Nga rekordet deri tek “njollat e turpit”, Superliga shqiptare në 18 javë

713
Sigal

Për futbollin në Shqipëri ndoshta po fillon të fryjë një erë e re, pozitive dhe shpresëdhënëse për të ardhmen. Pjesa e parë e kampionatit mund të thuhet pa frikë se ka qenë një ndër më të bukurat që tifozët kanë ndjekur, e këtë e tregon më së miri renditja në tabelë, ku janë as më pak e as më shumë por plot katër skuadra që vendin e parë nuk e kanë thjeshtë “ëndërr” por detyrim. Nëse marrim sezonet e shkuara, as nuk vihet re një konkurrencë e tillë, ku deri në mbyllje të dy fazave të para, akoma të mos ketë një skuadër që të dalë mbi të tjerat sa i përket nivelit dhe pikëve, por të gjitha barazohen njëra me tjetrën, duke mos ngritur në një farë mënyre iluzione rreth vetes në mënyrë që përpjekja të jetë maksimale për të qenë gjithmonë në të njëjtin ritëm. Në fillim të sezonit ishin plot 6 skuadra që ishin në garë për të parën e “vendit” por me kalimin e kohës, Flamurtari dhe Vllaznia u larguan nga grupi pas një faze jo të mirë që kaluan të dyja, ndërkohë që katër të tjerat vazhdojnë akoma të ndryshojnë renditjen vetëm ndërmjet tyre, pa lëshuar pe ndaj njëra-tjetrës. Në këto 18 ndeshje është parë shumë sa i përket futbollit e jo vetëm, ku nuk kanë munguar rezultatet e papritura, goleadat dhe pa dyshim njolla e zezë e futbollit, “dhuna”. Më poshtë po paraqesim disa nga “ngjarjet” më pikante të këtyre 18 javëve të futbollit

Rekordi 1084

Nuk është pak për një portier që të mbajë portën të paprekur për 1037 minuta, nuk është pak që të mos lejojë asnjë gol në portë për shumë ndeshje radhazi. Këtë rekord e mbante Bujar Gogunja, këtu e 35 vite të shkuara, rekord që cilësohej si pothuaj i pathyeshëm, e në fakt ashtu rezultoi për një kohë të gjatë. Por siç dihet, rekordet prandaj vendosen, për tu thyer, e në këtë rast për këtë mendoi Alban Hoxha, portieri i Partizanit që nuk pësoi gol për plot 1084 minuta, në 12 ndeshje rresht. Rekordin e theu në ndeshjen me Flamurtarin, e njëkohësisht edhe u vulos aty pasi pësoi gol në të 84 minutë të ndeshjes, por më kryesorja u arrit, të thyhej ai rekord legjendar që kishte vite që as nuk i afrohej kush, e jo më të thyhej.

“Njolla” e turpit!

Dhuna, dhuna, dhuna! Futbolli jonë preket nga dhuna sikur të ishte një sëmundje e keqe dhe ngjitëse, e më e keqja është se akoma nuk po gjendet një kurë. Është bërë një traditë tashmë, (negative sigurisht) prania e ngjarjeve të tilla aspak dashamirëse ku nxjerrin krye një “tufë tifozësh” që e praktikojnë dhunën meqë diçka e tillë në fakt ju lejohet. Rasti në javën e tretë në Shkodër, në ndeshjen mes Vllaznisë dhe Tiranës, apo edhe në të sapo lindurin “Elbasan Arena” ku tifozët e Elbasanit dhe Tiranës i sollën dëme të shumta stadiumit, tregojnë qartë se të paktën edhe këtë vit, futbolli shqiptar nuk shpëton dot nga turpi.

Javët e veçanta

Në gjithë këto javë kampionat, janë parë rezultatet nga më të ndryshmet, por kanë qenë vetëm dy javë që i kanë bashkuar të gjitha skuadrat që të arrijnë të njëjtin rezultat. Kështu, në javën e 5-të në të gjitha ndeshjet u arrit i njëjti rezultat, 2-0. Sigurisht që binte në sy një “barazi” e tillë që përsëri do të përsëritej, por jo më me 2-0 por me 1-0, e pikërisht në javën e 17-të, java e parafundit e 2014-ës.

Ndeshjet që dhanë më shumë gola

Janë dy ndeshje që për nga numri i golave kanë arritur të njëjtën shifër, plot 6-ë. Në javën e 3-të ishte ndeshja Elbasani-Teuta ku durrsakët fituan 5-1, ndërkohë që takimi tjetër i luajtur në javën e 13-të mes Skënderbeut dhe Apolonisë, pa si fitues korçarët me rezultatin 6-0, duke vendosur fitoren më të thellë deri më tani për një skuadër, gjithashtu edhe humbjen më të thellë në rastin e Apolonisë.

