Thyhen 18 rekorde kombëtare për mosha dhe kategori të ndryshme

511

“Stela”, ylli i “Takimit Mbarëkombëtar të Notit”

Nën kujdesin e FSHN, të Presidentit Agim Çiraku dhe të akademisë “Stela” nga data 22-23 dhjetor u zhvillua aktiviteti “Takimi Mbarëkombëtar i Notit” Ka qenë një aktivitet “bilanc” që ka treguar më shumë se kurrë suksesin e këtij sporti në vend që sa vjen dhe po bëhet nga më të vlerësuarit. Më shumë se 150 notarë të kategorive A, B dhe C dhe të inkuadruar në 7 ekipeve kanë performuar shkëlqyeshëm këtë fundjavë duke na dhuruar spektakël dhe kënaqësi. Notarët e nivelit Miralba Sula, Paulo Priska, Spiro Goa, Kaltra Meça kanë qenë protagonistët e “Takimit Mbarë Kombëtarë”, teksa, përpos se kanë zënë vendet e para, kanë qenë madje edhe protagonistë të thyerjeve të rekordeve. Si asnjëherë tjetër nuk ka mundur “të fliste” një aktivitet noti me kaq rekorde. Një vlerësim i admirueshëm i stafeve teknike, të cilët u paraqitën në këtë aktivitet, duke na dhuruar kaq rekorde. Ekipet “Stela”, “Eagles”, “Teuta”, “Vllaznimi”, “TDS”, “Vlora Not”, dhe “Tradita” do të performonin në një garë të ashpër konkurrence si midis ekipeve ashtu edhe midis notarëve të së njëjtit ekip. Ashtu sikurse pritej, 10-vjeçarja e ekipit “Stela”, Kaltra Meça thyen 4 rekorde dhe nuk do mungonte që në këtë aktivitet, duke qenë një nga protagonistet kryesore të aktivitetit. “Stela” e aktivitetit do të përformonte përtej pritshmërie, duke dhënë një sinjal shprese se, së shpejti ajo do të jetë e ardhmja e notit shqiptar. Ashtu si i vëllai Klavio Meça që ka dalë nga Akademia e Notit “Stela” dhe që konkurron sot me ngjyrat shqiptare në USA, ashtu edhe pritshmëria e kësaj notareje talent mund të jetë përtej rekordeve të të vëllait. Ndërsa Miralba, kjo hirushe e notit, e ardhur enkas nga Athina për të marrë pjesë në këtë event kombëtar do të shkëlqente dhe me pikët e llogaritura do të klasifikohej më e mira e këtij aktiviteti. Shqiponjat e “Eagles” kanë fluturuar lart. Me një notar të kalibrit superior si Paolo Priska apo Sonja Kapedani dhe Flavio Kora, shqiponjat janë një “rrezik” serioz i lëkundjes së superfuqisë “Stela”. Me parametra inkurajues u paraqit edhe ekipi i Teutës, i cili krahas masivizimit me pjesëmarrjen e notarëve në shumicën e disiplinave dhe të baterive do të nxirrte edhe një nga më të mirët e këtij aktiviteti sikur ishte Spiro Goga. Djaloshi durrsak bëri një paraqitje të shkëlqyer teksa gjyqtaria e vlerësoi me meritë si një nga tre më të mirët e këtij aktiviteti.

Në bazë të llogaritje të pikëve kupën e notarëve më të mirë të aktivitetit i merituan

  • Miralba Sula Femra, (Ekipi Stela) Kategoria A dhe B
  • Paolo Priska Meshkuj (Ekipi Eagle) Kategoria A
  • Spiro Goga Meshkuj (Ekip Teuta) Kategoria A

STELA fituesja e Kupës për femra dhe meshkuj

Për renditjen ekipore Ekipi “Stela” fiton Kupën e “Takimit Mbarëkombëtar të Notit” për femra dhe meshkuj si dhe për të gjitha kategoritë

Rekordet :

Endi Kola (Stela) M Kat B (10-12 vjeç) stili 200 m flutur rekordi 2’34’’53, ishte 2’41’’99

Kaltra Meça (Stela) F Kat C (9-10 vjeç) 400 m mix rekordi 5’52’’91 ishte 6’12’’20

Kaltra Meça (Stela) F Kat C 200 m bretkosë rekordi 3’26’’89, ishte 3’30’’84

Kaltra Meça (Stela) F kat C (9-10 vjeç)100 m flutur rekordi 1’19’’16, ishte 2’20’’56

Kaltra Meça (Stela) F kat C (9-10 vjeç) 800 m stil i lirë rekordi 10’51’’13

Ared Ruçi (Stela) M Kat A (15-16 vjeç) 400 mix rekordi 5’14’’60 ishte 5’’21’’34

Jona Thomai (Stela) F kat B (11-12 vjeç) 100 m shpinë rekordi 1’12’’89 ishte 1’14’’13

