Një shqiptar fiton 3 medalje bronzi në Evropian

488
3 medalje bronzi dhe, për më tepër, një paraqitje mjaft e kënaqshme nga një sportist mjaft i ri në moshë, por që jep shpresë për të ardhmen e peshëngritjes shqiptare.
Ka qenë ky bilanci i garës së 15-vjeçarit Franko Ferra, i cili ka spikatur në kategorinë e peshës trupore deri në 89 kg në Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe, që po zhvillohet në Eilat të Izraelit. Pas paraqitjes së kënaqshme pak ditë më parë të të riut tjetër, Samuel Bishanaku, të mërkurën në mbrëmje ka qenë radha e të riut nga Elbasani për t’u ngjitur në pedanë. Dhe ai ka bërë një garë të mirë, duke e nisur me një provë të parë të suksesshme me 116 kg dhe, ndonëse nuk arriti të ngrejë 121 kg në provën e dytë, ai ka vijuar të guxojë në provën e tretë, duke shtuar madje 3 kg më tepër dhe duke i ngritur me sukses 124 kg. Kjo ka bërë që ai të marrë vendin në podium dhe medaljen e bronztë në këtë stil, ndërsa akoma më e mirë ka qenë paraqitja e tij në stilin e shtytjes.Ai ka bërë 3 prova të suksesshme, duke e nisur me të parën me 138 kg, duke e ngritur atë, ndërsa në të dytën ka shtuar edhe 6 kg të tjerë. Pasi e ka ngritur me sukses provën me 144 kg, ai ka vijuar të shtojë edhe 6 kg të tjera, duke e ngritur me sukses edhe provën e tretë. Kështu, me 150 kg, ai ka marrë vendin e 3-të dhe medaljen e bronztë edhe në stilin e shtytjes, ndërsa me 274 kg në total, ai ka marrë edhe medaljen e bronztë në dygarësh, duke plotësuar kështu në sukses të trefishtë kontinental në këtë debutim të tij në arenën ndërkombëtare të shtangës.
Sigal

      Shkëputje – 116 kg ok, 121 kg ko, 124 kg ok

       Shtytje – 138 kg ok, 144 kg ok, 150 kg ok