Nga Flamurtari, te Kukësi, 26 vjet për të kaluar dy tyre në Europë

505
Sigal

 Vlonjatët e realizuan në sezonin 1987-1988, kuksianët sapo ndalën Flora Talinin dhe Sarajevon

Sezoni 1986-1987. Kupa UEFA. Flamurtari eliminon Partizanin e Beogradit dhe Vismute Aue dhe mbërrin në turin e tretë, për t’u eliminuar nga një ekip i madh si Barcelona, por duke e mundur në një ndeshje atë.  Edicioni 2013-2014. Liga e Europës. Kukësi eliminon Flora Talinin dhe Sarajevon dhe mbërrin në turin e tretë, ku pas disa ditësh do të përballet me ukrainasit e Metalurg Dontesk. Midis kualifikimit historik të kuqezinjve vlonjatë dhe bluve kuksianë janë 26 vite. Flamurtari eliminoi në turin e parë krenarinë e Serbisë, Partizanin e Beogradit; Kukësi nxori jashtë loje krenarinë e Bosnjë-Hercegovinës, Sarajevon. Që të dyja ekipe ish-Jugosllave. Ngjarja është e madhe. Statistikat janë të bujshme, edhe për faktin se klubet shqiptare i kanë pasur të pakta kualifikimet në kompeticionet e UEFA-s. Vetëm 9 ekipe nga 15 që kanë marrë pjesë në Europë kanë mundur të kalojnë të paktën një tur, Tirana (11 herë), Vllaznia (7), Dinamo (3), Partizani (3), Besa (3), Flamurtari (2), Teuta (1), Kukësi (1) dhe Skënderbeu (1), ndërkohë që kalimet e dy tureve nga Flamurtari dhe Kukësi janë si “qershia mbi tortë”. Në turin e tretë mbërriti këtë vit edhe Skënderbeu, por kampioni i Shqipërisë e nisi nga turi i dytë eliminator, për shkak të formulës së UEFA-s, pra ka kaluar vetëm një tur. Në fokus janë të gjitha kalimet e tureve nga skuadrat shqiptare në Ligën e Kampioneve (më parë Kupa e Kampioneve), Ligën e Europës (më parë Kupa UEFA), Kupa e Kupave (tani nuk ekziston më) apo Kupa Intertoto (edhe ky kompeticion nuk ekziston më). Edhe pse Shqipëria u përfaqësua për herë të parë në Ligën e Kampioneve në edicionin 1962-1963 me Partizanin, u deshën 20 vjet pritje për të kaluar një tur në kompeticionin më të rëndësishëm për klube të Europës. Pikërisht këtë e bëri klubi i Tiranës në edicionin 1982-1983 kur eliminoi Lindfild të Irlandës së Veriut.

Liga e Kampioneve

Në edicionin 1982-1983, Tirana eliminoi Lindfild të Irlandës së Veriut. Fitoi 1-0 në “Qemal Stafa” me golin e Augustin Kolës dhe humbi 2-1 në Belfast, ku vendosi goli i Arben Mingës. Pasi eliminoi Lindfild të Irlandës së Veriut, në turin e dytë, shorti e vendosi përballë Dinamos së Kievit. Skuadra ukrainase bënte pjesë në atë kohë në Ish-Bashkimin Sovjetik. Mirëpo, politika e Tiranës nuk i lejonte përballjet me skuadrat sovjetike dhe ndeshja u fitua në tavolinë nga Dinamo e Kievos. Ishte sërish Tirana, ajo që kaloi një tur në Ligën e Kampioneve, pikërisht në edicionin 1988-1989. Eliminoi në turin e parë Hamrun Spartanin e Maltës: humbi 2-1 në Maltë dhe fitoi 2-0 në Tiranë. Në edicionin 1989-1990, Tirana eliminoi Sliema Uonderesin: humbi 1- 0 në Maltë dhe fitoi 5-0 në “Qemal Stafa”. Kjo e fundit është njëherësh fitorja më e thellë e një skuadre shqiptare në Europë. Ndërkohë, Vllaznia në edicionin 2001- 2002 eliminoi në tyrin e parë Rejkavik të Islandës: humbi 2-1 në Rejkavik dhe fitoi 1-0 në Shkodër, me protagonist absolut Klodian Duron, autori i dy golave për shkodranët. Në edicionin 2002- 2003, Dinamo eliminoi Kaunas të Lituanisë: fitoi 3-2 në transfertë (Ahmataj, Pisha, Qorri) dhe barazoi 0-0 në Tiranë. Më pas vijon një seri prej tri kualifikimesh rresht të Tiranës. Në edicionin 2003- 2004 eliminoi në turin e parë Dinamon e Tbilisit: humbi 3- 0 në Gjeorgji, fitoi 3-0 në Tiranë, duke u kualifikuar 4-2 me penallti. Në sezonin 2004-2005, eliminoi Gomel të Bjellorusisë: fitoi 2-0 jashtë, humbi 1-0 brenda. Në edicionin 2005-2006, Tirana eliminoi Nova Goricën: humbi 2-0 jashtë, ndërsa fitoi 3-0 brenda me gola të Rrakllit, Dabullës dhe Salihit. Në sezonin 2013-2014, Skënderbeu eliminoi azebajxhanasit e Neftçit (0-0, 1-0). Vetëm katër skuadra shqiptare janë kualifikuar në Ligën e Kampioneve: Tirana (6 herë), Vllaznia (1), Dinamo (1) dhe Skënderbeu (1).

