Nikol Merizaj thyen dy rekorde kombëtare: Përfitova një përvojë të mirë

376

Nga Agron KAJA

NOT-TARRAGONA 2018/ Paraqitje dinjitoze për femra, notari Franci Aleksi jashtë pritshmërive të tij, flasin notarja dhe trajneri

Ka tre ditë që në “Tarragona 2018” janë duke u zhvilluar edhe garat e notit për femra e meshkuj. Nga notarët shqiptarë në këtë event kanë garuar Nikol Merizaj për femra dhe Franci Aleksi për meshkuj. Në bisedën gjatë mbrëmjes së djeshme me trajnerin Jurgen Fici, por edhe me Nikol Merizaj, gazeta “Telegraf” mësoi për ecurinë e garave të tyre. “Të dy notarët tanë erdhën në këtë event të madh me synime e pretendime, e mendoj se deri sot (dje) arritjet më të mira i ka Nikol Merizaj, e cila në dy gara ka thyer rekorde kombëtare. Ndërsa Franci Aleksi nuk ka arritur kohën që ishte në pritshmëritë e tij dhe tonat këtu në Tarragona, por për Shqipërinë rezultate të mira janë. Për të dy këta notarë unë them, se talenti i tyre i ka dhënë hijeshi gjithë sportistëve shqiptarë që marrin pjesë në Tarragona”, kështu theksoi në deklarimin e tij trajneri i Notit, Jurgen Fici, duke ritheksuar edhe një herë faktin se, te Franci ka ndikuar shumë periudha e provimeve të tij në shkollë. “Franci ka ndjerë shumë lodhje gjatë garave, edhe pse ai kohët e arritura nuk i ka të dobëta. Duke qenë në kohë provimesh, ndikimi i tyre, mendoj, se nuk i dha më shumë mundësi të tregonte vlerat e tij. Gjithsesi, ai është një notar që premton shumë, dhe pas garave këtu në Spanjë, ai do të ketë të tjera evente ku do të garojë”. Ndërkohë, notarja Nikol Merizaj ka pasur një bashkëpunim të mirë dje me gazetën “Telegraf”, teksa veç garave, ka treguar edhe për Rekordet Kombëtare që ka thyer në këtë event. Nikol ka zhvilluar dy gara, dhe në të dyja i ka thyer rekordet kombëtare. “Këtu në Tarragona, mendoj se garat e mia po kalojnë shumë mirë. Them kështu, sepse kam garuar në 100 m stil i lirë, dhe aty arrita kohën 58.97, që është njëherësh edhe Rekord Kombëtar i ri në këtë garë. Ndërsa sot (dje), garova në 50 m stil i lirë, dhe theva përsëri rekordin me kohën 27.21. Them se pritshmëritë e mia i arrita, edhe pse do të dëshiroja kohë më të mira se këto. Këtu në Tarragona, mendoj se mora edhe një përvojë të mirë, e cila natyrisht që do të më shërbejë në çdo garë që do të zhvilloj, si në Shqipëri, por edhe në eventet e tjera Ndërkombëtare në të cilët do të marr pjesë”. Njëherësh duhet thënë se, në “Tarragona 2018” merr pjesë një delegacion prej 87 sportistë e trajnerë nga Shqipëria, ku volejbolli, qitja e mundja, nuk kanë qenë në prtishëmritë e tyre. Dje, boksieri Ardit Murrja në peshën 52 kg, humbi me egjiptianin Ali Abdelrrahman 5-0, ndërsa në peshën 75 kg, Arion Kajoshi humbi me pikë me algjerianin Azous Budia. Sot në ring ngjiten Bekim Vjerdha në peshën 81 kg dhe Krenar Zeneli në peshën 56 kg. Garat për sportistët shqiptarë priten me interes ato të atletikës dhe të çiklizmit, që nisin më 27 qershor 2018.

Këtu në Tarragona, mendoj se garat e mia po kalojnë shumë mirë. Them kështu, sepse kam garuar në 100 m stil i lirë, dhe aty arrita kohën 58.97, që është njëherësh edhe Rekord Kombëtar i ri në këtë garë. Ndërsa sot (dje), garova në 50 m stil i lirë, dhe theva përsëri rekordin me kohën 27.21

2 notarë

Nga Shqipëria në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, garojnë dy notarët: Franci Aleksi për meshkuj e Nikol Merizaj për femra

REKORDET E NIKOL MERIZAJ

Datë 23 qershor 2018

100 m stil i lirë            58.97

Datë 25 qershor 2018

50 m stil i lirë              27.21

 

GARAT E FRANC ALEKSIT

Datë 23 qershor 2018

200m stil i lirë 2:01.33

Datë 25 qershor 2018

400m stil i lirë 4:13.09