Një penallti vendos në Laç, Partizani nuk pajtohet

431
Sigal

Mbyllet 1-0 në Laç, kurbinasit mbajnë kampionatin të hapur. Një gol i Ndriçim Shtubinës me penallti vendosi gjithçka, ndërkohë që nuk do të mungojnë as polemikat për penalltinë e dhënë në favor të kurbinsasve, por edhe për rastet e pretenduara nga Partizani.

Shkodrani u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe tashmë Partizani ruan diferencnë prej tetë pikësh me Kukësin, por është afruar Teuta me 7. Një takim i shoqëruar me polemika dhe me skuadrën e Gegës që vuajti në aspektin sulmues.

Stadiumi ishte i mbushur, ndërkohë që në pjesën e dytë pati një moment tensioni mes fansave. Në fund e njëjta situatë edhe mes lojtarëve, teksa Asani u pa i acaruar dhe debatoi me Sefgjinin. Gjithsesi të mbetemi te përballja në fushë, ku Laçi iu gëzua avantazhit të shpejtë dhe me forca të shumta e mbrojti atë.

Asani dhe Telushi pretenduan në dy momente për penallti, por gjyqtari Klajdi Kola nuk mendoi si lojtarët e Partizanit. Në fund pati edhe protesta në drejtim të tij. Pavarësisht të gjithave, Laçi festoi në fund dhe tanimë i afrohet Kukësit të vendit të tretë me katër pikë.