Kryegjyqtari Emin Lishi: Fëmijët treguan progresin e notit shqiptar

2296
Sigal

Si ka vijuar ecuria e garave në ditën e parë të këtij Kampionati Kombëtar për Fëmijë?

Me sa pamë në ditën e parë, garat u zhvilluan me korrektesë, seriozitet e rivalitet. Kjo tregon se nga trajnerët e notarët pjesëmarrës, përgatitjet janë bërë serioze. Ky është eventi i vetëm vjetor i kësaj moshe në pishinë të hapur 50 m, ndaj dhe pritshmëritë janë të larta.

Dje kishte një mot të vërejtur dhe me pak reshje shiu, sa ndikuan kushtet atmosferike në vijueshmërinë e garave?

Unë deklaroj me përgjegjësi profesionale, se kushtet e djeshme atmosferike nuk dhanë ndikim në rezultatet që u arritën nga notarët. Madje me ritmikën e zhvillimit të garave, notarët e sfiduan realisht motin, dhe kjo është e veçanta që lidhet edhe me seriozitetin e tyre.

Po masat organizative nga FSHN-ja, ishin në sinkron me rezultatet që arritën dje notarët?

Në fakt, janë masat organizative ato që të japin shtysë për të synuar më të mirën në çdo garë. Dhe jo vetëm për notarët, por edhe gjyqtaria e ka pasur më të lehtë punën e saj, nisur nga organizimi i mirë që FSHN-ja i ka bërë kësaj veprimtarie.

Ju përmendët edhe gjyqtarinë, kishte ndonjë të veçantë në aktivizimin e tyre?

Së pari, gjyqtarët që dje e nisën këtë event, ishin të trajnuar mirë, ky është treguesi i parë. Ndërsa e veçantë është se në këto gara janë aktivizuar edhe 4 gjyqtarë ndërkombëtarë, që natyrisht e risin cilësinë e gjykimit në këto gara.

Për nga pjesëmarrja, duket në pritshmëritë më të mira ky Kampionat, krahasuar me vitet e kaluara?

Nëse krahasojmë notin shqiptar sot, me atë të katër apo pesë viteve më parë, treguesit janë shumë cilësorë, të themi në shumë aspekte. Kështu edhe në pjesëmarrje, ku jo vetëm në këtë veprimtari, por në të gjitha që ka organizuar FSHN-ja e kësaj periudhe, standardet janë në rritje të ndjeshme.

Nesër (sot), nuk do të zhvillohen garat për shkak të motit me reshje shiu, ju e gjykoni të drejtë shtyrjen?

Patjetër që ishte normale shtyrja, sepse në të tilla kushte dhe për moshën që garonte, moti nuk të favorizonte garë normale. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim te notarët, sepse ata janë të vetëdijshëm për kushtet atmosferike jo favorizuese për garë.

Kaltra Meça: Prisja kohë më të mirë në këtë rekord

Gara e 400 m stil i lirë për femra, e çeli dje Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve. Në Kategorinë C garoi notarja e AN Te Stela, Kaltra Meça, e cila e thye rekordin Kombëtar të kësaj kategorie. “Unë e përmirësova rekordin Kombëtar në 400 m stil i lirë me 10.39 sekonda, por synimi im ishte për kohë më të mirë, sepse do të merrja më shumë pikë FINA. Gjithsesi, nëse garat do të zhvilloheshin në dy ditë, në këtë hapësirë unë shpresoja që të përmirësoja kohët, pse jo edhe të thyeja rekorde të tjerë. Në datën 11 korrik që do të zhvillohen garat e ditës së dytë të këtij kampionati, unë premtoj se do të ketë rekorde të reja prej meje”, kështu theksoi dje notarja e AN Te Stela, Kaltra Meça.

Grejsi Koxhaku i AN Te Stela: Dje nuk arrita synimet, sot pres rekorde

Notari 12 vjeçar i AN Te Stela, Grejsi Koxhaku, edhe pse u rendit i pari në garën e 400 m stil i lirë për Kategorinë C/ meshkuj, ai nuk ishte plotësisht i kënaqur me kohën që arriti. Për gazetën “Telegraf”, Grejsi deklaroi se garat dje ishin të bukura, por se ai sot ka pritshmëri më të larta. “Nuk e di se si erdhi situata gjatë garës, por sot (dje) nuk isha në gjendjen time më të mirë në garë. Nuk mund të them se ndikuan faktorët e motit, por do tu deklaroja se nesër (sot), në garat që do të zhvilloj, do ti përmirësoj të gjitha kohët, e mes tyre do të ketë Rekorde Kombëtare”, kështu theksoi dje kampioni i AN Te Stela, Grejsi Koxhaku.

Rekordet Kombëtare dje

E mërkurë, 27 qershor 2018

400 m stil i lirë F/ Kategoria B

Vivian Xhemollari (Tradita)

Rekordi 4:56.91-Ishte 5:07.69

400 m stil i lirë F/ Kategoria C

Kaltra Meça (Te Stela)

Rekordi 5:29.06-Ishte 5:41.45

200 m stil flutur F/ Kategoria B

Vivian Xhemollari (Tradita)

Rekordi 2:45.96-Ishte 2:53.88

(Garoi jashtë gare)

 

AKTIVITETET KOMBËTARE 2018

Janë zhvilluar:

  1. Kampionati Kombëtar Dimëror i Fëmijëve në pishinë 25 m, 17-18 mars 2018.
  2. Kampionati Kombëtar Dimëror për të Rinj, të Rritur dhe veteranë në pishinë 25 m, 21-22 prill 2018.
  3. Takim Ndërkombëtar i Notit në pishinën 50 m, 8-10 qershor 2018 në Durrës.
  4. Kampionati Kombëtar i Fëmijëve në pishinën 50 m, 27 qershor 2018 (U ndërpre).

Do të zhvillohen:

  1. Kampionati Kombëtar i të Rinjve, të Rritur e Fëmijë në pishinën 50 m, datë 11-12-13 korrik 2018.
  2. Kupa e Shqipërisë, 1-2 shtator 2018.
  3. Maratona Kombëtare, 9 shtator 2018.
  4. Takim Mbarëkombëtar i Notit në pishinën 25 m, 22-23 dhjetor 2018.