Nigeriani Adigun s’pyet për milionat e Flamurtarit

516
Sigal

Mbyllet java e parë e Kategorisë Superiore. Vlonjatët zhgënjejnë me Bylisin dhe pse shënuan të parët

Mbrojtësi nigerian Adebajo Adigun i dhuroi Bylisit të tij një pikë të çmuar, në barazimin 1-1 ndaj Flamurtarit, një prej skuadrave më të pasuara në Shqipëri, duke zhvlerësuar avantazhin e përkohshëm të vlonjatëve, që kishin shënuar më parë me anë të Migen Memellit. Takimi u luajt në fushën asnjanëse të Beratit, pasi stadiumi i Ballshit është në rikonstruksion. Edhe pse zhvilloi një nga merkatot verore më të shtrenjta, vetëm fatura e sulmit vlonjat shkon në 300 mijë euro në sezon, Flamurtari nuk e nisi mirë Kampionatin e 74-t Kombëtar. Formacioni i Shkëlqim Muçës, që objektiv kryesor ka fitimin e kampionatit, një titull që mungon prej 21 vjetësh në Vlorë, edhe pse ngulmoi në minutat e para, duke ushtruar në një presing të fuqishëm ndaj ballshiotëve, nuk arriti të shfrytëzojë kualitetin e lojtarëve. Rasti i parë i takoi shqiptarit nga Maqedonia, Nijaz Lena (13′), por gjuajtja e mesfushori të Flamurtarit ishte jashtë kuadratit, pavarësisht se i pati të gjitha mundësitë për të mposhtur portierin Frashëri të Bylisit. Në të 15′, sulmuesi beratas i Bylisit, Klodian Arbëri, nuk arriti të shënojë i vetëm përballë portierit Koliqi. Pikërisht, pas këtij aksioni erdhi dhe goli i Migen Memellit. Migen Memelli, edhe pse nuk ishte në gjendje të mirë fizike, sakrifikoi për skuadrën, duke ia shpërblyer besimin trajnerit Muça. Ish-sulmuesi i Tiranës, mori një top të artë nga Nijaz Lena, duke goditur fort e mposhtur portierin e Bylisit, Frashërin, në minutën e 17-të. Ballshiotët u kundërpërgjigjën, madje ishin ata që patën më shumë kontroll të topit, por nuk ishin të saktë në fazën ofensive. Pjesa e dytë nis me goditjen e shtyllës së Flamurtarit, nga ana e mesfushorit Jetmir Sefa të Bylisit, që paralajmëroi dhe golin e ballshiotëve. Skuadra e udhëhequr nga Agim Canaj, dikur ish-trajner i Flamurtarit ushtroi presion të jashtëzakonshëm dhe në minutën e 54-t, Idrizi dhe Mohamed bashkëpunuan midis tyre, pas krosimi të këtij të fundit, mbrojtësi Adigun realizoi me kokë në minutën e 60-të, me një gjuajtje në trekëndëshin e djathtë të portës së mbrojtur nga Koliqi. Bylis-Flamurtari 1-1! Rastet e Muzakës dhe Memellit për Flamurtarin, si dhe atë të Arbrit për Bylisin nuk e ndryshuan rezultatin.

  _______________________________________

KUKËSI-LUFTËTARI 0-0

Luftëtari i prish festën Kukësit

Kukësi kishte shumë arsye për ta fituar ndeshjen me Luftëtarin: debutim historik në Kategorinë Superiore, merkato e shumëpaguar, investime të konsiderueshme në stadium. Por, sfida e shumëpritur përfundoi në barazim (pa gola), ashtu siç edhe ndodhi në takimin e tyre të fundit (1-1), kur të dyja skuadrat bënin pjesë në Kategorinë e Parë. Debutimi i Kukësit midis më të mirave të futbollit shqiptar nuk përkoi me fitore, pavarësisht se luajti në shtëpi dhe ushtroi presion të vazhdueshëm ndaj Luftëtarit.  Pesëmbëdhjetë minutat e para panë një Kukës, në kërkim të golit, ku Popoviç dhe Malindi parën raste për të zhbllokuar rezultatin. Verilindorët vuajtën nga ngarkesa psikologjike, edhe për faktin pas “shpine” kishin një tifozeri të zjarrtë. Kuksianët ndërtuan lojën, por nuk ishin aspak të qartë në finalizim, kjo dhe për faktin se, Luftëtari i ideuar nga një mbrojtës tradicional, si trajneri Nevil Dede, nuk i la hapësirë. Gjirokastritët e ndërtuan strategjinë në kundërsulm, duke u bazuar te shpejtësia e kapitenit Arlind Nora. Edhe pjesa e dytë u luajt thuajse në mesfushë, me të dyja skuadrat që nuk ishin shumë të qarta në vijën e parë, teksa duhet theksuar, se nëse Kukësi vuajti për të dalë para portës së Luftëtarit, gjirokastritët bënë thuajse një ndeshje perfekte në fazën mbrojtëse. Një barazim pa gola ishte sinteza më  e mirë e një takimi që nuk u ngrit mbi nivelin mesatar.

 _______________________________________

SHKUMBINI-TEUTA 0-1

Nika shënon, Xhafaj gabon 11-metërshin

Teuta doli fituese ndaj Shkumbinit, me nënkampionët që fituan 1-0 në një fushë të vështirë si ajo e Peqinit, pavarësisht se tifozët munguan në stadium. Autori i golit të vetëm ishte Ansi Nika, i cili realizoi në minutën e 12-të. Shkumbini i “ri” i drejtuar nga Gugash Magani vuajti presionin e fortë të durrsakëve të dirigjuar nga Hasan Lika. Në pjesën e dytë, Teuta pati një shans me anë të Daniel Xhafajn, që fitoi një 11-metërsh, pas ndërhyrjes së parregullt të Bledar Devollit. Xhafaj gjuajti nga pika e bardhë, por portieri i Shkumbinit, Elvis Kotori grushtoi penalltinë, duke shmangur pësimin e golin e dytë të Shkumbinit. Kotori bëri mrekullinë në minutën e 89-të, kur devijoi me majën e gishtave gjuajtjen e Renato Hyshmerit.