Një gafë gjunjëzon Skënderbeun

452
Sigal

LIGA E EUROPËS/ Çernomorets-Skënderbeu 1-0. Korçarët rezistojnë 74 minuta. Kualifikimi vendoset në Tiranë

Skënderbeu rezistoi 74 minuta përpara se t’u dorëzohej ukrainasve të Çernomoretsit, pasi një gafe të mbrojtjes sonë, por e shoqëruar me një gol fantastik të mesfushorit Gai. Gjithsesi, humbja 1-0 e Skënderbeut në Odesa është shpresëdhënëse, pasi kualifikimi është i hapur dhe do të vendoset në ndeshjen e një javë me pas në “Qemal Stafa’. Djemtë e Josës u treguan heroikë në pjesën e parë, teksa në dytën edhe për shkak të lodhjes nga udhëtimi i gjatë lëshuan terren. Momenti i parë i vështirë i Skënderbeut u regjistrua në minutën e 12-të. Kutas lëshoi një diagonale për Fontanelon në zonën e korçarëve, por në momentim vendimtar të aksionit ai gjuajti shumë dobët. Skënderbeu u shfaq i rrezikshëm në minutën e 20-të, kur me një kundërsulm mund të kishte kaluar në avantazh, duke i futur të dridhurat trajnerit të Çernometsit, Grigorçuk. Sulmi i ukrainasve u përpoq shumë të çajë mbrojtjen korçare, por pa mundur të gjejë hapësirat e nevojshme për të goditur. Kompaktësia e vijës mbrojtëse neutralizoi një moment të mirë të Çernomoretsit në minutën e 24-t. Në të 30’, një tjetër mundësi e artë për vendasit, Kutas lëshoi një top në zonë, por mesfushori nga Bregu i Fildishtë, Dja Djedje nuk arriti të mposhtë portierin Orges Shehi. Pjesa e parë u mbyll 0-0. Në fraksionin e dytë, Skënderbeu ishte më pak i freskët fizikisht, duke u lënë hapësira ukrainasve, të cilët janë më të shpeshtë në zonën e korçarëve. Trajneri Mirel Josa ndërhyri me zëvendësimet, duke larguar fillimisht Nimagën për Fagun (64’) dhe më pas Muzakën dhe hedhur Abazin (70’) e Tomiçin në vend të Bicajt. Në minutën e 74-t erdhi dhe goli i Çernomeretsit, i realizuar nga mesfushori Oleksei Gai, një prej lojtarëve më me eksperiencë të Odesës, i cili realizoi me një gjuajtje fantastike në formë voleji brenda zonës së penalltisë pas asistit të Fontanelos. Më në fund, kapiteni Orges Shehi u dorëzua. Pjesa e mbetur e ndeshjes pa një Skënderbe të tërhequr, për të mos pësuar më shumë gola, çka do t’ia komplikonte shumë ndeshjen e kthimit në “Qemal Stafa”.

Liga e Europës Faza “play-off”

 Dje, 22 gusht 2013

KUKESI-TRABZONSPOR   0-2

Shënues: /Mierzejevski 31’ (pen),Paulo Henrique 68′

ÇERNOMORETS-SKËNDERBEU     1-0

Shënues: Gai 74’

29 gusht 2013

Kukësi-Trabzonspor         29.08

Skënderbeu-Çernomorets     29.08

Vangjeli, në stol

Vetëm bankinë për mbrojtësin korçar të Çernomoretsit, Kristi Vangjeli, ndërsa mesfushori Elis Bakaj (ende në rikuperim) e ndoqi nga tribuna takimin. Trajneri Grigorçuk vendosi të mos ta hedhë në fushë Vangjelin.

Ecuria e Skënderbeut në Europë

 LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

17 korrik 2013

Neftçi-Skënderbeu    0-0

23 korrik 2012

Skënderbeu-Neftçi    1-0

Kualifikohet Skënderbeu me rezultatin e përgjithshëm 1-0

Turi i tretë eliminator

30 korrik 2013

Shahkter-Skënderbeu 3-0

6 gusht 2013

Skënderbeu-Shahkter 3-2

Kualifikohet Shahkter me rezultatin e përgjithshëm 5-3

LIGA E EUROPËS

Faza “play-off”

22 gusht 2013

Çernomorets-Skënderbeu 1-0

29 gusht 2013

Skënderbeu-Çernomorets     19:30

 Humb Karabaku i Telit dhe Agollit

 Karabaku i Admir Telit dhe Ansi Agollit humbi 2-0 me gjermanët e Ajntrahtit të Frankfurtit, në ndeshjen e parë të fazës “paly-off” të Ligës së Europës. Të dy lojtarët e Kombëtares sonë luajtën si titullarë dhe me minuta të plota. Azerbajxhanasit pësuan nga një gol në çdo pjesë lojë. Autori është i njëjtë: Aleksandë Majer, në të 6’ dhe 75’. Ndeshja e kthimit duket një formalitet për skuadrën e Bundesligës 1 gjermane.

