Noti, më shumë kampion të rinj e të reja, se sa të rritur e të rritura…!

1393
Gjergj Vyshka
Noti shqiptar ka më shumë kampion për të rinj e për të reja, se sa për të rritur e të rritura, teksa ky ishte dhe qëllimi final i aktivitetit më të rëndësishëm të Federatës Shqiptare të Notit. Një kampionat që në fakt duhet të ishte mbyllur që më 23-24 gusht, ashtu sikurse ishte shkruar dhe në posterin e aktivitetit tek pishinat e Akuadromit në Tiranë. Por që ka ardhur deri në 2-3 shtator, sepse pishinat janë bllokuar nga pushuesit deri më 31 gusht dhe tashmë funksionojnë thjesht si lokal dhe si kënd lojërash për fëmijët. Por çfarë ndodh? Një kampionat të rriturish, që nuk ka as Sidni Hoxhën, i cili tashmë pas dasmës është larguar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dhe as Nikol Merizajn, të dy përfaqësues të Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Madje kjo e fundit ka qenë e regjistruar për të marrë pjesë dhe në 1500 metra stil i lirë, atje ku jashtë gare ka notuar dhe Patricia Cani, e cila prej disa vjetësh studion dhe jeton në Francë.

 Dhe si këta të tre janë pjesa më e madhe e notarëve shqiptarë, të cilët vijnë deri në moshën e maturës e më pas për arsye studimesh, brenda dhe jashtë vendit, e lënë notin tek të rinjtë e të rejat. Sepse edhe duke bërë not me shpenzimet e veta, paguajnë për pishinat, për klubin e për gjithçka tjetër, duket se nuk u del me fitim për të vazhduar deri në fund të karrierës si profesionistë. Pasi dhe vetë klubet sportive, kur nuk ka më pishina shtetërore, por vetëm private, e kanë shumëzuar me zero notin si disiplinë të tyre sportive. E në të tilla kushte, ne do të kemi gjithnjë më shumë kampion të dyfishtë për të rinj e të rritur dhe për të reja e të rritura, sepse i tillë është zhvillimi i notit në vendin tonë. Përpiqen të gjithë të bëjnë not, por nuk gjejnë kënaqësi. Dhe në këtë derexhe që ka ardhur sporti shqiptar, noti është i destinuar të vuajë më shumë se sportet e tjera dhe falë përkushtimit të Federatës së Notit dhe trajnerëve të saj, që me shumë siklet arrijnë t’i mbajnë sportistët e tyre e të kenë një kampionat të mirëfilltë të rriturish dhe të rriturash. E ky fenomen nuk është i sotëm, sepse në notin shqiptar ka ndodhur kjo. 
Kampionati-Garat, ashtu sikurse ishte parashikuar dhe në kalendar, janë zhvilluar paradite dhe pasdite. Madje dje ka pasur dhe ide për ta nisur në ora 16:00 garën e pasdites, sepse ka nisur të errët dhe për rrjedhojë vështirësia e dritës krijon probleme në plotësimin e diplomave dhe të llogaritjes së pikëve. Megjithatë përfundimisht garat e ditës së dytë, teksa do të shpallin dhe kampionët, do të zhvillohen në ora 10:00 dhe në ora 16:30. Ndërkohë në konkurrim janë dhjetë skuadra, të cilat janë Stela, Tirana, Teuta, Nobis, Partizani, Tirana Delfina Sport, Butrinti, Flamurtari, Tradita, Vllaznia dhe Uillson. Për t’u evidentuar është fakti se notarë si Kejsi Delli, Alesia Neziri, Franc Bërdaku, Deni Baholli, Justin Arapaj, të cilët kanë fituar dy gara. Ajo që duket dhe është evidente është fakti se Tirana për femra dhe Teuta për meshkuj duket se janë pretendentët për titull kampion për të rritur e të rinj, të rritura e të reja. 
Pesë rekorde kombëtare në ditën e parë të garave
Janë pesë rekorde të thyera në ditën e parë të kampionatit kombëtar të të rriturve në not. Spikat ai i Deni Bahollit 50 metra bretkosë me kohën 31”12, që është për të rritur. Për të vazhduar më pas me Grejsi Koxhakun, i cili për grupmoshën 9-10 vjeç në 100 metra shpinë ka fiksuar kohën 1’22”18. Po kështu Devi Bardhi i Stelës ka dy rekorde për grupmoshën 11-12 vjeç në 400 metra stil i lirë, me kohën 1’04”91 dhe në 50 metra bretkosë me kohën 37”71. Dhe rekordi i fundit është për të reja në 200 metra shpinë nga Sonia Kapedani e Stelës me 2’45”30. 
Rezultatet teknike të Kampionatit Kombëtar të Notit 
Të rritura/Të reja
400 m stil i lirë Diana Basho (Tirana) 4’55”36
200 m bretkosë Kejsi Delli (Tirana) 3’14”44
100 m shpinë Alesia Neziri (Tirana) 1’14”63
200 m flutur Fabiola Gjata (Teuta) 3’22”16
4×100 m stil i lirë Tirana 4’44”75
200 m shpinë Sonia Kapedani (Stela) 2’45”30
100 m stil i lirë Alesia Neziri (Tirana) 1’04”98
50 m bretkosë Kejsi Delli (Tirana) 39”34
1500 m stil i lirë Fabiola Gjoka (Partizani) 22’41”41
4×100 m e përzier Tirana 5’11”15
Të rritur/Të rinj
400 m stil i lirë Franc Bërdaku (Teuta) 4’15”90
200 m bretkosë Deni Baholli (Stela) 2’29”33
100 m shpinë Justin Arapaj (Butrinti) 1’07”13
200 m flutur Spiro Goga (Teuta) 2’19”77
4×100 m stil i lirë Teuta 3’52”90
200 m shpinë Justin Arapaj (Butrinti) 2’22”31
100 m stil i lirë Binald Mahmuti (Tirana) 56”30
50 m bretkosë Deni Baholli (Stela) 31”12 
1500 m stil i lirë Franc Bërdaku (Teuta) 16’38”50
4×100 m e përzier Teuta 4’21”52
Të reja
200 m bretkosë Alesia Daja (Stela) 3’17”04
50 m bretkosë Ana Liko (Nobis) 42”50
4×100 m e përzier Te Stela 5’46”32
Sigal