Një afrikan shkruan historinë e Skënderbeut

415
Sigal

Korçarët mposhtin 1-0 Neftçin pas 120 minutave dhe kualifikohen në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve

Falë një supergoli të realizuar nga nigeriani Nuredin Orelesi në minutën e 117-të, Skënderbeu eliminoi azerbajaxhanasit e Neftçit, me një fitore 1-0 dhe u kualifikua për në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, atje ku do të gjejë ekipin nga Kazakistani, Shahktar Karagandy, që nga ana e tij nxori jashtë loje skuadër ekip me shumë përvojë si bjellorusja BATE Borisov.

120 minuta dramatike në Korçë, të shoqëruar edhe me një shtyllë të Skënderbeut, por dhe me një karton të kuq të kundërshtarit (Mitrevskit). Takimi i pare ne Baku kishte përfunduar me rezultatin 0-0. Skënderbeu bëhet kështu skuadra e katërt shqiptare që, kalon një tur në Ligën e Kampioneve duke e bashkuar me Tiranën (6 herë), Vllazninë (1) dhe Dinamon (1). Një sukses i jashtëzakonshëm i “ujqërve”, por dhe i trajnerit Mirel Josa, pas dy dështimeve radhazi me APOEL-in e Qipros dhe Debrecenin e Çekisë. Ndeshja nis vrullshëm për Skënderbeun, që sulmon nga të dy krahët me Gilman Likën dhe Sefën, ndërkohë që Pejic angazhon gjatë tërë minutave të lojës dy mbrojtës kundërshtarë për ta mbuluar. Kapiteni korçar spikat me pasimet e përpikta që jep në mur për mesfushorët dhe pas krahëve të kundërshtarit për sulmin e vet, ndërkohë që tregon edhe freski fizike. Skënderbeu që pati dy raste të mira për të kaluar në avantazh. Gilman Lika, i papërmbajtshyëm në 30 minutat e para të ndeshjes, ndërmerr një aksion të mrekullueshëm individual dhe vërshon drejt portës kundërshtare, por në momentin final i hiqet topi nga një mbrojtës mik. Në një rast tjetër është sërish shkodrani, ai që gatuan një rast të mirë për konkludim. Rasti i vetëm i rrezikshëm për gol nga Neftçi në pjesën e parë. Ishte pikërisht minuta e 40-të, kur Vobay lëshon një predhë nga rreth 30 metra dhe Shehi gjendet në befasi e vështirësi, por me gjoks arrin ta devijojë topin në këndore. Te miqtë është mjaft shqetësues numri 10, që në krahun e djathtë të sulmit të Neftcit bën disa krosime në gjysmëlartësi dhe tokazi tepër të rrezikshme. Në njërin prej tyre Skënderbeun e shpëton fati. Trajneri Josa nis me zëvendësimet që në minutën e 57-të. Sefa dëmtohet dhe zëvendësohet nga i riu kosovar, Leonit Abazi. Nuk vonon shumë dhe trajneri i kampionëve të Shqipërisë nxjerr nga fusha edhe Gilman Lika, i padukshëm fare në këtë pjesë loje, ndërsa në vend të tij hedh një forcë sulmuese si Morina. Ish-lojtari i Tiranës mundohet të asistojë Pejicin në detyrat sulmuese, por mbetet më së shumti në mesfushë, pa u angazhuar si duhet në detyrat që i ka ngarkuar Josa. Ka minuta lojë edhe për kroatin Tomic, që zë vendin e Lilajt, ndërkohë që minuta e fundit e kohës shtesë të pjesës së dytë është drithëruese për Neftcin. Shkëmbi jep një pasim tepër të zgjuar për Pejic, që i vidhet mbrojtjes kundërshtare, por një mbrojtës azer e pengon në mënyrë të parregullt. Duke qenë lojtari i fundit, Mitrevski merr të kuqen, ndërsa Shkëmbi ekzekuton mrekullisht goditjen e dënimit. Topi i përpiktë i tij mezi grushtohet nga portieri mik, pa e zotëruar dot përfundimisht, ndërkohë që Abazi i vetëm me portën e zbrazët të Nefçit nuk shënon dot dhe kualifikuar kësisoj të tijtë. Mbyllet pa gola edhe kjo pjesë loje, ndërkohë që ndeshja shkon në shtesë, sepse kualifikimi nuk është vendosur ende. Ka qenë Nuredin Orelesi, ai që ka ngritur peshë një stadium të tërë, të mbushur plot me tifozë, teksa ka realizuar pas shumë e shumë përpjekjesh e gabimesh në finalizim, duke u dhënë të tijve një kualifikim historik. Gjithçka ka ndodhur në minutën e 117-të, kur mesfushori i Skënderbeut, i asistuar bukur nga Morina, ka lëshuar një predhë fluturimthi dhe topi i devijuar paksa edhe nga një mbrojtës mik ka pushuar në rrjetën azere. 1-0 dhe Skënderbeu është në turin e tretë. Pas shtatë vjetësh një skuadër shqiptare kalon një tur në Ligën e Kampioneve

