Një “Xhani” tjetër për stolin e Kombëtares, Duka i ve kusht!

Nga Agron KAJA

KOMBËTARJA/ Presidenti i FSHF-së “pushton” mediet italiane, pas dështimit me Inzagin, fiksohet te Kamoleze

Ndërkohë që drejtues të FSHF-së, me në krye Presidentin Armand Duka, kanë ditë që kanë zbarkuar në Itali për të gjetur pasuesin e De Biazit, mediat italiane kanë qenë të kujdesshme me lëvizjet e tyre. Pas lajmit se, Duka takoi Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Italiane të Futbollit dy ditë më parë, tregoi se intensiteti i merkatos për stolin kuqezi është në kulmin e tij. Dhe “zbulimin” e dytë e ka bërë dje “La Gazzetta Dello Sport”, e cila shkruante se, pas kontakteve me Inzagin, është arritur në përfundimin se me ish-sulmuesin e famshëm nuk mund të gjendet një marrëveshje. Ndaj i përzgjedhuri për të pasuar De Biazin është një tjetër “Xhani”, Xhankarlo Kamoleze, edhe ky ish-trajner i Torinos. Oferta për Kamolezen është një kontratë deri në përfundim të kualifikueseve për Evropianin 2020, duke përfshirë edhe kualifikimin, ndaj tani pritet përgjigja e trajnerit italian. Dhe, nëse i besojmë të përditshmes së njohur italiane “La Gazzetta dello Sport”, është kështu, pasi nga FSHF-ja nuk ka dalë ndonjë informacion, deri në vendimin final të presidentit Armand Duka. Ndërkohë, sipas “Eurosport”, “TuttoMercato Ëeb” dhe “Sky Sport 24”, Kamolezes i është ofruar një kontratë dyvjeçare, por për të nënshkruar, atij i duhet të pranojë më parë kushtin që vetë kreu i FSHF-së ka për trajnerin e ardhshëm. Këtë ai nuk ia ka kërkuar asnjëherë De Biazit, por që për Kamolezen e ka “detyrë shtëpie”: kualifikimin në Botërorin 2018. Kështu, nëpërmjet kësaj kërkese, kreu i FSHF-së kërkon të testojë ambiciet që ka çdo trajner kandidat, dhe bindjen te aftësitë e tij, për të bërë edhe më shumë se sa De Biazi. Trajneri i ri do të ketë mënyrën të tregojë vlerat e tij edhe gjatë Ligës së Kombeve, dhe nëse do të bindë deri atëherë, do t’i ofrohet rinovimi edhe për edicionin e Euro 2020, kualifikueset e të cilit fillojnë në muajin mars 2019. Gjithsesi, kjo ka qenë guida e djeshme e zyrtarëve të FSHF-së, në kërkim të një trajneri për stolin e Kombëtares, por që kanë kushtin primar: të jetë italian. Vetë Kamoleze është i papunë, pasi pas shkëputjes nga skuadra e Kiasos në sezonin 2015-2016 nuk ka patur angazhime me skuadra të tjera.