Nga Pipo Inzagi te Roberto Karlos, ja “ruleta” e stolit kuqezi

698
Nga Agron KAJA
FSHF/ Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka rreth një javë që “gjuan” në Itali, ka emra të mëdhenj trajnerësh 
Tashmë thashetheme i merkatos se, për stolin e Kombëtares shqiptare janë në fokus dy emra të mëdhenj të futbollit botëror, nuk përbën më lajmin “bum”. Sepse Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka rreth një javë që po “gjuan” në Itali emra të mëdhenj trajnerësh, të cilët janë përditësuar në të gjitha portalet elektronike, e më pas në shtypin sportiv. Kështu duket se Njëshi i futbollit shqiptar është i fiksuar vetëm te trajnerët italianë, ndaj “guida” e tij në shtetin fqinj mbyllet sot, pasi nesër ai do të jetë në ceremoninë zyrtare të largimit të De Biazit nga Kombëtarja shqiptare. Dhe, prapaskenat e diskutimeve dy ditë ishin të fokusuara te Filipo Inzagi, aktualisht trajneri i Venecias në Serie B të Italisë. Dhe vetëm dje, në portalin “Tuttomercatoweb”, thuhej dje se, nëse skuadra e Venecias do ta lerë të lirë trajnerin për Shqipërinë, menjëherë “SuperPipon” mund të jetë trajneri i ri i kombëtares shqiptare. Por kjo mund të ndodhë edhe për faktin se, FSHF-ja është futur seriozisht në diskutime me ish-sulmuesin e Milanit dhe Italisë. Si zakonisht, edhe këtë herë është gazetari i njohur italian, Xhanluka Di Marzio, që ka publikuar prapaskenat e negociatave mes dy palëve, duke bërë me dije se e vetmja pikë që për momentin që e mban larg marrëveshjen, është ajo e kushteve financiare. Nuk do të jetë e lehtë që të arrihet një akord në këtë pikë, por FSHF-ja po tenton me të gjitha mënyrat që ta bindë Inzagin. Sa i përket situatës së trajnerit me Venecian, skuadra ku aktualisht është i punësuar dhe ka një kontratë në fuqi, bëhet me dije se presidenti i klubit nuk do ta pengojë 43-vjeçarin. Ai është i gatshëm ta lejojë “SuperPipon” të largohet vetëm për drejtimin e një ekipi kombëtar. Gjithsesi, ka edhe një plan B, dhe FSHF-ja duket se e ka ndarë mendjen për një trajner me emër të madh, dhe në fokus ka dalë emri i Roberto Karlos. Edhe këtë lajm e ka bërë publik portali italian “Tuttomercatoweb”, por që situata e brazilianit duket disi e komplikuar, pasi para disa ditësh ai ka gjetur akordin për t’u bërë trajneri i një skuadre të re në Australi, Sauth Melburn. Kjo skuadër pret vetëm licencën nga Federata Australiane e Futbollit për të luajtur në kategorinë elitare, Liga A, ndërsa Karlos karrierën e trajnerit e ka nisur te Anzhi, Sivaspor, Akhisar Beledijesporit, dhe së fundmi me indianët e Delhi Dinamos. Kjo është “ruleta” për stolin e Kombëtares sonë, deri në mbrëmjen e djeshme.
Sigal