 Mbrojtja më e mirë e Kampionatit: Sa i përket kësaj, kishte vetëm dy skuadra që rivalizonin në këtë pikë, pikërisht Partizani dhe Skënderbeu, që janë treguar shumë të forta në fazën mbrojtëse, por në fund fituese shpallet skuadra e Partizanit që ka pësuar vetëm 7 gola, kundrejt 9 golave të korçarëve. Ndoshta duhet pritur deri në fund, por shprehja e futbollit thotë se “sulmi i mirë fiton ndeshjen, ndërsa mbrojtja e mirë kampionatin”.

Mbrojtja më e dobët e kampionatit

Kampionati shqiptar i futbollit, në tërësi nuk ka prodhon shumë gola, por përsëri kjo nuk do të thotë që të mos ketë “rivalitet” ku në 18 ndeshje të pësosh më shumë se 30 gola, e këtë shifër e kalon Elbasani që ka pranuar në portë plot 31 gola, duke lënë pas vetes në këtë renditje negative edhe Apoloninë e vendit të fundit që edhe ajo ka pësuar një mori golash, 30 të tillë.

Sulmi më i mirë i kampionatit

Sulmin më të mirë e ka hipotekuar skuadra e Skënderbeut, që në fillim të kampionatit, kishte një ngërç të dukshëm në fazën e sulmit. Bllokimi nuk është se vazhdoi shumë, pasi në fund ia dolën që të “shpërthenin” duke shënuar kështu plot 26 gola, ku 6 nga këta ia kanë shënuar vetëm në  një ndeshje skuadrës së Apolonisë. Nga afër i ndjek skuadra e Tiranës që ka 24 gola, ku edhe këta kanë treguar një formë të mirë në sulm.

Sulmi më i dobët i kampionatit

Nuk ishte e thënë që sulmi më i dobët me mbrojtjen më të dobët të bashkoheshin në një skuadër, pasi nëse tek mbrojtja “kurorën” e mbante Elbasani, sa i përket sulmit është Apolonia ajo që ka një hendek në repartin e avancuar ku kanë shënuar vetëm 4 gola, 6 më pak se Elbasani që i vjen direkt nga pas. Sigurisht që kjo mungesë në gola sjell edhe mungesën në pikë, prandaj fierakët edhe e gjejnë veten në fund të tabelës, të parakaluar edhe nga Elbasani pavarësisht se janë me pikë të barabarta.

 “Loro Boriçi” i 18 mijë vendeve

Pak e nga pak duket se po merr formë çdo stadium në Shqipëri, e ashtu siç u deklarua disa kohë më përpara nga kryeministri Rama se “Loro Boriçi” do të rikonstruktohet, bëhet me dije se është arritur marrëveshja me projektuesin e stadiumit, ku për të ndërtuar pjesën e tribunës, ndërtimin e shkallëve pas portave dhe një rregullim të plotë të gjithë stadiumit do të paguhet plot 9 milionë euro. Ky projekt prek të gjithë stadiumin, por vetëm një pjesë do të shembet për tu bërë e re (tribuna), ndërsa pjesa tjetër do të mbajë formën aktuale, por duke e rikonstruktuar. Ky projekt u bë një temë e nxehtë sa i përket pronave që ndodhen për rreth që do të përdoren kryesisht për parking, pasi pronarët nuk janë dakord me kompensimin e vendosur. Ky stadium pritet që të jetë pritësi i ndeshjes Shqipëri-Serbi, nëse vendoset që ndeshja të luhet në Shqipëri, pasi një gjë e tillë akoma nuk është vendosur, duke parë sigurisht edhe hapësirën kohore deri në atë ndeshje. Një gjë është e sigurt, se ky projekt do të fillojë për të mbaruar para datës së ndeshjes, ashtu siç edhe u vendos më përpara

 Dorian Bylykbashi kthehet tek Partizani,

Ish-futbollisti i Elbasanit, një ish i dikurshëm edhe për Partizanit, kthehet tek këta të fundit edhe një herë, për të qenë pjesë e formacionit të të kuqve. Pavarësisht se merkatoja e dimrit akoma nuk është hapur, Partizani dhe mbi të gjitha Bylykbashi, nuk kanë ngurruar që të zyrtarizojnë këtë lëvizje, duke e bërë të parën blerje për merkaton dimërore për Partizanin. Pavarësisht se në pozicionin e tij “demat” kanë futbollistë të kalibrit të Mazrekajt apo Nexhipit, por siç duket drejtuesit e ekipit e kanë vlerësuar prezencën e tij, duke qenë se gëzon një përvojë të mirë në futbollin shqiptar.