Një pikë e marrë me gjak

471
Sigal

Kreu i PD-së dhuroi spektakël në tribunën VIP të “Qemal Stafës”, kur u gëzua si fëmijë për golin e Ramës

Qendërmbrojtësi ynë, Mërgim Mavraj, u detyrua të luante nga minuta e 29-te me kokë të fashuar, pas përplasjes që pësoi me një kundërshtar norvegjez, në gjysmëfushën tonë. Madje u mendua dhe zëvendësimi i tij me Osmanin, por pas marrje së ndihmës së parë dhe ftohjes me akull, kapiteni i Grojther Furthit hyri në fushë. Mavraj ndiqej nga disa menaxherë, ku midis tyre ishte dhe Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. Ish-kapiteni i Shqipërisë kishte ardhur enkas për të nga Italia. Mavraj është një nga pikat e forta në mbrojtje, kjo dhe për shkak të mungesës së kapitenit zyrtar, Lorik Cana. Me fasho në kokë luajti për rreth 50 minuta edhe mbrojtësi tjetër Armend Dallku. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe Kryeministri Sali Berisha, ishin tifozët VIP në tribunën e “Qemal Stafës”, teksa i pranishëm ishte dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli. Berisha mbërriti në tribunën VIP të “Qemal Stafës” në orën 20:15, i shoqëruar nga ministri i Sporteve, Visar Zhiti, dhe një numë zyrtarësh të lartë. Pak minuta më pas, erdhi edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Berisha shtrëngoi fort duart me Dukën, madje ky i fundit e shprehu dukshëm kënaqësinë. Ambienti në stadium ishte i mrekullueshëm, madje kjo ishte hera e parë që, stadiumi mbushej plot pas asaj ndeshje me Greqinë, më 4 shtator 2004. Grupet e tifozëve kishin krijuar koreografi të bukur, sidomos ata në tribunat anësore, ku ishin vendosur “Ilirida”, “Shkupi”, “Tirona fanatiks”, “Plisat Prishtinë”; “Arpagjikt Prizren”, “Fikshat Kaçanik”, “Delegatët”. Përveç banderolës tradicionale, “Tifozat Kuq e Zi” dhe “O sa mirë më qenë shqiptar!” , spikaste dhe një banderlolë “Kosova është Shqipëri”, por e shkruar serbo-kroatisht “Kosovo os Albania!”. Thirrjet nuk pushuan gjatë gjithë ndeshjes, në një stadium që i mbështeti fuqishëm lojtarët dhe duartrokiti gjatë 90 minutave. Kryeministri Sali Berisha u ngrit në këmbë kur Shqipëria shënoi në minutën e 40-të me anë të Valdet Ramës, duke duartrokitur fort. Në fakt, ai ishte i vetmi që u çua në tribunën VIP. Kur mesfushori shqiptar që, luan në Spanjë me Valadolid, u afrua edhe njëherë tjetër te trajneri Xhani De Biazi, atëherë u duke shumë qartë se në bluzën e Valonit ishte shkruar emri Rama. Askush nuk mund ta dijë, se çfarë ka menduar në atë moment kreu i PD-së, kur ka parë që golashënuesi mbante emrin e kundërshtarit të tij politik, Edi Ramës së Partisë Socialiste dhe rivalit të tij për kryeministër në zgjedhjet e 23 qershorit. Gjithsesi, shfaqja pati dhe anën e shëmtuar. Biletat në “tregun e zi” arritën kulmin, ku një biletë e tribunës C dhe E, pra atyre prapa portave u shitën me deri në gjashtëfishin e tyre. Pra, nga 500 lekë që kishin çmimin zyrtar, ato o ofruan në treg deri në shumat 3000-3500 lekë. Një biletë e tribunës D2, me çmimin zyrtar 3000 lekë shitej deri në 70 euro, pra 10 mijë lekë, trefishin e çmimit. Shumë persona kanë pasur në dorë shumë bileta, duke qëndruar në rrugët që të çojnë në stadium, madje duke ia ofruar biletat çdo kalimtari të zakonshëm.

