Noel Borshi, paraqitje mirë në Kinë

83

Lojërat Olimpike Rinore “Nanjing 2014”. Rezultate të pëlqyeshme nga çiklistët Kopshti e Ramaliu

 Notarja Noel Borshi, një nga pesë sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat e Dyta Olimpike Rinore Verore “Nanjing 2014” që po zhvillohen në Kinë (16-28 gusht 2014) garoi dje në 200m stili flutur duke regjistruar kohën 2:23.13 në pishinën Nanjing OSC Natatorium”. Shkodrania 18-vjeçarja, e lindur në Romë dhe që banon e stërvitet në Itali, u rendit e katërta në baterinë e saj, ndërkohë që në klasifikimin e përgjithshëm ajo zuri vendin e 27-të nga 30 pjesëmarrëse, duke lënë pas notaren peruane Lizo Nolasko (2:26.44) dhe atë algjeriane Rania Hamida Nefsi (2:26.30), ndërsa kanadezja Danika Huizinga u tërhoq nga gara. Në garë morën pjesë notare nga Italia, Franca, Kina, Spanja, Gjermania, Britania e Madhe, Japonia, Australia, Hungaria, Indonezia, Koreja, Panamaja, Hondurasi, Turqia, Vietnami, Venezuela, etj.. Në fakt, koha e arritur nga flamurmbajtësja e Shqipërisë në Ceremoninë e Hapjes së Lojërave Olimpike Rinore  është disi më e dobët se rezultati më i mirë i saj, 2’21”44, i vendosur më 8 prill 2014 gjatë Kampionati Kombëtar Italian për të Rritur, aktivitet kualifikues i njohur nga Federata Shqiptare e Notit. Për Borshin ky ishte aktiviteti i katërt i saj i madh ky ajo ka marrë pjesë, pasi Noeli ka përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike Verore “Londër 2012”, Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013” si dhe në Kampionatin Botëror “Barcelonë 2014”. Gjatë një interviste dhënë për faqen zyrtare të Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, Noeli deklaroi se ajo synonte në Kinë të përmirësonte kohën e saj prej 2’21”44. por pa e bërë realitet dot këtë në Lojërat e Dyta Olimpike Rinore. Në garën 200m stil flutur vendin e parë e zuri hungarezja Liliana Szliagyi me kohën 2:06.59, e ndjekur nga kinezja Yufei Zhang (2:08.22) dhe australiania Briana Throsel (2:09.65). Aktiviteti i radhës për Noel Borshin është Kampionati Kombëtar i Notit për të Rritur e të Rinj që do të zhvillohet në Tiranë në datat 3-4 shtator 2014.

Çiklizëm

Dy çiklistët shqiptarë që marrin pjesë në Lojërat Olimpike Rinore “Nanjing 2014” arritën rezultate të pranueshme në garat që ata morën pjesë. Kështu, 17-vjeçari Ridion Kopshti, zuri vendin e 21-të nga 32 pjesëmarrës në “Road time trial” (garë shpejtësi në rrugë), duke regjistruar kohën 5:27.95. Ai la pas 11 çiklistë nga Algjeria, Guatemala, Japonia, Ukraina, Eritrea, Greqia, Namibia, Egjipti, Lesoto, Belize dhe Argjentina. Vendin e parë në sesionin kualifikues e zuri danezi Froelih Mikel Honore me kohën 5:09.44, pra +18.51 më mirë se çiklisti ynë. Në eliminatoret e “Cross-Country” (Kros-Kountri) të zhvilluara në “Laoshan Mountain Bike Course”, çiklisti durrsak Realdo Ramaliu e fiksoi kronometrin në kohën 3:21.049, duke zënë vendin e 27-të midis 32 pjesëmarrësve, duke lënë pas çiklistët nga Guatemala (Luis Godoj), Afrika e Jugut (Matje Ales Limberg), Belize (Emille Zahir Figueroa), ndërkohë që maqedonasi Jovan Jovanovski u skualifikua. Kohën më të mirë në sesion eliminator e vendosi kolumbiani Brandon Vargas Rivera (2:18.723), i ndjekur nga çeku (2:26.121). Në 1/8-ave e finaleve, Ramaliu zuri vendin e katërt në baterinë e tij me kohën 3:20.015 (gati 1.3 sekonda më mirë se në eliminator), por pa mundur të arrijë të kualifikohet për në çerekfinale (e arritën holandezi Niek Kiman dhe serbi Aleksandër Roman). Gara e tretë  Eealdo Ramaliut është sot, pikërisht në disiplinën BMX Seeding. Ai do të niset i treti nga 32 pjesëmarrës.

 Atletikë

 Shqipëria përfaqësohet në atletikë me dy sportistë, Eneda Deliun dhe Suad Bashkun. Eneda Deliu do të marrë pjesë në garat e 100m dhe 200m vijëdrejtë. Suad Bashku do të marrë pjesën në garat e kërcimit së gjati dhe në trehapësh.

