Nga Viron Bezhani / Lojërat Mesdhetare të harruara nga shteti

549
Sigal

Sporti në Shqipëri është në prag të kolapsit. Tashmë kjo nuk është një gjë e re dhe për këtë e kam ngritur zërin disa herë, duke u përpjekur që sadopak të ndihmoj zhvillimin e sportit, aty ku kam kaluar pjesën më të madhe të jetës time. Por, për fat të keq, askush nuk mendon për sportin, atë që të gjithë shqiptarët e duan më shumë se çdo gjë tjetër edhe më shumë se politikën gënjeshtare e mashtruese. Ndoshta kjo e fundit na duket e ëmbël kur e dëgjojmë e na mashtron, por realiteti është i hidhur, madje shumë. Kjo na bën pesimistë, pasi në muajt e fundit në Shqipëri thuajse emri sport është fshirë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndoshta sepse emri u është dukur i gjatë dhe kanë përtuar ta thonë, ndoshta sepse këtu nuk duan t’ia dinë fare për sport. Por çfarë po ndodh realisht? Ku janë njerëzit që fjalën sport duhet ta kenë në qendër të vëmendjes, të paktën sa herë shkelin në pragun e MTKRS-së? Ata janë zhdukur për fat të keq, duke e mbyllur sportin në një sirtar, duke harruar se janë me mijëra njerëzit që presin një fjalë prej këtyre zyrtarëve. Shumë janë zhytur prej muajsh në fushatë e shumë janë strukur nën tavolinë, pa forcën as të ngrenë zërin e të kërkojnë atë por të cilën paguhen nga shteti, nga taksat tona. Kjo më dhemb dhe vendosa të ngre unë zërin edhe për ta, ndonëse sërish do të fshihen, pasi nuk mund ta lejojmë që kjo situatë të degjenerojë edhe më shumë. Premtime e vetëm premtime. Kjo është motoja nga Kryeministri e deri te punonjësi më i thjeshtë i sportit në MTKRS, duke shtuar raftet me shkresa dhe duke mos bërë asgjë konkrete. Po nisin Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013” dhe ashtu siç pata frikë 2 muaj më parë kur ngrita për herë të parë zërin ashtu dhe ndodhi. Shteti na harroi, as që u kujtua se ka edhe sport. Shteti shqiptar erdhi një të premte në stadium, pa një ndeshje futbolli, premtoi sërish dhe më pas u zhduk. Po përse? Mirë për sportet e tjera që nuk kujtohet, po të paktën të kishte mbajtur premtimet për ekipin kombëtar të futbollit. Shqipëria do të parakalojë në Turqi, në një veprimtari madhështore dhe ku synon të tregojë se edhe mes vështirësive di të fitojë medalje. Kjo është ajo që sportistët e trajnerët tanë premtojnë, të fitojnë medalje. Pavarësisht se ky shtet e kjo Ministri e Sportit nuk i mbështeti ata janë gati të sakrifikohen edhe një herë për flamurin kuqezi. Por të paktën ata pushtetarë të mos harxhojnë karburantin për të ardhur deri në Rinas për të ngritur në krahë medalistët e më pas të pozojnë me medaljet e tyre. Nuk e meritojnë të vinë e të shtrëngojnë duart e sportistëve, pasi nuk kanë bërë asgjë për ta në këtë turne. Asnjë fond, asnjë mbështetje, asnjë grumbullim, asgjë. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar si asnjëherë tjetër më parë është ndjerë i vetëm në këtë betejë, në këtë përballje, duke mos patur mbështetje nga shteti. Asnjë qindarkë, asnjë uniformë, asnjë biletë e paguar, përkundrazi, të gjitha janë kryer nga KOKSH, që ka marrë përsipër edhe trajnimin jashtë të sportistëve më të mirë. Po ky shtet çfarë ka bërë? Asgjë, asnjë falënderim, apo as kokën nuk ka kthyer për të thënë se ka edhe sport, duke e lënë atë jetim. Në vend që njerëzit e shtetit ta përkrahin atë e kanë braktisur, duke e përdorur vetëm për fushatë. Të dashur njerëz të sportit në Ministri e më lart, sot sporti duhet parë në një këndvështrim tjetër, më të gjerë, jo thjesht si një lojë argëtimi me top, apo një vrapim i thjeshtë për të kaluar kohën. Hartimi i programeve inkurajuese e mbështetëse, që synojnë dhe nxitin një pjesëmarrje të gjerë duhet të jetë në themel të sportit shqiptar. Të paktën bëni këtë, të ndërtoni projekte e ligje që e ndihmojnë sportin, por ju as këtë nuk e bëni. Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013” janë turpi më i madh i këtij shteti, për vetë faktin se nuk denjoi as kokën të kthejë për të parë se çfarë po bëhet me këtë veprimtari. Asnjë përkrahje, asnjë urim apo mbështetje financiare, si të thuash që sporti është flakur tej dhe askush nuk do t’ia dijë më për të. Por nëse në fushatë askush nuk e ka mendjen të paktën ata që e kanë për detyrë duhet të kujtohen për të dhe të ulen e mendojnë se si të përfaqësohemi më mirë në turneun më të rëndësishëm ndërkombëtar të vitit. Këta sportistë, trajnerë e medalistë të ardhshëm e meritojnë kaq vëmendje e përkrahje nga ana e MTKRS-së dhe qeverisë. Për fat të keq edhe tani që shkruaj është tepër vonë për të bërë diçka, pasi nuk ka më kohë dhe Shqipëria do të përfaqësohet në këtë turne ashtu si mundet. Një zinxhir ku hallka “shtet” është këputur prej kohësh, ndonëse ajo është hallka më e rëndësishme që sporti të ecë përpara. As Ministri e vartësit e tij nuk denjuan të vinë e të përcjellin sportistët që do të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi në këtë turne. Por ata nuk do të jenë të vetëm, pasi do të kenë në krah mbështetjen e një populli të tërë që beson tek ata, pasionin e dëshirën e tyre për të qenë mes më të mirëve edhe pse të papërkrahur nga vendi që ata përfaqësojnë. KOKSH-i bëri gjithçka që kjo Mesdhetare të mos dështojë, për të mos u turpëruar dhe për t’i dërguar si të barabartë sportistët e saj me mbarë rajonin, ndonëse i vetëm luftoi me të gjithë. Sporti ka një mision fisnik, të bashkojë e afrojë njerëzit e jo t’i largojë ata. Por këtë gjë MTKRS-ja jonë nuk e ka kuptuar, përkundrazi ajo bën të kundërtën, largohet e kthen krahët, duke lënë në baltë një delegacion të tërë olimpik që shkon në Lojërat Mesdhetare.

* Shef i misionit olimpik pranë KOKSH-it

* Kryetar i Komisionit teknik të KOKSH-it