Noel Borshi bën histori në not

636
Sigal

Federata e Notit për herë të parë merr pjesë si një vend me sportist të kualifikuar në Olimpiadën Rinore 2014

 Një arritje historike! Një sukses që duhet përshëndetur! Federata Shqiptare e Notit do të marrë pjesë për herë të parë në historinë e këtij sporti në një aktivitet të madh ndërkombëtar, siç janë Lojërat Olimpike Rinor “Nanjing 2014” në Kinë, me një notar me normë të kualifikuar. Madje me një rezultat mjaft të mirë. Dhe kjo është Noel Borshi. Notarja e re dhe e tepër e talentuar. Pas paraqitjes dinjitoze në javën e fundit të marsit në Kampionatin Kombëtar të moshave në Itali, notarja Noel Borshi startoi për herë të parë në këtë sezon në pishinë 50 metërshe në “Trofeun Citta di Roma”, që u zhvillua në Romë, të dielën e 30 marsit. Në garën 100 metra delfin, Noel Borshi zuri vendin e tretë në renditje e përgjithshme me kohën 1’04″94. Një garë tepër e fortë kjo dhe me një konkurrencë të ashpër. Gara e dytë është ajo 200 metra delfin, në të cilën Noeli shprehu në mënyrë natyrale kualitetin e saj me kohën 2’23″76, duke u renditur sërish si notarja e tretë më e mirë dhe u ngjitur në podium. Koha e 200 metra delfin është shumë pozitive, duke pasur parasysh që është prezantimi i parë në pishinë 50 metërshe për këtë sezon. Duke parë tabelën “A” (tabela superiore) e kualifikimit të Lojërave të Dyta Olimpike Verore Rinore “Nanjing 2014”, ku koha e nevojshme për të marrë pjesë me rezultat kualifikues është 2’24″75, pra Noeli ka kapur një kohë më të mirë. Megjithatë, për të pasur një mundësi kualifikimi Noeli duhej që atë kohë ta përsëriste brenda periudhës 1 prill deri me 8 qershor, data këto të përcaktuara nga Federata Botërore e Notit (FINA), për arritjen e kohëve të dy tabelave “A” (superiore) dhe “B”(sekondare) për të fituar të drejtën e pjesëmarrjes në “Lojërat Olimpike Verore Rinore”. Dhe pikërisht dje, më 8 prill në Kampionatin Italian për të Rritur, aktivitet kualifikues i njohur nga FINA, notarja Noel Borshi me kohën 2`21″44 (me 3″31 më mirë se koha e kualifikimit për kategorinë A) u bë sportistja e parë që hyn në historinë e notit shqiptar, e cila kualifikohet në një event madhor ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, për herë të parë në historinë e notit shqiptar, Shqipëria do të marrë pjesë si një vend me sportist të kualifikuar në Lojërat Olimpike Rinore “Nanjing 2014”, duke pasur të drejtën e pjesëmarrjes në dy gara, si gjithë sportistët e tjerë të kualifikuar. Urojmë që ky sukses i kësaj sportisteje, të jete një motivim edhe për sportistë të tjerë shqiptarë që po stërviten intensivisht për realizimin e kohës kualifikuese. Notit shqiptar është në rrugën e duhur!

2`21″44

është koha e realizuar nga notarja jonë e talentuar Noel Borshi në 200m delfin

2’24″75

është koha kualifikuese e vendosur nga organizatorët e Lojërave Olimpike Rinore