Nga Guardiola te Inzaghi, ja emrat që mund të pasojnë Allegrin te Juvja

142

Massimiliano Allegri nuk do të jetë trajneri i Juventusit në sezonin e ardhshëm. Drejtuesit bardhezi vendosën që të mbyllin përfundimisht aventurën me strategun toskan, për shkak të kërkesave të tij në merkato dhe ato ekonomike personale në kontratën e re.

Ditën e nesërme do të organizohet një konferencë për shtyp, ku do të jetë i ulur për herë të fundit trajner Allegri së bashku me presidentin Agnelli. Juventus ndërkohë ka nisur punën në merkato për të gjetur pasuesin për sezonin e ardhshëm.

Ëndrra e madhe e presidentit të “Zonjës së Vjetër”, por edhe e tifozëve është padyshim Pep Guardiola. Problemi i madh është fakti që do të jetë shumë e vështirë për të bindur drejtuesit e “Qytetarëve”, ndërkohë që zgjidhja mund të vijë nga UEFA. City rrezikon që të përjashtohet nga Champions League në sezonin e ardhshëm, që mund të sjellë edhe vendimin për largimin e strategut spanjoll, i cili nuk fiton Champions League që nga viti 2011. Guardiola ka një kontratë deri në vitin 2021, teksa përfiton një shifër të frikshme, 20 milionë sterlina në sezon.

Emri i dytë është Didier Deschamps, i cili mund të rikthehet në krye të bardhezinjve pasi i drejtoi në Seria B. Trajneri aktual i Francës, është kampion bote me “Gjelat” dhe ka një lidhje të veçantë me klubin torinez.

Mauricio Pochettino ndërkohë është zgjidhja më ideale për klubin torinez, duke u nisur edhe nga fakti se argjentinasi ka bërë një punë fantastike me Tottenhamin duke e dërguar deri në finalen e Championsit, edhe pse ka një vit e gjysmë që nuk ka bërë asnjë blerje. Problemi i madh është kontrata e tij që skadon në vitin 2023, por në rast se ai do ta mbyllë me mirëkuptim me “Spursat”, mund të firmosë me ekipin torinez për 10 milionë euro në sezon, duke lënë të kënaqur të dyja palët.

Zgjidhja më e thjeshtë vjen nga Seria A, atje ku Simone Inzaghi, fitues i freskët i Kupës së Italisë, mund të bëjë hapin e madh në karrierën e tij. Strategu i bardhekaltërve është një zgjidhje me çmim të ulët, por pa eksperiencën e duhur në Europë. Në orët e fundit është një ndër pistat më të ndezura nga drejtuesit e ekipit të Juventusit.