Rama bën koalicionin e madh me Berishën

brëmë për 90 minuta Rama dhe Berisha ishin në një koalicion të përbashkët. Për herë të parë, Rama, deklaroi solemnisht, pa praninë dhe pa presionin e ndërkombëtarëve, se “Për 90 minuta kemi koalicionin më të madh të mundshëm, i vetmi koalicion ku mund të jem bashkë me Saliun”. Nuk bëhet  më fjalë për 3 ligjet, e nuk na lanë të merrnim dot frymën e Europës për 1 vit të tërë. Aleanca e tre liderëve, Rama-Berisha-Basha ndodhi mbrëmë. Berisha, si përherë, në transhenë e portës, i bunkerizuar te vija fatale, priste me guxim dhe burrëri çdo predhë  të kundërshtarit, që na rrezikonte fitoren, të cilët kërkonin me ngulm  rotacionin e rezultatit e të pikëve për të hyrë në Botërorin e Brazilit. Kundërshtari kanë 12 vjet që nuk shkojnë në Mondial. Basha, si një kryebashkiak i mesfushës, kishte hartuar një masterplan strategjik, ku  me djersën e derdhur, sa Lumi i Erzenit, nga shirat e kësaj pranvere, ndërtoi mijëra metra pistë dhe la në çdo cep të fushës gjurmën e këpucëve të tij, duke qëndisur një  mbrojtje solide dhe një prapavijë sulmi të rrezikshme. Ndërsa i madhërishmi Rama, me një aksion perfekt individual nga e majta, pa pasur kësaj here nevojën e ndihmës së Metës,  bën ç’të dojë me mbrojtësit bardh e blu, të norvegjezëve, pastaj godet në mënyrë vdekjeprurëse dhe ….Gooooooool!  Berisha vrapon i pari, dhe me forcën që e karakterizon një burrë, e përqafon Ramën, sa e hedh edhe në supe, ndërsa Basha i pastron këpucët dhe ia puth me mall ato, për ta falënderuar për golin e dhuruar! Ishte goli i fitores për pjesën e parë, që mund të çonte koalicionin Rama-Berisha-Basha në Botërorin e Brazilit. I mallëngjyer nga fisnikëria e Berishës dhe Bashës, Rama shkruan për 45-minutëshin e pjesës së parë: “Pjesë e parë kryevepër! Edhe 45 minuta rezistencë dhe fantazi për t’ia dalë. Forca çuna forca, e keni lojën në dorë, forca!”

Blerina BRAHO

Minutat e para ndeshjes

19:05 – Hyrja e ekipit norvegjez në fushë u prit me fërshëllima dhe brohoritje “Shqipëri Etnike!” dhe “O sa mirë me qenë shqiptar!”. Ekipi norvegjez qëndroi indiferent në mes të fushës, por i vetëdijshëm se në “Qemal Stafa” e pret ferri i krijuar nga tifozeria kuqezi.

19:10 – Hyn ekipi shqiptar. “Shqipëri, Shqipëri!” ushtin kori i tifozërisë shqiptare, që përshëndesin Canin, Dallkum, Mavrajn, Osmanin, Vilën, etj. Mbi 10 mijë tifozë janë në stadium, gati një orë e gjysmë para fillimit të ndeshjes. Interesim që pritej, për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm. “Duam fitore, duam fitore!”.

19:20 – Shumë zyrtare dhe tifozë përfitojnë nga rasti për të bërë foto me lojtarët e Kombëtares, ku më i kërkuari i mbrëmjes është kapiteni Ervin Bulku, ndërkohë që Armend Dallku dhe Etrit Berisha japin ndonjë intervistë të shkurtër për mediat.

19:45 – Kënga më e klikuar në botë, “Gangam Style”, krijoi një atmosferë të jashtëzakonshme, duke rritur adrenalinën e tifozërisë në stadium. Këngët më të njohura ritmike.

20:00 – “Qemal Stafa” është i tejmbushur, me përjashtim të ndonjë një zone të vogël në tribunën D3, ku janë vendosur rreth 200 tifozët norvegjezë, të rrethuar nga një gardh i ngjeshur policor. Flamujt norvegjezë janë të dukshëm.

20:15– Kryeministri Sali Berisha mbërriti në tribunën VIP të “Qemal Stafës”, i shoqëruar nga ministri i Sporteve, Visar Zhiti, dhe një numë zyrtarësh të lartë. Pak minuta më pas, erdhi edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Berisha shtrëngoi fort duart me Dukën.

20:26– “Ne kemi një ëndërr, Shqipëri etnike”. Kjo është ajo që kanë shkuar në anglisht tifozët në sektorin C, te harkoret pas portave.

20:28 – Himni i Kombëtares shqiptare u shoqërua me hapjen e një flamuri gjigant në tribunën D2, 60m x 30m, që krijoi shumë emocionoi të gjithë, përfshirë dhe tribunën VIP. Ndoshta kryeministri Berisha s’e ka parë kurrë këtë atmosferë në mitingjet që ka ai zhvilluar.