Elio Veli (Stela) M Kat A (11-14 vjeç) 100 m shpinë rekordi 1’05’’09 ishte 1’05’’44

Elio Veli (Stela) M Kat A 11-14 vjeç 200 m shpinë rekordi 2’20’’46, ishte 2’26’’50

Ergi Veli (Stela) M kat A 11-14 vjeç 100 m shpinë rekordi 1’01’’87 ishte 1’01’’96

Ergi Veli (Stela) M kat A 11-14 vjeç 200 m shpinë rekordi 2’12’’76, ishte 2’13’’44

Thoma Duni (Teuta) M Kat A 100 m shpinë rekordi 1’00’’55, ishte 1’01’’96

Thoma Duni (Teuta) M Kat A 200 m shpinë rekordi 2’11’’35, ishte 2’13’’44

Hubert Çurçia (Stela) M Kat A 50 m flutur rekordi 28’’87 ishte 29’’06

Paolo Priska (Eagles) M Kat A 400 m stil i lirë, rekordi 4’31’’00 ishte 4’31’’26

Paolo Priska (Eagles) M Kat A 800 m stil i lirë, rekordi 9’20’’57, ishte 9’23’’22

Sara Dande (Stela) F Kat C 800 m stil i lirë , rekordi 10’51’’13, ishte 10’11’’52

Mirëalba Sula (Stela) F, Kat A 50 m flutur, rekordi 30’16” ishte 30’79”

Sadik Mema/Trajner i Ekipit “Stela”

Ishte një aktivitet që ne e kishim përgatitur si në pjesëmarrje ashtu edhe në mbulimin e të gjitha baterive. Patjetër që jam i kënaqur sepse të thyesh 14 rekorde nga një ekip është një tregues që flet, se e kemi vlerësuar dhe punuar mirë aktivitetin. Në përgjithësi ekipi reagoi brenda pritshmërie, edhe pse “koha” e rekordeve nuk është tani, por mbas marsit, përsëri treguam seriozitet dhe rezultate. Grupi notarëve tanë është i madh dhe cilësor, por padyshim notarët Kaltra Meça, Endi Kola, Miralba Sula, Rei Mullai, Sara Dunde, por edhe dy motrat Erla dhe Elisa Kacurri janë një e ardhme e sigurt e notit shqiptar.

Eduart Cane/President dhe trajner i Ekipit Eagle

Trajneri Eduart Cane është një “prurje” e re e notit shqiptarë. Me një eksperiencë të zhvilluar në Greqi, ku trajneri ka konkurruar si notarë dhe si trajner me ekipet e Athinës, do të vinte në atdhe me shpresën e mirë që atë eksperiencë që kishte fituar për 10 vjet në Greqi ta përcillte në vendin amë. Nuk ka më shumë se 1 vit që ka ngritur ekipin “Eagle” dhe rezultatet janë prezent. 28-vjeçari i trajnimit të ekipit “Eagle” në një prononcim enkas për Gazetën “Telegraf” do të shprehej: “Është një takim interesant, sepse përveç të tjerave certifikon edhe punën tonë të këtij viti. Mendoj se FSHN duhet të vazhdojë të organizojmë sa më shumë evente të tilla, sepse këto na mbajnë në tonus dhe na tregojnë ecurinë e notarëve. Për aktivitetin aktual, besoj se jemi paraqitur denjësisht, këtë e vlerësoj si në pjesëmarrje në disa disiplina dhe me përfaqësi notarësh por edhe në disa rezultate që janë përtej pritshmërisë tonë, çka tregojnë së jemi në rrugën e duhur. Nuk dua të veçoj emra, por gjithsesi duke qenë se Paolo Priska është një nga 3 notarët më të mirë të aktivitetit e kam të drejtën ta veçoj.”

Një punë e shkëlqyer u bë nga grupi organizator dhe ai i gjyqtarëve që në drejtimin e kryegjyqtarit me eksperiencë Emin Lisku dhe stafit të gjyqtarisë me z Bashkim Martiri, Robert Spahiu, Arben Duka, znj. Vjollca Hazisllari, Nevila Hatibi, Sonila Sulejmani, Luljeta Ndoja, Silva Temi, Pranvera Martini, Zana Begolli, Argi Hazisllari dhe padyshim “babait” të notit dhe të Akademisë “Stela” z. Sadik Memës (Pupi), të cilët me profesionalizmin dhe eksperiencën e tyre bërën që aktiviteti të ecte në normalitet dhe pa asnjë rast kontestimi.