Maratona Kombëtare e Notit/ Presidenti Çiraku: Maratona Joniane me fllad vjeshte

1320
Sigal

Nesër në Sarandë zhvillohet Maratona Kombëtare e Notit, marrin pjesë të gjitha grupmoshat dhe veteranë nga e mbarë Shqipëria. Flet për “Telegraf” Presidenti i FSHN-së

AGIM ÇIRAKU

Maratona do jetë një gumëzhitje e notit shqiptar me fllad vjeshte

Nga Agron KAJA

Sot do të “zbarkoni” në Sarandë për zhvillimin e Maratonës së Notit 2018, të dielën datë 9 shtator, si janë përgatitjet në FSHN?

Së pari, më duhet të falënderoj Bashkinë e Sarandës dhe Kryetaren Floriana Koka, me të cilët kemi bashkëpunuar seriozisht, jo vetëm për këtë Maratonë Kombëtare të Notit. Edhe klubi sportiv shumësportësh “Butrinti” është një mbështetje serioze për këtë event kombëtar.

Pse pikërisht në Sarandë e organizoni këtë Maratonë të Notit në Shqipëri?

Tashmë kjo veprimtari është traditë në këtë qytet bregdetar dhe ne si federatë ndjehemi të respektuar me bashkëpunimin që na është ofruar. Saranda është “djepi” i notit shqiptar ndër vite, dhe kjo Maratonë mbetet një vlerë e shtuar që sporti i notit e bart, nga krijimi i tij e deri më sot.

Cilët do të jenë pjesëmarrësit në këtë Maratonë, që do të notojnë në detin Jon nesër?

Kjo Maratonë nuk do të jetë një garë e thjeshtë vetëm për profesionistët, sepse ajo është konceptuar si një garë masive, në të cilën do të marrin pjesë të gjitha grupmoshat e sportit të notit, si dhe veteranë të këtij sporti. Ndaj presim që të ketë garë, por edhe argëtim.

Shërben kjo Maratonë edhe si një pikë takimi të brezave të notit në Shqipëri?

Patjetër që po. Në këtë Maratonë, e cila është e teta që organizohet, notarët tregojnë shumë nostalgji, dhe kur takohen, tregojnë respekt ndaj njeri-tjetrit. Por, edhe brezat e rinj alternojnë me veteranët kulturën e garimit, njëherësh prekin edhe historinë e emrave të sportit të notit.

E veçanta e organizimit të kësaj Maratone, është edhe pjesëmarrja e veteranëve të notit shqiptar?

Natyrisht, dhe unë e vlerësoj pjesëmarrjen e shumë veteranëve të notit në Shqipëri, të cilët jo vetëm që do ta zbukurojnë këtë veprimtari, por do t’u tregojnë brezave se ky sport meriton vlerësim e respekt. Kjo mbetet edhe si një vlerë, që ky sport i bukur u ka kultivuar brezave.

Po Shoqata e Veteranëve të Notit, sa ka bashkëpunuar me ju për këtë Maratonë?

Shoqata e Veteranëve të Notit ka bërë një punë shumë të mirë në organizimin e kësaj maratone. Janë shumë emra të këtij sporti, që sot, edhe pse me thinja sfidojnë çdo tregues moshe dhe moment për të qenë në Sarandë. Falë tyre, Maratona do jetë një gumëzhitje me fllad vjeshte. Garë dhe argëtim.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë pjesëmarrësit e kësaj Maratone të Notit në Shqipëri?

Në radhë të parë, unë do të dëshiroja që në këtë Maratonë të ketë pjesëmarrje sa më të gjerë. E natyrisht që do të uroj një garë të mbarë për të gjithë, shumë respekt për pushtetin vendor që na e bëri më të lehtë organizimin e kësaj Maratone Kombëtare të Notit.