Gjergji Ngresi: Teuta është mikpritëse dhe garuese në këtë Ndërkombëtar, por Kledi Kadiu do bëjë surprizën

1867
Sigal

Nga Agron KAJA

NOT-NDËRKOMBËTARI/ Në prag të veprimtarisë ndërkombëtare “Kupa e Teutës 2018”, në të dyja skuadrat durrsake, të cilat janë në përgatitjet e tyre maksimale, flasin dy trajnerët

Jemi në ditën e tretë të javës në vazhdim, e cila në fundin e saj do të kulmojë me zhvillimin e veprimtarisë ndërkombëtare “Kupa e Teutës 2018”, në datat 8, 9 dhe 10 qershor në pishinën “Taq Dafa” të Durrësit. Gjatë këtyre ditëve parapërgatitore, në ekipin e Teutës që drejtohet nga trajneri Gjergji Ngresi, stërvitja ka vazhduar me ritëm me dy seanca në ditë. “Aktiviteti është i madh, dhe ka ditë që Bashkia dhe Klubi Shumësportësh “Teuta” kanë një angazhim shumë të madh për këtë event. Ne sa po kemi nisur përgatitjet tona në pishinën 50 m, dhe ende notarët nuk janë në formën më të mirë. Ishim përgatitur që kjo veprimtari të zhvillohej në muajin korrik, që të kishim më shumë hapësirë përgatitore, por edhe kështu, në pritshmëritë tona do të ketë rezultate të larta edhe nga notarët e Teutës”, kështu deklaroi dje për gazetën “Telegraf” trajneri i notit të Teutës, Gjergji Ngresi. Për Teutën e Durrësit do të garojnë 15 notarë (5 femra dhe 10 meshkuj), dhe për Ngresin, pretendimet janë të mëdha, edhe pse notarët nuk e kanë marrë ende formën më të mirë. “Për këtë aktivitet të madh, ne si Teutë presim rezultate shumë të mira, thënë më qartë kemi pretendime nga: Frenc Bërdaku në garat 400, 800 dhe 1500 m stil i lirë, nga Kledi Kadiu, një talent ky, notari më i mirë i të gjitha kohërave për moshën deri në 15 vjeç. Kledi premton shumë në garat 50 m Bretkosë, 50 m stil i lirë, dhe në 100 e 200 m stil i lirë. Teuta pretendon për rekorde e vende nderi edhe me notarët Aleksandër Ngresi në garat 100 m stil i lirë dhe 100 m stil shpinë, si dhe Sipro Gogën që do të garojë në 400-800-1500 m stil i lirë”. Por Gjergji Ngresi në cilësinë e trajnerit të Teutës në not, tregoi dje se edhe atmosfera ka filluar të ndjehet, sepse në këtë pishinë ka ditë që përgatiten notarë nga Shqipëria e Kosova. “Ne kemi bërë ndryshime në përshtatje edhe me kohën, dhe tani jemi duke zhvilluar përgatitje më cilësore. Këtu do të veçoja edhe mbështetjen e Bashkisë së Durrësit, Federatën Shqiptare të Notit me trajnimet që ka bërë këtu në Shqipëri dhe në Evropë. Fjala e fundit për ne si durrsakë mbetet në tri ditët e garave të “Kupa e Teutës 2018”, sepse duke qenë në shtëpinë tonë, duam të tregojmë se traditën e këtij sporti në Durrës, po mundohemi ta mbajmë të gjallë”, kështu përfundoi bisedën e tij me gazetën “Telegraf”, trajneri i notit të Teutës së Durrësit, Gjergji Ngresi.

Këtë vit, kjo veprimtari është quajtur “Kupa e Teutës 2018”, e cila mbështetet edhe nga Bashkia e Durrësit. E duke qenë në shtëpinë tonë, duam të tregojmë se traditën e këtij sporti në Durrës, po mundohemi ta mbajmë të gjallë atë