Noel Borshi: “Në Kinë, për një kohë të re”

1084
Sigal

 Notarja e talentuar do të marrë pjesë Lojërat e Dyta Olimpike Rinore Verore “Nanjing 2014”

 Notarja Noel Borshi është një nga pesë sportistët që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat e Dyta Olimpike Rinore Verore “Nanjing 2014”, të cilat do të zhvillohen në Kinë në datat 16-28 gusht 2014. Shkodrania 18-vjeçarja e lindur në Romë dhe që banon e stërvitet në Itali do të marrë pjesë në 200m flutur, ku vetëm para pak muajsh ajo vendosi kohën me rezultat të lartë 2’21”44, të vendosur më 8 prill 2014 gjatë Kampionati Kombëtar Italian për të Rritur, aktivitet kualifikues i njohur nga Federata Shqiptare e Notit. Noel ka përvojë në garat e mëdha ndërkombëtare, pasi ajo ka përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike Verore “Londër 2012”, Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013” si dhe në Kampionatin Botëror “Barcelonë 2014”. Gjatë një interviste dhënë për faqen zyrtare të Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, Noeli deklaroi se ajo synonte në Kinë të përmirësonte kohën e saj prej 2’21”44. Notarja Borshi ka vijuar stërvitjen në Itali, për shkak të kushteve më të mira stërvitore

 – Noel, kush është trajneri juaj?

– Paolo Melchiori.

– Në cilin vit ka filluar ai t’iu stërvitë ju?

– Në vitin 2011.

– Në cilin vit dhe keni marrë pjesë për herë të parë në një kompeticion të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar?

– Në mars të vitit 2008, në Kampionatin Kombëtar Italian të Kategorive.

– Çfarë gjuhësh flisni?

– Italisht dhe anglisht. Flas dhe pak frëngjisht.

– Cili është niveli juaj arsimor?

– Jam në vitin e fundit të Shkollës së Mesme të Përgjithshme dhe atë e kryej në Romë, Itali.

– Çfarë ju pëlqen të bëni në kohën tuaj të lirë?

– Të lexoj, të dëgjoj muzikë dhe të dal me shoqe, edhe pse kohë të lirë kam shumë pak.

– Cili ka qenë momenti më i bukur sportiv?

– Pjesëmarrja në Olimpiadën e fundit “Londër 2012”. Është një gjë e papërshkrueshme, është maksimumi i arritjes së një sportisti.

– Cili mendoni se është sekreti, për t’u bërë një sportist i madh?

– Dedikim, punë dhe dedikim.

– Cilët janë idhujt tuaj sportivë?

– Majkëll Felps, Daniel Gyorta, Misi Frenklin.

– Cila është kënga që ju preferoni?

– “WanderWall” e Onasis.

– Sa aktive jeni në rrjetet sociale?

– Jam mjaft aktive, kam adresë e-maili dhe faqe në “Facebook”.

– Noel, cilat janë objektivat tuaja dhe rezultati që mendoni të arrini në këtë kompeticion?

– Duke pasur parasysh që, në këtë Olimpiadë do të marr pjesë vetëm në një garë, 200 m flutur do të përpiqem të përmirësoj rezultatin tim të fundit në këtë garë që është 2’21”44.

 Pesë olimpistët e Shqipërisë

 Shqipëria përfaqësohet në Kinë me pesë sportistë, dy çiklistë (Realdo Ramaliu dhe Ridion Kopshti), dy atletë (Eneda Deliu dhe Suad Bashk) si dhe notarja Noel Borshi (me trajner, të mirënjohurin Sadik Mema). Komiteti Olimpik Kombëtar ka mundësuar grumbullimin e sportistëve për përgatitjen përfundimtare përpara pjesëmarrjes në Lojërat Olimpik Rinore “Nanjing 2014” në mënyrë që ata të përfaqësojnë më të mirën e tyre me rezultatin sportiv. Aktualisht dy sportistët e atletikës Deliu dhe Bashku janë grumbulluar në resortin “Te Stela” dhe po vijojnë përgatitjen e tyre në stadiumin “Qemal Stafa”. Ndërkohë, çiklistët Ramaliu dhe Kopshti duke qenë se Federata Shqiptare e Çiklizmit ka kërkuar që sportistët të grumbullohen dhe vijojnë stërvitjen në Itali, për shkak të kushteve dhe infrastrukturës më të përshtatshme. Gjithashtu edhe notarja Borshi ka vijuar stërvitjen në Itali, për shkak të kushteve më të mira stërvitore. Nisja e Ekipit Olimpik Rinor pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Rinore “Nanjing 2014” do të jetë më datë 12 gusht 2014. Çiklistët për shkak të bazës materiale dhe vijimit të grumbullimit, do të nisen direkt nga Italia për në Nanjing.