 

 

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë

17 korrik 2013

Neftçi-Skënderbeu    0-0

Sot, 23 korrik 2012

Skënderbeu-Neftçi    1-0

Shënues: Orelesi 117’

Kualifikohet Skënderbeu me rezultatin e përgjitshëm 1-0

Turi i tretë

Skënderbeu-Shahktar Karagandy (Kazakistan)

 Partizani firmos me Renato Hyshmerin

 Partizani realizoi goditjen e radhës në merkaton verore. Blerja e fundit e të kuqve është Renato Hyshmeri, një futbollist me shumë përvojë. Mesfushori 24-vjeçar ka veshur më parë fanellën e Elbasanit dhe Teutës. 15 herë kampionët e Shqipërisë janë treguar shumë aktivë në merkato duke rekrutuar lojtarë nga kampionati shqiptar, por dhe firmosur marrëveshje me futbollistë kosovarë dhe shqiptare nga Maqedonia. Aldo Mitraj firmosi dje një kontrate 2-vjeçare me Partizanin. Partizani do të zhvillojë një fazë përgatitore në Grevena të Greqisë, përpara se të niset për një turne miqësor në Itali në mesin e muajit gusht. Të kuqtë e drejtuar nga Hasan Lika u rikthyen në Kategorinë Superiore pas një mungese prej katër sezonesh. Ndeshja e parë e Partizanit në sezonin 2013-2014 është ajo kundër Kastriotit në Krujë.

  Agim Canaj, trajneri i ri i Vllaznisë

 Agim Canaj është zyrtarisht trajneri i ri i Vllaznisë. Drejtuesit shkodranë e vlerësuan teknikun e njohur vlonjat si kandidaturën më të përshtatshme. Për Canaj bëhet flajë për një rikthim në Shkodër, pasi ka trajnuar në “Loro Boriçi” katër vjet më parë, pikërisht në sezonin 2008-2009, ku i pati udhëhequr shkodranët edhe në ndeshjen e bujshme kundër Napolit në Kupën Intertoto.

Ish-trajneri i Dinamos firmosi një kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi në rast suksesi. Gjatë karrierës së tij të gjatë, 51-vjeçari Canaj ka drejtuar edhe Flamurtarin, Lushnjën, Besën, Shkumbinin, Bylisin, Skënderbeun, Gramozin. Sezonin e kaluar, Canaj drejtoi për disa javë Bylisin, përpara se të dorëhiqej.

Ndihmësi i parë i Canajt do të jetë Samuel Nikaj, ish-trajneri i Adës së Velipojës. Në stafin e 9 herë kampionëve të Shqipërisë do të jetë dhe Elis Legata, me detyrën e trajnerit të portierëve.

Canaj do të kryejë seancën e parë stërvitore ditën e mërkurë.

Aktualisht, Vllaznia nuk ka më një president zyrtar pas dorëheqjes së Agron Çelës, ndërsa klubi tani financohet plotësisht nga Bashkia e Shkodrës. Sezonin e kaluar, Vllaznia nuk bëri një figurë të mirë, duke pasur në drejtim Shpëtim Duron dhe Artan Bushatin. Ndeshja e parë e Vllaznisë për sezonin e ri është ajo kundër Flamurtarit në Shkodër.

