroi se gjithçka është gati për këtë veprimtari. “Notojmë dhe festojmë” promovon dhe teston të gjithë notarët që ushtrohen në këtë akademi noti gjatë gjithë vitit, në grupmoshat 7-8 vjeç dhe 12-13 vjeç. Kjo garë sot, shërben edhe si një test për Kampionatin Kombëtar që do të zhvillohet në fundin e këtij muaji, ndaj sot në pishinë 25 m, AN “Te Stela”, çel “odën” e rekordeve.