Shqipëri-Norvegji 1-1/ Jemi përsëri të dytët, pas dhuratës që na bëri Sllovenia duke mundur Islandën

Ëndrra drejt Brazilit vazhdon

Një gol i Tom Hëglit nëminutën e 87-të i mohoi Shqipërisë një fitore të madhe ndaj Norvegjisë, në barazimin 1-1 në “Qemal Stafa”, por që për fat të mirë, falë edhe fitores 4-2 të Sllovenisë në Islandë, na mban në vend të dytë, tashmë në kuotën e 10 pikëve, një më pak se Zvicra kryesuese që do të luajë sot kundër Qipros. Një ndeshje e interpretuar në mënyrë të shkëlqyer dhe me shumë raste, përtej mungesës së gjashtë titullarëve. Raste pa fund për gol, madje edhe në minutën e tretë shtesë, kur Edgar Çani nuk arriti ta shndërrojë në gol pasimin e artë të zëvendësuesit Kaçe. Goli i Valdet Ramës ishte momenti kulmor kuqezi, por që nuk na mjaftoi të merrnim tri pikë. Ashtu siç pritej, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” u ngjyros kuqezi, ku tifozët kishin mbushur shkallët e tij për të mbështetur kombëtaren në ndeshjen me Norvegjinë. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, ndërsa në fushë të besuarit e Gianni De Biasit dhanë gjithçka, emocione, gol, raste, shtyllë, por që në fund e pësuan nga një goditje këndi, specialitet i kundërshtarëve, duke e mbyllur sfidën në barazim 1-1. Tekniku italian kishte rreshtuar në fushë lojtarët më në formë, ku mungesat e Canës, Lilës, Roshit, Currit apo Mehës nuk u ndjenë aspak. Me Berishën në portë dhe para tij Mavraj, Teli, Dallku e Agolli, trajneri De Biasi kishte menduar t’i bënte pritë norvegjezëve. Në mesfushë kapiteni Bulku, Basha, Vila e Rama, kishin detyra si mbrojtëse, ashtu dhe për t’i shërbyer Çanit e Salihit në sulm. Fillimi i lojës ka qenë mjaft i mirë për vendësit, Çani rrëmben një top dhe niset drejt portës norvegjeze, por pengohet në mënyrë të parregullt nga Ruud, i cili ndëshkohet me karton të verdhë.  Miqtë futen shpejt në rrjedhën e lojës dhe në minutën e pestë, një gabim i Agollit në mbrojtje u dhuron norvegjezëve një rivënie anësore, e cila pas ekzekutimit, neutralizohet nga dalja e sigurt e Berishës. Loja është e hapur, ndërsa Salihi nuk shfrytëzon si duhet një krosim nga e majta, duke mos arritur të godasë drejt portës mike.

Goli i shumëpritur vjen në minutën e 41-të, ku në një aksion individual nga ana e Ramës, lojtari i Valladolid “trullos” një mbrojtës kundërshtar, gjuan saktë dhe e dërgon topin në rrjetë. Delir në “Qemal Stafa” nga ana e tifozërisë, e cila i gëzohet avantazhit të krijuar, me të cilin mbyllet dhe pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë të lojës, sërish kuqezinjtë nuk mundohen të mbrohen, por luajnë hapur dhe kërkojnë golin e dytë. Vila ka një rast ideal, teksa zotëron bukur me gjoks topin nga një pasim i Bashës, por gabon në goditje. Në të 67′, Bulku kroson bukur një top për Salihin, që godet mrekullisht me kokë, duke parë edhe daljen e portierit mik, por ky i fundit zgjatet maksimalisht duke e devijuar paksa topin dhe në ndihmë i vjen edhe traversa. Në minutën e 72-të, nga një skemë perfekte gjatë goditjes së dënimit, sfera kalon përmes këmbëve të Bulkut, Bashës dhe Vilës, por ky i fundit godet rrjetën e jashtme të portës kundërshtare.

Janë minuta të mira për Shqipërinë, por goli nuk del në dritë. Dhe atë që nuk e bëjnë të besuarit e De Biasit, e realizojnë norvegjezët. Në të 86′, pas një goditje dënimi, Holgi i pa markuar në zonë gjuan me kokë dhe barazon shifrat. Një gol që vjen në një moment kur nuk pritej. Tanët besojnë deri në fund, madje në minutën e katërt shtesë Kaçe, i futur në pjesën e dytë në lojë, ka futur një top tokazi nga e majta e sulmit, por askush nuk devijon. Ky ishte dhe rasti i fundit dhe takimi mbyllet në barazim 1-1. Shqipëria mbetet e dyta, ndërsa humb 2 pikë të arta, që do ta ngjisnin në krye, në pritje të sfidës së sotme të Zvicrës. Dhjetë pikë në gjashtë ndeshje, dhe për më tepër vendi i dytë në grup, dukë lënë pas tashmë Islandën është një rezultat mjaft i mirë, pasi jemi ne favoritët për në “play-off”, teksa na duhet të luajmë dhe katër ndeshje, tri prej tyre në transfertë.