Liga e Europës

Kalimin e parë të një turi e realizoi Dinamo në edicionin 1985-1986. Kaloi në turin e parë, Hamrun Spartanin e Maltës; 1-0 me gol të Abazit dhe sfida tjetër 0-0. Në edicionin 1987-1988 regjistrohet edhe kulmi i futbollit shqiptar në Europë. Flamurtari eliminoi në turin e parë Partizanin e Beogradit: fitoi 2-0 në Vlorë (autogol i Gjorxheviçit dhe gol i Roland Iljadhit) dhe humbi 2-1 në Beograd (eurogol i Sokol Kushtës). Në turin e dytë eliminoi gjermanolindorët e Vismute Aue: humbi 1-0 në Gjermani dhe fitoi 2-0 dhe Vlorë (Taho, Ruci). Edhe Partizani e ka nënshkruar emrin e tij në kalimin e një turi. Të kuqtë eliminuan në turin e parë të edicionit 2004-2005, maltezët e Birkirakës: fituan 4-2 në Tiranë, humbën 2-1 në La Valleta. Në edicionin 2006-2007, Tirana eliminoi Varteks Varazhdinin e Kroacisë, barazoi 1-1 jashtë (gol i Mukës) dhe fitoi 2-0 brenda (Salihi, Merkoçi). Ndërkohë, Besa e Kavajës në edicionin 2007-2008 eliminoi skuadrën serbe të Bezanijës. Barazoi 2-2 në Beograd dhe 0-0 në Kavajë. Kualifikimet vazhojnë me Vllazninë. Në edicionin 2008-2009 ekipi shkodran eliminoi në turin e parë sllovenët e Koper (2-1, 0-0). Në edicionin 2009-2010, Vllaznia eliminoi irlandezët e Sligo Roversit, fitoi 2-1 në Irlandë dhe barazoi 1-1 në Shkodër. Në edicionin 2011- 2012, Vllaznia eliminoi në turin e parë Birkirkarën e Maltës: fitoi 1-0 në Maltë, barazoi 1-1 në Shkodër. Dy vite më parë, Flamurtari eliminoi në turin e parë malazezët e Buduçnostit: fitoi 3-1 në Podgoricë, humbi 2-1 në Vlorë. Ndërsa në sezonin e kaluar, kaloi një tur vetëm Tirana, e cila mposhti luksemburgasit e Grevenmaherit (2- 0, 0-0). Së fundmi, Kukësi u kualifikua këtë sezon për në turin e dytë, duke eliminuar në të parin estonezët e Flora Talinit, pas dy barazimeve 1-1 në Talin dhe 0-0 në Tiranë, ndërsa bëri histori duke eliminuar edhe Sarajevon dhe shkuar në turin e tretë të këtij kompeëticioni, ku do të përballet me Metalurg Donjetsk.

Kupa e Kupave

Në edicionin 1970-1971, Partizani u kualifikua në turin e dytë të këtij kompeticioni. Në turin e parë eliminoi Atvidabergun e Suedisë: 1-1 në Suedi, 2-0 në Tiranë (golat nga Pano dhe Ragami). Po në këtë kompeticion, në edicionin 1972- 1973, Besa e Kavajës eliminoi në turin e parë danezët e Fremad Amager të Kopenhagenit, me gol në fushën kundërshtare: 1-1 në Danimarkë, 0-0 në Kavajë. Nga ana tjetër, Tirana në edicionin 1986-1987 kaloi turin e parë, duke eliminuar Dinamon e Bukureshtit, duke i fituar të dyja takimet: 1-0 në “Qemal Stafa” (Kola) dhe 2-1 në Bukuresht (Minga, Josa). Në edicionin 1987-1988 të Kupës UEFA (tashmë quhet Liga e Europës) u regjistrua edhe kulmi i futbollit shqiptar në kompeticionet më të rëndësishme të kontinentit tonë. Klubi i Flamurtarit u bë protagonist, teksa për herë të parë arriti të kalonte dy ture. Në fillim eliminoi në turin e parë Partizanin e Beogradit: fitoi 2-0 në Vlorë (autogol i Gjorxheviçit dhe gol i Roland Iljadhit) dhe humbi 2-1 në Beograd (eurogol i Sokol Kushtës). Në turin e dytë vlonjatët eliminuan gjermanët e Aue: humbën 1-0 në Gjermani dhe fituan 2-0 në Vlorë (Taho, Ruci). Në turin e tretë u eliminuan nga Barcelona: humbën 4-1 në “Kamp Nou” (gol i Vasil Rucit) dhe fituan 1-0 në Vlorë (gol i Kushtës).

