Njëvjetori i ndarjes me të papërsëritshmin Ali Kastrati

106

Legjenda e Boksit shqiptar vazhdon të kujtohet me respekt nga adhuruesit e dorezave

U bë një vit që nuk e kemi mes nesh profesor Ali Kastratin, baba Aliun. Ishim mësuar me atë buzëqeshjen e ngrohtë dhe plot dritë të tij, me atë urtësinë e fjalës, mençurinë e mendimit, butësinë e shikimit, ëmbëlsinë e kujdesit për të tjerët dhe thjeshtësinë e komunikimit të tij. Kurrë nuk kam njohur një tjetër që brenda këtyre virtyteve, si të heronjve të Plutarkut, të fshihte një zjarr aq të pashuar, sa as  vitet e shumta që i rëndonin mbi supe, nuk mundën t`ia zbehin shkëlqimin. Ashtu sikurse kurrë s`më ka ndodhur që të njoh dikë tjetër që i mbuluar nga sukseset, të ishte personifikim i modestisë si ai. Sot, më shumë se kurrë e kuptojmë se atij si pakkujt i shkojnë ato fjalët e Sorenit te epitafi i bustit të Molierit në Akademinë Franceze se: “Nuk kishte asgjë që t`i mungonte lavdisë së tij, por lavdisë tonë i mungonte pikërisht ai”. Ai nuk ishte akademik nga diplomat a studimet universitare, ndaj burra të tillë, po nuk i pate njohur a takuar më parë, rrekesh të besosh se janë sajesa, trille të fantazisë moraliste të shkrimtarëve. Por jo! Profesor Ali Kastrati ishte më se i vërtetë. Ai vinte nga jeta, nga përpjekjet e përhershme për të bërë diçka të mirë në interes të vendit të tij. Ishte nga ata që dashurinë për atdhe nuk e tregonte me fjalë, por me vepra. Dhe mbi të gjitha, këtë e kuptonte si dashuri për njerëzit e tij. Dhe atdheu, njerëzit apo sportistët shqiptarë i detyrohen shumë atij. Emri i Shqipërisë, i kampionëve tanë, sidomos në sportet e rënda si boks, mundje, peshëngritje është lartësuar edhe nga puna dhe përkushtimi i pashoq i tij. Se ai jo vetëm si sportist mbante një pafundësi titujsh e medaljesh, por edhe si trajner i rrallë, veçanërisht i ekipit emërmadh të “Partizanit”, provoi si askush tjetër kënaqësinë e fitimit të titujve kampion 65 herë radhazi. Janë të shumtë Mjeshtrit e Sportit apo Mjeshtrit e Mëdhenj që arritjet e tyre ia dedikojnë punës plot pasion, profesionalizëm e përkushtim të profesor Aliut që ndiqte me efikasitet të plotë njëkohësisht edhe ecurinë e shkencës botërore sportive. Por Ali Kastrati njihej mbi të gjitha si mjeshtër i padiskutueshëm i vëllazërimit të tyre. Dhe në qoftë se gjatë zhvillimit të Lojërave të lashtësisë, si ato të Nemeut fjala vjen që organizoheshin në çdo dy vjet, vendosej paqja, Ali Kastrati mbillte përherë paqe dhe mirëkuptim mes sportistëve dhe sportdashësve. Kjo është edhe arsyeja përse atë e donin dhe e nderonin në çdo qytet ku shkonte. Me ndershmërinë proverbiale dhe me zemrën e tij të madhe, ai edhe si mjek dhe masazhator gjendej pa dallim atje, ku e lypte nevoja, në fushë apo jashtë saj. Prania e tij gëzonte këdo, por mbi të gjithë profesor Aliun e respektonin të gjithë ata që kishin kryer studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ku ai zbuloi dhe përgatiti qindra e qindra sportistë që përfaqësuan me rezultate shumë të larta vendin në veprimtari të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.  Profesor Ali Kastrati me ikjen e tij, të gjithëve na ka lënë një boshllëk të madh, boshllëk i cili do të ndihet edhe në vitet e ardhshme, por jemi të sigurt se atje ku është pushon i qetë. Se është ashtu sikurse thoshte Dionis Katoni se: “Është i lumtur kush vdes pasi e ka jetuar jetën ndershmërisht”. Ai, tek e fundit, do të mbesë dinjitoz dhe i lavdëruar, ashtu sikurse arabët kuptonin emrin Ali.

 Legjenda Ali Kastrati

 Legjenda Ali Kastrati u lind në Preshevë, më 20 gusht 1922 dhe u nda nga jeta, më 11 mars 2013, në moshën 91-vjeçare. Imazhi i ringut shqiptar është nderuar me titujt “Mjeshtër i Merituar”, “Trajner i Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, “Urdhri i Artë Naim Frashëri”, “Urdhri i Skënderbeut”, etj.. Ali Kastrati ka qenë 15 herë kampion kombëtar në boks, 16 herë në mundje dhe 15 herë në peshëngritje si trajner. Fitues i të gjitha kupave të Republikës në mundje (1951-1966), në boks (1951-1963) dhe në peshëngritje (1949-1966), si trajner me Partizanin. Fitues i 3 medaljeve të arta si trajner në Spartakiadën e parë Kombëtare me Partizanin në të 3 sportet. Ai ka qenë Trajner i ekipeve kombëtare në boks, mundje e peshëngritje (1958,1960 dhe 1963). Aliu mban 65 medalje të kampionit kombëtar. Kastrati ka zhvilluar 20 takime ndërkombëtare dhe rreth 300 ndeshje si boksier. Është zgjedhur midis 12 sportistëve më të mëdhenj shqiptarë për të gjitha kohët (1998).

 Ndeshja me kampionin gjerman

 Si boksier, Ali Kastrati nisi aktivitetin në vitin 1940 në Tiranë, por famën ia japin ndeshjet me Mario Deniskën 1943, ish-kampion i Italisë e më tej me Hufs Jan kampion i Gjermanisë në 1944 dhe me Rafael Dishnicën kampion i Shqipërisë në Tiranë. Kastrati ka fituar me boksierë të famshëm si: në Bullgari me Vladimir Kristof në 1949, në Poloni me Kolshinskin, po në 1949, në Çekosllovaki me boksierin Torma, po në 1949 apo në Hungari me dy nënkampionët e vendit. Sipas studiuesit Shehu, Ali Kastrati e përfaqësoi 20 herë Shqipërinë në vende të ndryshme të botës, prej të cilave ai fitoi 18 herë.