Bujar Qesja: Në datën 18 maj, zhvillohet Tek Stela Kupa e veteranëve të notit, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për sportistët që bënë historinë e notit shqiptar

266

Me 18 maj 2019 tek Stela, “Shoqata kombëtare e veteranëve të notit shqiptar” dhe kryetari i saj Sadik Mema mirëpresin veteranët e notit si dikur në start

“Kupa e Mirënjohjes” vlerë dhe respekt për historinë e notit shqiptar

Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh

Akademia e Notit te Stela, është promotore e shumë veprimtarive kombëtare të notit. Ajo po përgatitet me shumë përkushtim, për një tjetër event. Me 18 maj 2019, në këtë kryeqendër të notit, vijnë me dhjetëra e dhjetëra veteranë nga Durrësi dhe Shkodra, nga Tirana dhe Saranda, nga Vlora dhe Lezha, Pogradeci dhe Elbasani, nga Studenti, Partizani dhe Dinamo, ekipe të cilat kanë pasur një not të përparuar vite të shkuara.

Cili është Sadik Mema?

Me cilësinë e kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Veteranëve, kryetrajneri i akademisë së notit “Te Stela”, mjeshtri i shquar i notit, ndër specialistët më në zë të sportit të ujit në Shqipëri, Sadik Mema, po më fliste këto ditë me shumë dëshirë dhe pasion, për të shtunën e 18 majit 2019. Duke ia kushtuar jetën notit dhe përgatitjes së talenteve të reja tek “Te Stela”, Mema mbetet shumë i ndjeshëm jo vetëm ndaj talenteve të reja, por edhe ndaj atyre notarëve që bënë historinë e notit shqiptar. I prekur thellë nga humbja në nëntorin e vitit të kaluar, të mikut të tij të shkëlqyer, një kolos i notit të Teutës dhe më gjerë Mirban Kadiut, m’u lut t’i dërgoja të dhëna të hollësishme të karrierës së tij. Më parë se të dalim tek Miran Kadiu, cili është Sadik Mema? I datëlindjes 21 qershor 1954, Mema përgatitet të kremtoj 65 vjetorin e lindjes. Mbetet një shtyllë e fuqishme i notit shqiptar, pasi e gjithë jeta e tij është e lidhur ngushtësisht me sportin e ujit. Provoi të angazhohet e notin që në vogëli, për të dominuar në vitet 70-të garën e delfinit, ku disa herë është kampion dhe rekordmen i vendit dhe i inkuadruar me meritë, në elitën e notarëve më të mirë. Sadik Mema mbetet një intelektual aktiv i notit, i formuar dhe kompletuar në teori pasi mbaroi studimet e lartë në Universitetin e Sporteve dhe në praktikë, teksa mori përsipër përgatitjen kualifikuese të notarëve të çdo lloj moshe. Kohë më parë botoi edhe librin “Gjimnastika aerobike për të gjithë”. Sadik Mema nga fundi i viteve 70-të e deri tani, merret me trajnimin e notarëve, duke përjashtuar periudhën 1992-2000, kur drejtoi Federatën Shqiptare të Notit në pozicionin e sekretarit. Trajner i të rinjve të Dinamos, më pas në klubin e Tiranës, për t’u caktuar në postin e kryetrajnerit, prej gati një dekade në Akademinë e njohur “Te Stela”.

Pse Bon Kadiu mbetet pikë referuese?

