Nikolin Çoçlli: “Partizani u rikthye”

737
Sigal

Trajneri i të kuqve flet pas ndeshjes me Tiranën: “U dhamë një sinjal të gjithëve se mund të bëhemi”

Trajneri i Partizanit, Nikolin Çoçlli, edhe pse skuadra e kuqe humbi 2-1 me Tiranën, ishte me tepër i lumtur për atmosferën e jashtëzakonshme që krijuan tifozët. “Nga vetë dekori, atmosfera që i krijua mendoj se, ishte një derbi që e meritoi të quhej i tillë”, – tha Çoçlli për “Telegraf”. “Ne u kemi dhënë një sinjal të mirë të gjithëve. Mendoj se, i kemi zgjuar, për t’u thënë se ky është Partizani. Kjo ditë duhet të jetë apel për ata që e duan këtë ekip”, – theksoi trajneri i Partizanit. Javën e ardhshme do të luhet ndeshja e kthimit. Çoçlli tha: “Do të jemi më të vendosur. Më të fortë, dhe më të sigurt. Gjithçka është e hapur”.

Çoçlli, duket se është e tepërt të vendosësh theksin te  rezultati teknik i ndeshjes, pasi tifozët i dhanë një bukuri të veçantë derbit. Cili është komenti juaj?

Pamë një ndeshje, që i kishte munguar prej kohësh. Nga vetë dekori, atmosfera që i krijua mendoj se, ishte një derbi që e meritoi të quhej i tillë. Pamë një entuziazëm të paparë nga ana e tifozëve tanë. Djemtë u futën paksa në tension, duke menduar që ishte dhe një ndeshje derbi, i cili ka munguar prej katër vjetësh. Mendoj se djemtë e justifikuan besimin, sidomos në pjesën e dytë.

Barazuat ndeshjen, më pas në një moment dobësie ekipi pësoi golin. Nuk mund ta ruanit dot rezultatin?

Pikërisht, administrimi ishte ndoshta dhe pika e dobët. Kur ke një ekipi solid, sigurisht që mendon dhe për ta administruar, kur të vjen mundësie.

A mund të vepronit më parë më ndërrimet?

Për mua të gjithë lojtarët janë të gatshëm, dhe të gjithë ata që luajtën dhanë kontributin e tyre. Mendoj se, ata që lojtarë që filluan pjesën e parë ishin më të gatshëm për të luajtur si titullar. Megjithatë, edhe zëvendësimet e bëra besoj se e justifikuan paraqitjet e tyre. Ishin në kohën dhe momentin e duhur.

A është rikthyer Partizani?

Nuk do të shumë për ta komentuar. Atmosfera e krijuar flet më mirë.

Me këtë ndeshje të bukur, a janë harruar disi problemet e Partizanit?

Jo. Ne u kemi dhënë një sinjal të mirë të gjithëve. Mendoj se, i kemi zgjuar, për t’u thënë se ky është Partizani. Kjo ditë duhet të jetë apel për ata që e duan këtë ekip.

Pas një javë ndeshje a kthimit, si e shihni atë?

Jam plotësisht i bindur se, ndeshjen tjetër do të jemi më të vendosur. Më të fortë, dhe më të sigurt. Në pjesën e parë, ekipi ishte i pasigurt, ndërsa në të dytën fitoi më shumë siguri. Partizani e pa se kush ishte Tirana, dhe njohu më mirë forcat e veta. Mendoj se luajtëm si të barabartë.

Sa besoni te kualifikimi?

E rëndësishme është që fituam Partizanin. Këto dua t’ua them të gjithë sportdashësve, dhe të gjithë atyre që e duan Partizanin. Duke parë këta tifozë të mrekullueshëm, duhet të na vijë keq që Partizanin e kemi katandisur në atë gjendje. U bëj thirrje të gjithë ta ndihmojnë këtë Partizan. Fiton futbolli, jo vetëm Partizani.

_____________________________________________________________________________________

LEKBELLO: “DERBI I BUKUR”

Trajneri i Tiranës, Artur Lekbello, e vlerësoi me nota pozitive derbin me Partizanin, duke thënë se ndeshja është e hapur dhe kualifikimi kërkon dhe 90 minuta të tjera.

Lekbello, e prisnit të tillë ndeshjen me Partizanin?

Për të qenë i sinqertë, e prisja që ndeshja të merrte këtë drejtim. E kisha theksuar edhe më parë, që nuk do të ishte një mbrëmje e lehtë. Ishte me të vërtetë një derbi. Partizani është një ekip që, nuk kishte se çfarë të humbiste. Tregoi atë që kishte. Në ndeshje të tilla mund të konkurrojë me Tiranën.

Mos ndoshta, Tirana i ruajti forcat më shumë për kampionatin, duke e menduar të thjeshtë kualifikimin?

Nuk mund ta them këtë. Po të ishim një skuadër më serioze në fushë, rezultati mund të ishte më i thellë në fushë. Patëm shumë raste, ku mund të shënonim katër-pesë gola.

Sulmi çaloi sërish para portës…

Finalizimi mbetet ende një problem. Rastet e humbura e tregojnë këtë. Po punojmë në vazhdimësi për këtë. Ndeshjen e kthimit duhet ta vlerësojmë shumë, pasi në derbi mund të ndodhin të papritura.

A mund të themi që Tirana e ka në xhep kualifikimin?

Nuk mund ta them këtë. Tifozët tanë prisnin një rezultat të thellë, por këtë gjë nuk ia dhamë. Ndeshjen tjetër, duke filluar nga unë dhe lojtarët do të jemi më seriozë.

I mungonte Partizani, Tiranës, apo Tiranës i mungonte Partizani?

Të dyjave. Kjo atmosferë që u krijua në stadium ishte ndër më të bukurat në vitet e fundit.