Sigal

Neshja përballë Jordanisë, e cila ishte testi i fundit para ndeshjes me Izraelin, e vlefshme për Ligën e Kombeve, nuk dha rezultatet e pritshme për kombëtaren shqiptare. Në sfidën e luajtur në “Elbasan Arena”, skuadra jonë u shfaq në të njëjtën mënyrë siç është paraqitur në përballjet e saj të fundit, pa ide dhe pa grintë.

Ekipi shqiptar u duk shumë konfuz në fushën e lojës duke gjetur vështirësi në organizimin e lojës. Në këtë përballje Panuçi provoi disa emra të rinj, me justifikimin se ndeshja e vërtetë do të jetë ajo me Izraelin. Mirëpo ajo që shqetson më shumë është një mungesë dëshire nga ana e lojtarëve të kombëtares, të cilët duken se nuk ndihen mjaftueshëm të motivuar nga trajneri Panuçi.

Për sa i përket ecurisë së 90 minutëshit dhe rasteve të rrezikshme, Shqipëria u shfaq më superiore se kundërshtari i saj, të cilët ishin dukshëm inferiorë. Megjithatë krijimi i rasteve dhe kontrolli topit nuk mjaftoi që përfaqësuesja jonë të arrinte fitoren në këtë ndeshje. Takimi nisi me ritëm të mirë për të besuarit e Panuçit, i cili e rreshtoi skuadrën me skemën 3-5-2.

Në të 12’ Eros Greza pati rastin e parë të rrezikshëm të lojës kur mori një top fantastik nga e djathta prej Gavazajt, por goditi në mënyrë të gabuar. Në të 23’ skuadra jonë shfaqet sërish rrezikshëm përballë portës së Jordanisë. Fillimisht Gavazaj shpërdoron i penguar edhe nga një mbrojtës një mundësi të shkëlqyer të krijuar nga Xhaka e Grezda, ndërsa topi i larguar përfundon në këmbët e Lilës që godet jashtë. Dy minuta më vonë një episod tepër i dyshimtë kur Grezda i vetëm para portës kundërshtare pengohet në zonë, por gjyqtari nga Kosova nuk akordoi penallti. Në pjesën e dytë Panucci bën menjëherë tre zëvendësime, me Xhakën që i lë vendin Balajt, Ramadani del për Ndojin ndërsa Uzini bën debutimin me fanellën kuqezi duke u futur në vend të Grezdës. Në të 75’ Balaj ekzekutoi me forcë një goditje dënimi por topi përfundoi jashtë. Dhjetë minuta më pas një rast i artë për Uzunin i cili pasi mori një pasim të shkëlqyer nga Gavazaj, goditi shtyllën e majtë të portierit kundërshtar.

Në fund të kësaj sfide ajo që mbetet është pesimizmi për arritjen e një suksesi në ndeshjen kundër Izraelit, pasi kombëtarja shqiptare nuk arrin të mposhtë as rivalët e saj më inferiorë.

Tashmë kuqezinjtë do të kërkojnë të lënë pas këtë ndeshje dhe të rikuperojnë energjitë për sfidën e Ber Shevës, të vlefshme për Ligën e Kombeve, takim ku fitorja ka vlerë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe sidomos për të ardhmen e Kristian Panuçit në drejtimin e kombëtares shqiptare.