 

 

Edgar Çani transferohet te Karpi

  Sulmuesi Edgar Çani, u transferua nga Katania te Karpi, me formulën e huazimit dhe me të drejtën e blerjes apo kundërblerjes së bashkëpronësisë. Lajmi u dha nga mediat italiane dhe u zyrtarizua përmes një komunikate për shtyp edhe nga klubi i Karpit. “Kabi FC 1909 komunikon se, ka arritur një marrëveshje me Karanian për të marrë në huazim Edgar Çanin, me të drejtën e blerjes apo të kundërblerjes së bashkëpronësisë. Qëndërsulmuesi shqiptar, i vitlindjes 1989, me 12 paraqitje dhe 4 gola me bluzën e Kombëtares shqiptare, tashmë është bashkuar me shokët në grumbullimin e Brentonikos’, – thuhej në komunikatën për shtyp.

Edgar Çani mbërriti në janar te Katania nga Polonia e Varshavës, por pa mundur të gjejë hapësirën e nevojshme te ekipi italian i Serisë A. Sulmuesi i fuqishëm i Kombëtares shqiptare (4 gola në 12 ndeshje) do të luajë tashmë për klubin e Serisë B italiane.

Sulmuesi Edgar Junior Çani (zyrtarisht ka këtë emër, pasi i ati i tij quhet Edgar Çani) është lindur në Tiranë, më 22 korrik 1989, por mbërriti në Itali, me familjen e tij, kur ai ishte vetëm 11 muaj. Hapat e parë në futbollin profesionist i pati në sezonin 2007-2008, kur ende nuk i kishte mbushur 18 vjeç, duke shënuar tre gola në 11 ndeshje me Peskarën, asokohe në Serinë C1 (kategoria e tretë në Itali). Në Serinë A, Edgari debutoi më 27 prill 2008, në ndeshjen Palermo-Atalanta, duke qenë pjesë e sicilianëve, që kishin blerë kartonin e shqiptarit. Për tre sezone, nga 2008-2009 deri në 2010-2011, Çani u dha në huazim  dhe luajti në Serinë B: me Askolin, Padovën, Piaçencën dhe Modenën, duke u aktivizuar në 90 ndeshje dhe shënuar 15 gola.

Më 18 korrik 2011, ai u transferua nga Palermo te Polonia Varshava, në kampionatin maksimal polak. Sezonin e kaluar, në 26 ndeshje realizoi 11 gola, duke realizuar edhe dy gola në Kupën e Polonisë. Stacioni i radhës ishte Katania, por Çani u aktivizua shumë pak.

De Biazi: “Berisha, portier me te ardhme”

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, foli për mediat italiane me superlativa për portierin Etrit Berisha. Për kosovarin që, militon me Kalmarin në Suedi ka një interesim të fortë nga Lacio. Duke folur për “RadioSei”, trajneri i Shqipërisë tha: “Berisha është një portier me të ardhme të madhe, ka në fizik shumë të mirë. Është i gjatë 1.95 m dhe i shumë i zoti midis shtyllave.  “Është një lojtar shumë gjakftohtë, edhe pse gjatë gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit (në Suedi), ka pritur një penallti dhe më pas ka realizuar edhe penalltinë vendimtare. Mund të bëjë një paraqitje shumë të mirë edhe në një skuadër me presion të madh si ajo e Lacios”. De Biazi foli edhe për raportin e tij me Igli Taren, drejtorin sportiv të Lacios dhe ish-kapiten i Shqipërisë.  “Igli më dërgon mesazhe pas ndeshjeve dhe e di se kur do të vijë për ta na parë. E di dhe se një skuadër italiane është në gjurmët e tij, por kjo nuk është Lacio. Së fundi e kanë ndjekur në ndeshje të ndryshme. Nga Lacio nuk di gjë, por gjithçka mund të ndodhë”.

Kuiz Sportiv

Në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror “Kore/Japoni 2002”, Shqipëria fitoi 2-0 me Greqinë, në një ndeshje të luajtur më 11 tetor 2000 në “Qemal Stafa”. Ekipi ynë drejtohej atëherë nga trajneri Medin Zhega.

Cilët ishin autorët e dy golave të Shqipërisë?

Ervin Skela

Igli Tare

Alban Bushi

Ervin Fakaj

Fatmir Vata

Erjon Bogdani