Shqipëri-Norvegji  1-1

Shënues: Rama 41? / Hogli 86?

Shqipëria: E. Berisha, Teli, Mavraj, Agolli, Dallku, Rama, Basha, Bulku (Hysaj 90′), Vila (Kaçe 84′), Çani, Salihi (Osmani 76′).

Trajner: Gianni De Biasi

Norvegjia: Jarstein, Hogli, Hangeland, Reginiussen, Ruud, Henriksen, Nordtveit, Yttergard Jenssen (Skjelbred 84?), Braaten, Elyounoussi (V. Berisha 46′), King (Soderlund 70′)

Trajner: Egil Olsen

Gjyqtarë: U. Collum, V. Conquer, M. Cyans (Skoci)

Kartonë të verdhë: Dallku, Basha / Ruud, Reginiussen

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

Dje, 7 qershor 2013

Shqipëri-Norvegji            1-1

Islandë-Slloveni                                2-4

Sot, 8 qershor 2013

Zvicër-Qipro                       17:30

RENDITJA

Ekipi       N             P

1. Zvicra                5              11

2. Shqipëria        6              10

3. Islanda             6              9

4. Norvegjia        6              8

5. Sllovenia         6              6

6. Qipro                5              4

12 barazimet në botërore

Barazimi 1-1 kundër Norvegjisë është barazimi i 12-të i Shqipërisë në 90 ndeshje për eliminatoret e kampionateve botërore. Kombëtarja jonë ka arritur të fitojë 14 takime dhe në bilancin e saj janë dhe 64 humbje.

Ceremoni lamtumire për Lalën dhe Skelën

Para fillimit të ndeshjes, u zhvillua ceremonia e lamtumirës nga futbolli të ish-kapitenëve të Kombëtares, Altin Lala (rekordmeni përsa u përket numrit të ndeshjeve, 79) dhe fantazistit kuqezi, Ervin Skela. Të dy të veshur me uniformë civile. Ata u përshëndeten nga kreu i FSHF-së, Armando Duka dhe ai i Norvegjisë. Të dy presidentët kanë marrë fanellat me numër 14 dhe 13, që kanë mbajtur lojtarët. “Lala, Skela!” brohoret i gjithë stadiumi, ndërkohë që qindra tullumbace kuqezi ngrenë në qiell banderolat me portretet e tyre.

De Biazi: “Skuadra luajti mirë”

Trajneri De Biazi deklaroi pas ndeshjes se ishte për të ardhur keq për barazimin dhe mënyrën se si erdhi ai, ngaqë skuadra bëri një lojë shumë të mirë dhe shkoi shumë herë në portën norvegjeze, ku duhej të kishte shënuar më tepër se një herë. “Në pjesën e dytë ishim në gjendje që të shënonim sërish e ta mbyllnim takimin, me siguri,” – tha italiani. I pyetur se si do ta gjejë ilaçin e minutave të fundit, që na dëmtojnë gjithmonë, De Biazi tha: “Gjëja më e rëndësishme për mua është se skuadra sonte bëri një ndeshje të mirë. I vetmi problem erdhi në fund të lojës. Kjo ndeshje luhej në qershor, kur është fundi i kampionatit për ne, ndërsa Norvegjia e ka nisur kampionatin kombëtar në mars, ndaj edhe ishin më të freskët fizikisht. Sigurisht, në tri ndeshjet e fundit kemi pësuar vetëm një gol në ndeshje të rëndësishme. Nëse do ishte e mundur do të firmosja që tani që të mund të pësonim vetëm një gol në tri ndeshje me të tillë kundërshtarë. Çështja ka të bëjë shpesh me përgatitjen psikologjike dhe fizike, por skuadra luajti mirë. Ne kemi një grup lojtarësh të rinj, që mund të luajnë një rol të duhur për kombëtaren dhe të na bëjnë të gëzohemi edhe më shumë”.

Rama: “Duhet ta fitonim ndeshjen!”

Valdet Rama, autori i golit të shënuar në ndeshjen përballë Norvegjisë deklaroi se e gjithë skuadra ka bërë një lojë të mirë dhe ka dhënë maksimumin. “Pësuam një gol, që nuk na la shije të mirë. Kishim shanse të mira për të dyfishuar rezultatin, madje nuk na munguan as në minutat e fundit të takimit. Barazuam dhe ky është realiteti. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të besojmë. Goli që shënova, normale që më la një ndjenjë të mirë, por nëse do kishim fituar do kishte qenë edhe më mirë. Jemi në vendin e dytë në grup dhe nuk duhet të harrojmë se ky pozicion është shumë i mirë. Do besojmë deri në fund të kualifikueseve dhe do japim maksimumin tonë”, – u shpreh Valdet Rama.