Ekipi Olimpik Rinor

Realdo Ramaliu       Çiklizëm

Ridion Kopshti       Ciklizëm

Francesco Frassi           Trajner

Noel Borshi          Not

Sadik Mema           Trajner noti

Eneda Deliu          Atletikë

Suad Bashku          Atletikë

Gjergj Ruli          Zyrtar

Sabahat Kastrati           Masazhoterapist

Kliton Muça          Staf Administrativ

Agim Canaj e Shkëlqim Muça kanë ikur nga Kukësi, ndërsa Stavri Nica nga Laçi

 Tre trajnerë të larguar pa filluar Superliga

 Gara e ethshme që pritet të shoqërojë këtë edicion të Kategorisë Superiore ka dhënë efektet e veta ende pa filluar. Kërkesa e suksesit si dhe mbingarkesa e një sezoni që parashikohet i luftuar ka bërë që deri më tani tre trajnerë të largohen nga detyra. Agim Canaj në fillim dhe më pas Shkëlqim Muça janë larguar nga Kukësi, pas vetëm 2 muajsh. Këto lëvizje erdhën si pasojë e faktit që presidenca e klubit nënkampion, kërkon një trajner i cili të marrë përsipër objektivin titull, duke qenë se veriorët kanë arritur në dy sezone të renditen të dytët. Pavarësisht bujës me të cilën u ulën në stolin e Kukësit, si Canaj dhe Muça nuk e kanë zgjatur shumë aventurën e tyre dhe tashmë presidenti Gjici kërkon trajnerin e tretë, duke vendosur një rekord në këtë aspekt, për numrin e trajnerëve të ndërruar në muajt e verës. Një tjetër emër që do ti mungojë stolit në Kategorinë Superiore është ai i Stavri Nicës, timonieri i Laçit që la detyrën menjëherë në përfundim të aventurës Europiane. Preteksi i largimit të trajnerit kurbinas është ngarkesa e lartë si dhe stresi i akumuluar gjatë këtyre viteve, duke kërkuar një periudhë pushimi. Megjithatë duket qartë se pa nisur mirë ky sezon pritet të dhurojë emocione të forta, pasi gara është e ashpër dhe asnjë skuadër nuk e ka të garantuar objektivin. Edhe pse largimi i trajnerëve nga skuadra ende pa nisur sezoni nuk është diçka e mirë, mbetet një sinjal për një kampionat më të fortë, ku rikthimi i elementëve cilësor pritet ta bëjë më të bukur.

Samir Ujkani, titullar te Palermo

 Samir Ujkani pritet të jetë portier titullar te Palermo, për sezonin e ri 2014-2015. Lajmi është bërë i ditur mediat italiane, që e argumentojnë me faktin e largimit të pritshëm të Jakinit në drejtim të Juventusit. Ish-portieri i Kombëtares së Shqipërisë, tashmë në radhët e asaj të Kosovës, ka një eksperiencë të mirë në Serinë A (me Novarën e Palermon).

Arsenali fiton Superkupën e Anglisë

 Arsenali mposhti 3-0 Mançester Sitin, kampionin e Premier Ligës, duke koleksionur kështu Superkupën e Anglisë (Community Shield). Për fituesit e Kupës së Mbretëreshës (e njohur edhe si Kupa e Federatës Angleze) shënuan Aaron Ramsej, Santi Kazorla dhe Olivier Zhiru. Ky ishte trofeu i parë sezonal për trajnerin Arsen Venger.