Sadik Mema: Kujtuam kohët e para viteve ’90

856
Sigal

Sadik Mema: Kujtuam kohët e para viteve ’90-të, erdhën nga e gjithë Shqipëria

Organizatorë të aktivitetit “Takim Mirënjohje – Gjithmonë Kampion” ishte Sadik Mema dhe Dritan Mezini. Mema, në një intervistë për Telegraf, ka treguar jo vetëm qëllimin e këtij aktiviteti. Por dhe simbolikën e saj, ndërsa është një shkundje për të rinjtë shqiptar, të cilët kanë se çfarë të përfitojnë prej këtyre veteranëve. Një pjesë janë aktivë duke qenë se trajnojnë të rinjtë e sotëm, kurse një pjesë tjetër janë larg notit. Por kur hidhen në pishinë, ata janë përsëri kampionë dhe rekordmen. Ndaj dhe Mema i bën thirrje të rinjve të kthejnë kokën nga ata që e kanë zhvilluar notin përpara tyre. Ja dhe intervista e plotë e trajnerit Sadik Mema, që në fakt ka dhe rolin e krye/trajnerit tek “Te Stela”

Zoti Mema, takimi i brezave rikthehet për të disatën herë, ose më saktë brenda një viti. Cili ishte qëllimi i këtij takimi?

“Qëllimi i këtij takimi ishte se vlerësojmë punën e ish-notarëve dhe trajnerëve të para viteve 90, të cilët kanë notuar dhe kanë arritur rezultate të larta në sportin e notit, pavarësisht konditave jo të përshtatshme që kishin në atë periudhë. Natyrisht, që erdhën nga e gjithë Shqipëria, ndërsa ne kishim përgatitur rreth 20 kupa, duke vlerësuar për çdo rreth ish-notarët më të dalluar. Ishte një takim i bukur, ndërsa pati dhe një garë kontrolli, kjo përveç çmimeve që ne dhamë.”

 

Të gjithë këta veteranë të notit shqiptar, sa janë model për notarët e sotëm?

“Një pjesë e mirë vazhdon të punojë. Dhe duke qenë në marrëdhënie me punën vazhdojnë të përçojnë atë frymë me të cilën ne jemi edukuar, atë pasion që ne kemi pasur për sportin. Dhe mendoj që një rol i veçantë është dhe ky. Kurse pjesa tjetër janë sportistë që kanë qenë, janë marrë me notin, kanë qenë edhe trajnerë dhe më vonë ndoshta janë larguar për një arsye, apo një tjetër. Megjithatë, si asnjëherë tjetër, kishin ardhur shumë nga e gjithë Shqipëria. Edhe nga Lezha, Pogradeci, Elbasani. Kjo përveç rretheve kryesore si Saranda, Vlora, Durrësi, Shkodra, të cilat e kanë traditë notin si sport. Për mua ishte një aktivitet i bukur.”

 

Së fundi, e njohin të rinjtë e sotëm historinë e notit shqiptar?

“Ky ndoshta ka qenë dhe mbetet një nga qëllimet tona. Pra, të promovojmë punën, të promovojmë sakrificat, të promovojmë dëshirën për t’u marrë me sport. Aq më tepër me notin, që është sport i bukurisë dhe i shëndetit.”