Nisi sot në orën 10:00 “Te Stela” takimi i mirënjohjes “Gjithmonë Kampion”, në nderim të veteranëve të notit

169

Ditën e sotme në orën 10:00 zhvillohet në pishinat e Akademisë “Te Stela” aktiviteti “Gjithmonë Kampion”

Takimi i Mirënjohjes “Gjithmonë Kampion”, nderim për veteranët që bënë historinë e notit shqiptar

Noti shqiptar nderon ditën e sotme, figurat e shquara që kanë bërë historinë e këtij sporti ndër vite. Gjatë paradites së sotme, duke nisur prej orës 10:00, “Te Stela” Resort mirëpret me dhjetëra veteranë nga Durrësi, Vlora, Saranda, Tirana, Pogradeci, dhe të ekipeve si Partizani, Studenti, Dinamo etj., në takimin e mirënjohjes “Gjithmonë Kampion”. Ky aktivitet organizohet nga “Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit shqiptar” dhe kryetari i saj Sadik Mema, me mbështetjen e veçantë dhe gjithnjë të pranishme të Presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku. Eventi i sotëm do të bëjë dhe njëherë bashkë ata sportistë që i dhanë vlera dhe traditë notit shqiptar, duke mbetur pika referimi për sportistët e rinj sot dhe ata që do të vijnë në të ardhmen. Gjatë aktivitetit do të nderohen me kupa të mirënjohjes disa prej notarëve më të dalluar para viteve 90, të cilët vazhdojnë të japin kontributin e tyre në mënyrë aktive në promovimin, dhe zhvillimin e sportit të notit në Shqipëri dhe më tej. E veçanta e këtij takimi do të jetë nderimi me kupën dhe certifikatën e veçantë mirënjohjeje për ish-notarin e shquar Mirban Kadiu (pas vdekjes). Kryetari i shoqatës së veteranëve të notit dhe njëkohësisht kryetrajneri i akademisë “Te Stela” Sadik Mema është shprehur, se veteranët e ujit, një pjesë e të cilëve i ka kaluar të 80-tat, “mezi po presin që takohen njëri me tjetrin. Kanë mall dhe nostalgji. Derdhin lot kur përqafohen dhe shtrëngojnë në gjoks njëri tjetrin, duke kujtuar rininë e tyre, startimet e tyre të bujshme dhe shumë tërheqëse për kohën.” Gjithashtu, “Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit” ka përgatitur medaljet e Mirënjohjes dhe Kupën simbolike të Mirënjohjes, për këtë brez të artë dhe për këtë histori të gjallë të notit shqiptar.

Programi i aktivitetit:

Vendtakimi: Akademia e Notit Te Stela
9:30 – 10:30     Takim i mirëseardhjes
10:30 – 11:30   Fjalë përshëndetëse, dhe ndarja e kupave të mirënjohjes
11:30 – 11:45   Përgatitja për garë
11:45 – 12:45   Garat e notit
12:45 – 13:00   Vlerësimi i fituesve
13:00 – 15:00   Organizimi i drekës së aktivitetit