Një “jo” e Inzagit, “pështjellon” Dukën

553
Nga Agron KAJA
KOMBËTARJA/ I piketuar nga Presidenti FSHF-së për stolin kuqezi, “SuperPippo” nuk pranon sfidën, vazhdon te Venecia
Ndërsa Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte entuziast se, kandidatura e Filipo Inzagit për stolin e Kombëtares do të rezultonte OK, dje mediat italiane e kanë shuar edhe kureshtjen e shqiptarëve, sa i përket “SuperPipos”. Në raportimet e tyre, thuhej se, Inzagi ka qenë fillimisht i interesuar, por më pas, duke parë se bisedimet mes palëve nuk janë thelluar edhe aq shumë, ai ka preferuar që të kthejë një përgjigje negative. Gjithashtu, në këto portale italiane thuhet se Inzagi as nuk e ka diskutuar me Venecian këtë opsion, duke qenë i ndërgjegjshëm se mundësia e një marrëveshje me Shqipërinë ishte shumë e vogël, falë predispozitave me të cilat paraqitej FSHF-ja. “Faleminderit, por jo faleminderit”, Inzagi refuzon stolin e përfaqësueses shqiptare, ky ka qenë një nga titujt që e ka bërë më të qartë situatën, dhe kjo qartësi më shumë për stolin e Kombëtares sonë, se sa për vazhdimësinë e Filipo Inzagit, i cili mbetet në Venecia, tashmë në Serie B. Ndoshta pas këtij lajmi, edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, duhet të dorëzohet, sa i përket dëshirës së tij për të pasur Filipo Inzagin në stolinë e Kombëtares shqiptare. Pavarësisht dëshirës së madhe të tij ish-sulmuesi i Milanit nuk ka ndër mend të ulet në stolin e kuqezinjve, ndaj ai do të vazhdojë të drejtojë Venecian në Serinë B, për të synuar një tjetër edicion pozitiv si ai i kaluari ku ngjiti këtë skuadër nga Lega Pro. Ndërkohë, FSHF-ja do t’i rikthehet bisedimeve me të gjithë alternativat e tjera, e ndërgjegjshme që për momentin ka djegur kartën e emrit të famshëm, dhe tani duhet të kërkojë medoemos teknikun rezultativ. Megjithatë, ndryshe nga sa pritej, refuzimi i Inzagit shton “hallet” edhe për pasardhësin e Paolo Tramezzanit për postin e drejtorit teknik të ekipeve kombëtare, i cili ka mbetur vakant që nga muaji dhjetor 2016. Kështu, i mbetur në dorë të një stafi teknik disi të reduktuar, e që kryesohet për momentin nga Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, presidenti i FSHF-së ka menduar që nga këtë javë të kontaktojë me emrat e tjerë, për të mbyllur si fillim çështjen e drejtorit teknik, dhe më pas, duket se do të jetë më e largët dita për zgjidhjen e çështjes së trajnerit, e cila momentalisht duket më komplekse. Këtë e kishte parashikuar edhe gazetari i njohur italian, Xhanluka Di Marzio, i cili merret më shumë me investigimet e merkatos. “Nuk do të jetë e lehtë që të arrihet një akord në këtë pikë, por FSHF-ja po tenton me të gjitha mënyrat që ta bindë Inzagin. Gjithsesi, ka edhe një plan B, dhe FSHF-ja duket se e ka ndarë mendjen për një trajner me emër të madh, dhe në fokus ka dalë emri i Roberto Karlos”, lajm të cilin e ka bërë publik ditë më parë, portali i njohur italian “Tuttomercatoweb”. Kjo është situata që e “pështjellon” Presidenin e FSHF-së në gjetjen e bankinës së re kuqezi., ndërsa Filipo Inzagi, pasi ka shtyrë vendimin për të pranuar ofertën e presidentit të FSHF-së Armand Duka për të drejtuar kombëtaren e Shqipërisë, është duke pushuar në Formentera të Spanjës.
Sigal