 Sadiku shënon në Kupën e Suedisë

 Qendërmbrojtësi shqiptar, Loret Sadiku, ka shënuar në fitoren e thellë që ekipi i tij Helsingborg ka realizuar në kuadër të Kupës së Suedisë. Pavarësisht se ndeshja u luajt në transfertë, skuadra e Sadikut kishte përballë skuadrën inferiore Harnosand të cilën e mposhti me rezultatin 4-0. Ishte Sadiku ai që hapi serinë e golave, duke shënuar golin e parë për Helsingborgun në minutën e 23-të, ndërsa më pas u shënuan golat e tjerë.

Sulmuesi brazilian shënoi në Superkupën e Spanjës, golin e parë zyrtar me Barcelonën

 Nejmar: “Sa keq pa Mesin në fushë!”

 Sulmuesi brazilian, Nejmar, edhe pse u hodh në fushë nga Tata Martino në pjesën e dytë ndaj Atletikos së Madridit në takimin e parë të Superkupës së Spanjës, rezultoi vendimtar për skuadrën katalanase duke shënuar golin e barazimit, që i bën favoritë kampionët e Spanjës në takimin e kthimit. 21-vjeçari nuk i fsheh emocionet për golin e tij të parë zyrtar me bluzën blaugrana. “Jam shumë i lumtur që arrita ta ndihmoj ekipin. Ndeshja ishte shumë e vështirë. Atletiko është skuadër e madhe dhe ka përbërje lojtarë të mëdhenj. Ishte një takim mjaft emocionues, ndërsa në sfidën e kthimit në ‘Kamp Nou’ duhet të shfaqemi si kampionë.” Nejmari ndryshoi rrjedhën e lojës së Barcelonës, që po kalonte shumë vështirësi edhe për shkak të kondicionit jo të mirë fizik të Lionel Mesit, i cili në fillim të pjesës së dytë u zëvendësua nga Fabregas. Mungesa e argjentinasit, sipas Neymar është një lajm i keq, pasi ai mbetet lojtari më i mirë në botë. “Kam realizuar pak gola me kokë, për këtë arsye kanë më shumë vlerë për mua. Jam i kënaqur që goditja ime përfundoi në rrjetë. Sa keq që nuk luajta bashkë me Mesin, ai është më I miri në botë, të gjithë dëshirojnë të jenë në fushë përkrah tij”. Nejmari pritet të ketë më shumë minuta në dispozicion në takimin e dytë të kampionatit me Malagan në transfertë.

MESI

Barcelona është në ankth në pritje të rezultateve për shkallën e lëndimit të Lionel Messi, i cili u detyrua të zëvendësohet në pjesën e dytë të barazimit të mbrëmshëm 1-1 ndaj Atletico Madrid. “Mesi është zëvendësuar, si masë paraprake pas disa shqetësimeve në pjesën e pasme të kofshës së majtë”, shkruhet në një postim të klubit. Rreth situatës së Mesi ka komentuar edhe trajnerit Tata Martino, i cili thotë se nuk ka njohuri për shkallën e lëndimit pa marrë rezultatet nga stafi mjekësor.

TRAJNERI

Trajneri i Barcelonës Tata Martino mendon se barazimi 1-1 në Vicente Kalderon në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës ishte rezultati më i drejtë. Sipas teknikut argjentinas, Atletiko meritoi të fitonte në pjesën e parë, ndërsa Barcelona ishte më mirë në të dytën. “Ndeshja kishte dy momente të veçanta, pjesa e parë Atletiko ishte më mirë, ndërsa në të dytën ishim ne. Në përgjithësi pati pak raste për gol. Kundërshtarët tanë shpresonin të na kapnin në befasi nëpërmjet kundërsulmit dhe ia arritën, ndërsa ne ia dolëm të barazonim me pasime të shumta. Mendoj se rezultati ishte i drejtë”.

 Iniesta: “Përjetë te Barcelona”

 “Ëndrra ime është të tërhiqem me fanellën e Barçës”. Kjo është përgjigja e përhershme e Andres Iniestës, sa herë që e pyesin mesfushorin katalanas. “Don” Andres luan prej 12 sezonesh me ekipin e parë dhe ka një kontratë që skadon në vitin 2015. Është arritur kompromisi për një kontratë me afat vitin 2018.

 Raul: “Realim, i suksesshëm”

 Ikona e Real Madridit, Raul, është i bindur se klubi nga Santiago Bernabeu, do të shijojë një sezon të suksesshëm 2013/14, pas arritjes së disa të rinjve premtues në klub. Gjigantët e La Liga këtë verë kanë sjellë në klub lojtarë të rinj si Isko, Asier Illarramendi, Casemiro dhe Dani Carvajal.