Sigal

Jurgen Uldedaj, më 15 dhjetor, ora 18.00 zhvillon në ish-kompleksin “Dinamo” Tiranë, finalen e madhe për kampion Bote në kategorinë WBO

Një Shqiptar pranë majës më të lartë të Boksit Botëror

Jurgen Uldedaj: Kënaqësi e veçantë të ndeshem në vendin tim

Deniz Tufina

Kjo fundjavë do të jetë një moment i rëndësishëm për sportin shqiptar dhe boksin në veçanti, pasi një djalosh shqiptar ka mundësinë të shpallet kampion bote në një nga divizionet më të rëndësishme të boksit botëror. Bëhet fjalë për talentin lezhian Jurgen Uldedaj, i cili këtë të shtunë në kryeqytet, do të përballet me argjentinasin Nicolas Arganaraz, në ndeshjen e vlefshme për titullin e versionit Cruiser në WBO. Jurgen Uldedaj shihet si një nga talentet më premtues të boksit mbarë botëror me shqiptarin që deri më tani nuk njeh ende humbje në ndeshjet që ka zhvilluar. Uldedaj vjen në këtë përballje me statusin e kampionit të Gjermanisë, megjithatë është i vetëdijshëm për rëndësinë e publikut shqiptar prandaj është pikërisht ai i cili ka vendosur që kjo sfidë kaq e rëndësishme për atë të zhvillohet në vendlindjen e tij. Para ndeshjes në konferencën për shtyp 21-vjeçari Uldedaj është shprehur: “Me trajnerin kemi bërë një punë të shkëlqyer. Përgatitja ka qenë për një kundërshtar mëngjarash, siç është argjentinasi. Vetë trajneri im është mëngjarash dhe them se ia kemi gjetur çelësin kësaj ndeshjeje.” Lidhur me faktin që ndeshja do zhvillohet në Shqipëri boksieri nga Lezha deklaron: “Është kënaqësi e madhe për mua, kam mbështetjen e të gjithëve, e familjes, miqve, shokëve.”

Kush është Jurgen Uldedaj, talenti dhe shpresa e madhe e boksit shqiptar

Jurgen Uldedaj lindi në qytetin e Lezhës më 26 gusht të vitit 1997. Ai e ka nisur boksin që i vogël dhe gjithmonë ka shfaqur pasion dhe talent për këtë sport. Karrierën e tij ai e ka filluar në Shqipëri duke u shpallur kampion Europe në kategoritë amatore dhe ka marrë në dy raste medalje bronzi për Shqipërinë, në kampionatin evropian të vitit 2013 në Rusi dhe në kampionatin evropian që u zhvillua në Zagreb të Kroacisë. Ai doli në vendin e 5-të edhe në kampionatin botëror të boksit në Bullgari, fitore këto që i paraprinë fitores së tij të madhe të Kupës së Botës në Azerbajxhan. Në moshën 17 vjeçare ai emigroi në gjermani dhe menjëherë pasi mbushi moshën 18 vjeç kaloi në ringun profesionist. Edhe pse është vetëm në fillimet e karrierës së tij, talenti shqiptar ka zhvilluar 9 ndeshje, të cilat i ka fituar të gjitha, madje dy prej tyre me Knock out. Në fillimet e tij në vendin tonë, Uldedaj ka pasur si trajner Rigels Nica në Lezhë më pas Sead Bushatin, në Tiranë. Aktualisht trajneri i tij është Dirk Dzemski një kampion Olimpik ku falë kujdesit të tij Jurgeni është shpallur edhe kampion Gjermanie në peshën 90 kg. Një nga ëndrrat e tij që i vogël ka qenë të ndeshet me Luan Krasniqin të cilin e ka parë gjithmonë si model për tu ndjekur.

Të gjithë në mbështetje të Jurgen Uldedaj tek Olimpik Arena

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj të shtunën në kryeqytetin tonë do të përballet me argjentinasin Nicolas Arganaraz për titullin e versionit Cruiser në WBO. Ndeshja midis dy boksierëve të rinj do të zhvillohet të shtunën më 15 dhjetor në ambjentet e pallatit të sportit “Feti Borova” tek Olimpik Arena (ish kompleksi Dinamo te Komuna e Parisit).Gara nis në orën 18:00 dhe përveç sfidës së boksierit tonë do të zhvillohen dhe 8 përballje të tjera. Ndërsa Uldedaj ka kërkuar që të ndeshet i fundit dhe pret mbështetjen e të gjithë shqiptarëve në këtë event tepër të rëndësishëm për sportin shqiptar.

Jurgen Uldedaj

Vendlindja: Lezhë

Mosha: 21 vjeç (26-08-1997)

Ndeshje zyrtare: 9

Fitore: 9

Knock Out: 2

Humbje: 0

Debutimi: 14-11-2015

Divizioni: Cruiserweight

Tituj në nivel amator:

Kampion Bote dhe Evrope

Medalje bronzi në dy kampionate evropiane