Kolosi i notit Mirban Kadiu, që u nda nga jeta në fund nëntorin e kaluar, është jo vetëm ndër pionierët e parë të notit shqiptar, por edhe kryetari i parë i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit. Kampionati i parë kombëtar është bërë në Durrës në vitin 1930, e për këtë arsye sa ishte në të gjallë të tij, Kadiu e quajti si detyrim moral të merrte i pari iniciativën së bashku me një tjetër shtyllë të notit Koço Afezolli (edhe ky i larguar nga jeta vitin e kaluar), të krijonte Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit. Dhe ky Mema aktiv i notit tonë, kërkon të vazhdojë traditën, m’u aty ku e la Kadiu i madh. Të dy ishin miq të ngushtë dhe largimin nga jeta të Bonit- Sadik Mema e ka ndjerë dukshëm. Durrsaku i famshëm i notit, jo vetëm lindi në det në qershorin e vitit 1933, por krijoi një nga arkivat më të mira të notit, një historik që ia vlen ta ruash dhe t’ua dorëzosh si amanet më të rinjve. Unë do të doja shumë, që Sadik Mema të bëjë ç’është e mundur dhe jam shpresë plotë edhe në ndihmesën e madhe që mund të japë presidenti aktiv i notit Agim Çiraku, që ta marrë në dorëzim këtë histori. Një ndihmesë po ua jap edhe unë. Një ekspozitë e shkëlqyer që Bon Kadiu e hapi “Te Stela” me rastin e 85 vjetorit të kampionatit të parë kombëtar të notit, është në duart e Feim Alliut. Është në nderin e Alliut, t’ia dorëzojë këtë ekspozitë pasardhësit të Bon Kadiut, njeriut më aktiv të notit, kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit, të mirit Sadik Mema.

18 maji, dita e mirënjohjes për veteranët e notit

Kam vënë re tek Sadik Mema, dy “dashuri”, dy mirënjohje, dy respekte dhe dy përulje.

Së pari, këto ai i shfaq ndaj një brezi të artë, që bënë atë që quhet historia e shkëlqyer i notit shqiptar. Dhe së dyti, ndaj një brezi të ri, që kërkon të vazhdoj traditat, pavarësisht se vështirësitë janë të mëdha. Dhe ky Mema jep shembullin i pari. Akademia “Te Stela” është një shkollë dhe përvojë e gjallë për të gjitha ekipet e notit. Me sa munden, punojnë me të rejat e notit bashkëkohor, me kushte disi të vështira, por gjithsesi me shumë zell dhe pasion. Sadik Mema po më tregonte, se veteranët e ujit, një pjesë e të cilëve i ka kaluar të 80-tat, mezi po presin që takohen njëri me tjetrin. Kanë mall dhe nostalgji. Derdhin lot kur përqafohen dhe shtrëngojnë në gjoks njëri tjetrin, duke kujtuar rininë e tyre, startimet e tyre të bujshme dhe shumë tërheqëse për kohën. Dhe Sadik Mema, ka përgatitur medaljet e Mirënjohjes, Kupën simbolike të Mirënjohjes, për këtë brez të artë, për këtë histori të gjallë të notit. Dhe padyshim Mirban Kadiu, fituesi i 38 medaljeve të vendeve të para, dominues i garave të shkurtra të notimit, por edhe për veteranë deri në moshën 75 vjeçare, mbetet figurë qendrore dhe referuese.

Nisma të tilla meritojnë të mbështeten

Jam i sigurt, që presidenti nga më aktivët i notit Agim Çiraku, si gjithnjë do të jetë në krah të veteranëve të notit, të traditave më të mira të notit kombëtar, për t’i qenë mirënjohës për angazhimin e madh të tyre, në dobi të zhvillimit dhe përparimit të notit kombëtar. Një gjë të tilla, na e pohon edhe vetë Sadik Mema. Falënderime pa masë, shpjegon Mema, për presidentin Çiraku. E kemi gjithnjë në krah dhe na përkrah për çdo nisëm që ndërmarrim. Të shprehësh mirënjohje ndaj veteranëve, ndaj atyre që bënë histori, është më shumë se një detyrë, është më shumë se sa një obligim. Në këto përpjekje të mia, nuk jam vetëm. Kam mbështetjen aktive të bashkëpunëtorit tim të ngushtë Dritan Mezini, që ka një edukatë sportive tradicionale. Por fuqishëm mbështetet edhe administratori i birra Stela dhe i resortit “Te Stela”, njeriu sportiv Stefan Pinguli. Këtë më tha ndër të tjera gjatë bisedës tonë, ndër specialistët më të aftë të notit shqiptar Sadik Mema. Mirënjohje edhe për ty Sadik Mema, që shpërndan mirënjohje tek veteranët. Veç këtij lloj shpërblimi, kësaj shtrese nuk ke se çfarë t’u japësh gjë tjetër. Ta kaloni sa më mirë, në Kupën dhe medaljet e juaja të mirënjohjes, më 18 maj 2019!