 Delegacioni Olimpik Shqiptar

Realdo Ramaliu         Çiklizëm

Ridion Kopshti          Ciklizëm

Francesco Frassi        Trajner

Noel Borshi        Not

Sadik Mema              Trajner noti

Eneda Deliu        Atletikë

Suad Bashku              Atletikë

Gjergj Ruli          Zyrtar

Sabahat Kastrati        Masazhator

Kliton Muça       Staf

 Pesë olimpistët e Shqipërisë

 Shqipëria përfaqësohet në Kinë me pesë sportistë, dy çiklistë (Realdo Ramaliu dhe Ridion Kopshti), dy atletë (Eneda Deliu dhe Suad Bashku) si dhe notarja Noel Borshi (me trajner, të mirënjohurin Sadik Mema).

    Firmat në kontratë mbajnë peng Tiranën

 Kur kanë mbetur vetëm pesë ditë nga nisja e sezonit 2014-2015, Tirana duket se ende nuk është gati, edhe pse në letër skuadra ka emra tepër cilësorë. 24 herë kampionët e Shqipërisë ende kanë probleme me administrimin e klubit, pasi është e paqartë nëse atë do ta financojë 100 për qind Bashkia apo sponsorët e rinj, Halili e Morina, pavarësisht se ky i fundit ka dhënë garancitë e duhura financiare. Fakti është që, mungojnë firmat e futbollistëve, të cilët ende nuk kanë firmosur kontrata, pasi mbetet e paqartë e ardhmja e klubit. Besohet se, edhe trajneri Gugash Magani nuk ka ende një kontratë të nënshkruar me Tiranën, edhe pse tekniku peqinas po e stërvit skuadrën prej gati dy muajsh. Kështu, para ndeshjes hapëse të sezonit ndaj Apoloninë, në shtëpinë bardheblu ka disa pikëpyetje të të mëdha. Të gjithë janë në pritje të momentit kur Bashkia e Kryeqytetit të kalojë ligjërisht klubin në duart e sponsorëve të rinj (kanë 75% të aksioneve), në mënyrë që të çojë deri në fund punën e nisur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 25 qershor. Për më tepër që Tirana të regjistrohet në kampionat, duhen dërguar kontratat e futbollistëve në FSHF, por momentalisht diçka e tillë duket e pamundur. Projekti ambicioz i Tiranës së madhe rrezikon shumë, teksa gjithçka mbetet peng i veprimeve burokratike, që vënë sërish në shënjestër Bashkinë e Tiranës, e cila ka qenë objekt i protestave të ashpra nga ana e tifozerisë bardheblu në muajt e fundit, duke e vënë këtë institucion përpara përgjegjësisë si dhe detyrimit për të marrë vendimin e duhur.

 Europa, synimi tradicional i Laçit

 Kampionatet i lënë vend njëri-tjetrit, ndërkohë që synimet e Laçit mbeten të njëjta: pjesëmarrja në Ligën e Europës, atje ku kurbinasit kanë pjesë tri herë në katër edicionet e fundit. Pikërisht këtë objektiv ka dhe trajneri Armando Cungu, njeriu që i siguroi kualifikimin historik Kukësit me tre ture të kaluara në Ligën e Europës (2013-2014). Pasuesi i Stavri Nicës po ndjek të njëjtën skemë si të shumë skuadrave të tjera të Superligës: pra rreshtimin taktik 4-2-3-1, duke ndryshuar shumë pak në këtë aspekt skuadrën. Pa ish-kapitenin Vucaj për herë të parë pas 5 viteve, Laçi do të zbresë në fushë me skuadrën që u prezantua në Europë. Në formacionin titullar pritet të jenë 4 blerje të verës, edhe pse për mbrojtësin Doku bëhet fjalë për një rikthim. Në portë do të jetë ish-portieri i Vllaznisë malazezi Miroslav Vujadinoviç. Në qendër të mbrojtjes do të jenë veterani Sheta dhe kroati Stipe Buljan i cili do të nisë sezonin e 5 tek bardhezinjtë. Në krahun e majtë pritet të jetë Cela ndërsa në të djathtë i rikthyeri në ekip mbrojtësi Doku. Përpara mbrojtjes pritet të jenë Zefi dhe Teqja, të cilët do të kenë më shumë detyra organizative. Ndërkohë në majën e sulmit do të jetë nigeriani Xhejms. Në mbështetje të 22 vjeçarit do të jenë Nimani në të djathtë, Sefgjini në të majtë dhe Veliaj në qendër, që pritet të jetë lojtari asist tek Laçi. Megjithatë në një sezon të gjatë formacioni pritet të ndryshojë, duke pasur parasysh se në përbërje Laçi ka edhe futbollistë të tjerë si Sefa, Mojo apo dhe Cetkoviç. Edicionin e kaluar, Laçi u rendit në vendin e tretë duke siguruar një biletë në Europë, teksa kaloi edhe një tur në Ligën e Europës pas eliminimit të sllovenëve të Rudar Velenjë, por të turin e dytë u eliminua nga ukrainasit e Zorja Luhanskit.

 Dash FRASHËRI