Nikolin Lorenci: Vlerësimet nuk janë vetëm mirënjohje, pasi futbolli kërkon më shumë mbështetje

947
Nga Preng GJIKOLA 
PROFIL/ Pas dhënies së titullit “Qytetar Nderi” i Lezhës, flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Besëlidhjes, Butrintit dhe Vllaznisë
Rreth një muaj më parë, këshilli i Bashkisë Lezhë shpalli “Qytetar Nderi” ish-futbollistin lezhjan të Vllaznisë, Butrintit e Besëlidhjes, Nikolin Lorenci, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e futbollit lezhjan dhe edukimin e trajnimin e brezave ndër vite”. Në ceremoninë e dorëzimit të titullit ishin të pranishëm drejtues të institucioneve lokale, ish-futbollistë, ish-trajnerë e trajnerë aktualë që kanë punuar me këtë figurë të futbollit lezhjan, i cili për gazetën “Telegraf” shprehet i vlerësuar me këtë titull, njëherësh edhe kritik për situatën e futbollit në qytetin e tij.
Nëse sot nga kjo ceremoni ju rikthejmë kujtesën në dekada pas, si ka lindur pasioni juaj për futbollin?
Që i vogël fare më ka tërhequr topi, dhe fillimet e mia i kam me shokët e shkollës, lagjes, bashkëmoshatarë apo edhe më të rritur se unë. Kur nisa shkollën shtatëvjeçare, se atëherë arsimi bazë ishte 7 vjet, më kanë aktivizuar me skuadrat e shkollës dhe më vonë jam grumbulluar me të rinjtë e Besëlidhjes.

E mbani mend kur jeni aktivizuar për herë të parë me Besëlidhjen?
Ajo kohë nuk më del kurrë nga memoria, pasi ka qenë starti im zyrtarë në futboll me të rriturit. Ishte muaji maj i vitit 1965 kur unë ende nuk i kisha mbushur 17 vjeç. Jemi ndeshur me Butrintin në Sarandë, dhe që nga ajo kohë kurrë nuk kam qëndruar në stol dhe nuk jam zëvendësuar as me Besëlidhjen, as me Butrintin dhe as me Vllazninë.

Ju kujtohet ndonjë episod i veçantë që ka lënë gjurmë tek ju në karrierën sportive?
Më kujtohet kur luajtëm kundër Partizanit këtu në Lezhë. Unë isha me grip dhe nuk e ndieja veten mirë, por trajneri më aktivizoi që në fillim dhe e përfundova atë ndeshje. Partizani nuk pati sukses dhe ajo ndeshje u mbyll pa gola, dhe unë mendoja se do isha paraqitur dobët. Por, qytetarët në rrugë me përgëzuan për lojën, më pas, mora lëvdata edhe nga trajneri në analizën e kësaj ndeshjeje.

Në këndvështrimin tuaj, cili nga trajnerët tuaj bën të veçantën?
Unë shumicën e kohës kam pasur trajner të madhin Isuf Pelingun, që është i pa arritshëm. Ai ka qenë njeriu që e ka ngjit për herë të parë pas luftës Besëlidhjen në Superiore dhe e ka mbajtur aty gjatë, pavarësisht se edhe binim nga kategoria, por shumë shpejt ngriheshim. 

Si erdhi largimi juaj nga futbolli i luajtur?
Futbollin e kam lënë kur isha 30 vjeç, në muajin maj të vitit 1979. Shkak u bë një dëmtim që pësova në ndeshjen e fundit të sezonit 1978-1979 ndaj Dinamos, ndeshje të cilën ne e humbëm dhe zbritëm nga Superiorja. Dëmtimi më erdhi nga një përdredhje në lëvizje, e cila më shkaktoi tërheqje shumë të fortë. Nuk e kisha provuar kurrë dëmtimin, dola nga loja në fundin e ndeshjes dhe që nga ajo kohë hoqa dorë nga loja zyrtare e futbollit. 

Pas largimi nga futbolli, angazhimi juaj ka qenë në këtë sport, apo diku tjetër?
Gjithmonë kam qenë i angazhuar, dhe vazhdoj të jem me futbollin, pasi jeta ime është vetëm ky sport. Gjatë kësaj periudhe kam punuar disa herë si trajner, por nuk kam qenë shumë i suksesshëm aty. Momentalisht unë jam pjesë e FSHF-së si delegat dhe vëzhgues i saj në aktivitetet zyrtare të futbollit. Po për Besëlidhjen e sotme, cili është këndvështrimi juaj, pse jo edhe apeli për përmirësim?

Sot që qyteti është rritur shumë, mundësitë janë shumë të favorshme, por më vjen keq që skuadra ka një kohë të gjatë që nuk po i rikthehet Superiores, çka mendoj se e zbeh disi historinë e saj. Besëlidhja nuk ka pasur suksese në Superiore, por nuk ka qëndruar kaq gjatë në nivelin inferior, sepse binim nga kategoria, por ngjiteshim shumë shpejt. 

Çfarë mendoni se ka ndikuar më shumë në këtë situatë?
Përveç anës organizative dhe mbështetjes financiare, në këto rezultate negative për mua ndikon edhe merkatoja e shpeshtë, pasi futbollistët nuk luajnë me grintë, duke e ditur se shumë shpejt do të largohen. Një skuadër që kërkon ngjitjen, i duhet që të mendojë herët për këtë, që të ndërtojë një bërthamë të qëndrueshme me futbollistë stabël, të cilët do ti nevojiten edhe për Superioren.

Nikolin Lorenci
Datëlindja: 13 dhjetor 1949/ Vendlindja: Lezhë
Fillimet në futboll: Me të rinjtë e Fitores 1960, me të rriturit e Besëlidhjes në vitin 1965
Ndeshja e parë: Në maj të vitit 1965 në ndeshjen Butrinti-Besëlidhja
Aktivizimet: Në sezonet 1965-1968 me Besëlidhjen, në sezonin 1968-1969 me Butrintin, në sezonet 1969-1975 me Besëlidhjen, në sezonin 1975-1976 me Vllazninë, në sezonet 1976-1979 me Besëlidhjen
Detyra në sport: Trajner i Besëlidhjes në disa sezone, shef i Sport Klub “Besëlidhja”, drejtor sportiv në akademitë private të futbollit në Lezhë, “Brians” dhe “Porto”, trajner i moshave të Besëlidhjes. 
Aktualisht: Vëzhgues e delegat i FSHF-së në ndeshjet e futbollit në të gjitha kategoritë
0 ndëshkime
Në karrierën e tij 14 vjeçare më të rriturit në futboll, Nikolin Lorenci nuk ka munguar në asnjë ndeshje, si për shkak dënimi, po ashtu edhe nga dëmtimet
Sigal