Sadik Mema: Kemi tjetër sistem organizimi, ndaj jemi kampionë

147

Kryetrajneri i Stelës shpjegon punën gjithëvjetore, por dhe atë që mund të pritet nga katër sportistët të cilët do të jenë përfaqësuesit e Shqipërisë në Kampionatin Botëror në Korenë e Jugut

Stela që në garat e paradites ka qenë e sigurtë për trofetë e saj, teksa ishte në vendin e parë për të reja, të rinj, të rritur dhe të rritura. Kishte një diferencë të ngushtë pikësh me Eagles tek të rriturit, ndaj dhe Mema, për gazetën “Telegraf”, nuk është ngutur në përfundimet e tij. Kjo edhe ndoshta për të “prishur syrin e keq”, por dhe për të ruajtur gjithçka deri në fund. Nëse janë kampion, Mema e shpjegon me punën gjithëvjetore që bëhet në këtë klub, atje ku nga shumë fëmijë vjen masiviteti, por dhe cilësia e rezultatet e duhura. Sa për Botërorin, edhe kryetrajneri i Stelës ka qenë i mendimit që ky kampionat nuk mund të ishte testim për përfaqësuesit e Shqipërisë, sepse testet kanë javë që kanë përfunduar. Por gjithsesi ai shpreson që të vijnë të katër, dy djem dhe dy vajza, me rezultate të përmirësuar, që më pas përbëjnë rekord për Shqipërinë.

– Stela në vendet e para me të rejat, të rriturat, të rinjtë dhe të rriturit. Në një farë mënyre e kishit parashikuar në këtë mënyrë kështu këtë kampionat?

– Në një farë mënyre kisha parashikuar të rinjtë, të rejat dhe të rriturat. Tani ende nuk ka përfunduar asgjë, kështu që nuk mund të pretendoj, apo të parashikoj. Unë nuk e kam as mbarë të parashikoj suksesin. Të presim ka dhe dy seanca, sot paradite dhe pasdite, dhe pastaj të shohim.

– Megjithatë vazhdoni të jeni dominues në notin shqiptar, kjo në kuptimin e plotë të fjalës…

– Që të jesh dominues do të thotë që punon, seleksionon. Në përgjithësi besoj se po punohet shumë mirë në disa klube. Megjithatë, ashtu sikurse e kam thënë dhe herë të tjera, ne kemi disa mundësi më shumë se disa klube, sepse kemi një sistem të organizuar ndryshe, më të plotë dhe më me shumë fëmijë. Kështu që të gjitha këto tregues na kanë çuar në këto rezultate.

– Pas pak ditësh nis Kampionati Botëror i notit në Korenë e Jugut. Në fakt a duhet të ishte ky kampionat një test për kandidatët që do të shkojnë atje?

– Zakonish këto teste bëhen muaj përpara, nuk lihen për dy-tre javë përpara sepse çdo gjë përfundon dhe ka afatet e caktuara. Me sa kam dëgjuar janë përzgjedhur notarët më të mirë. Tani të shikojë. I uroj suksese në kuptimin që inshallah dalin mirë, sepse është një aktivitet madhor dhe është si hap i rëndësishëm për pjesëmarrjen në Olimpiadë. Kështu që uroj të shkojë mirë.

– Çfarë duhet të presim prej tyre në Korenë e Jugut?

– Nuk besoj se do të presim. Rëndësi ka të konkurrojnë dhe të përmirësojnë rezultatet e veta e të mos jenë inferior ndaj më të fortëve. Nëse përmirësojnë rezultatet ato do të jenë rekord për Federatën dhe për notin shqiptar. Kështu që këtë uroj të arrijnë.