Në edicionin 1987-1988 erdhi radha e Vllaznisë që të kalonte një tur: eliminoi maltezët e Sliema Uonderesit, me dy fitore 2-0 dhe 4-0 (në Maltë). Dinamo në edicionin 1989-1990 eliminoi Çernemorec Burgas të Bullgarisë. Humbi 3-1 në Bullgari (Demollari), por fitoi thellësisht 4-0 në Tiranë: Canaj, Abazi, Jançe dhe Demollari. Në edicionin 1994-1995, Tirana eliminoi Fandok të Bjellorusisë: humbi 4-1 në Bjellorusi, fitoi 3-0 në Tiranë në një ndeshje dramatike të vendosur në minutën e 94-t, me një tregolësh të sulmuesit Indrit Fortuzi. Më pas është radha e Teutës, që kaloi një tur në edicionin 1995-1996, kur eliminoi finlandezët e TPS Turku. Humbi 1-0 ndeshjen e parë në Finlandë, por fitoi 3-0 ndeshjen e kthimit me golat e Vilës, Koçës dhe Bushit.

Kupa “Intertoto”

Në këtë kompeticion, që pati jetë nga viti 1999 deri në 2008, skuadrat shqiptare rregullisht kanë kaluar nga një tur. Teuta në vitin 2002 në turin e parë eliminoi Valetën e Maltës (2-1, 0-0). Në vitin 2003, Partizani eliminoi izraelitët e Makabi Netanjahut: 2-0 në Tiranë, 1-3 në Bullgari. Vllaznia në vitin 2004, eliminoi në turin e parë izraelitët e Hapoel Bear Shevës: humbi 1-2 në Shkodër dhe fitoi 1-0 në Izrael, por u kualifikua me fitore në tavolinë 3-0 nga UEFA, pasi Hapoel Bear Sheva kishte futur në lojë një lojtar të pavlefshëm. Në vitin 2007, Vllaznia eliminoi në turin e parë NK Zagreb, humbi 2-1 në Kroaci dhe fitoi 1-0 në Shkodër. Të dy golat mbajnë firmat e sulmuesit gjirokastrit Arlind Nora. Në vitin 2008, Besa eliminoi Ethnikos Aknasin: 0-0 në Tiranë dhe 1-1 në Qipro. Me këtë ndeshje mbullet edhe aventura ekipeve tona në Kupën e Intertoto.

KALIMI I NJË TURI

LIGA E KAMPIONEVE

Tirana: 6 herë (1982-1983, 1988-1989, 1989-1990, 2003-2004, 2004-2005, 2005-2006)

Vllaznia: 1 herë (2001-2002)

Dinamo: 1 herë (2002-2003)

Skënderbeu: 1 herë (2013-2014)

 

LIGA E EUROPËS

Dinamo: 1 herë (1985-1986)

Flamurtari: 2 herë (1987-1988, 2011-2012)

Partizani: 1 herë (2004-2005)

Vllaznia: 2 herë (2008-2009, 2009-2010, 2011-2012)

Tirana: 3 herë (2006-2007, 2011-2012, 2012-2013)

Besa: 1 herë (2007-2008)

Kukësi: 1 herë (2013-2014)

KUPA E KUPAVE

Tirana: 2 herë (1986-1987, 1994-1995)

Partizani: 1 herë (1970-1971)

Besa: 1 herë (1972-1973)

Vllaznia: 1 herë (1987-1988)

Dinamo: 1 herë (1989-1990)

Teuta: 1 herë (1995-1996)

KUPA INTERTOTO

Teuta: 1 herë (2002)

Partizani: 1 herë (2003)

Vllaznia: 1 herë (2004, 2007)

Besa: 1 herë (2008)

KALIMI I DY TUREVE

Flamurtari: 1 herë (1987-1988)

Kukësi: 1 herë (2013-2014)

De Biazi: “Bravo Kukësi, komplimente!”

 Kalimi e Kukësit në turin e tretë të Ligës së Europës – i pari ekip shqiptar që e arrin këtë pas 26 vjetësh – e përshëndeti dhe trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi. Në një postim në faqen e tij zyrtare në rrjetin më të madh social në botë, De Biazi shkruan: “Komplimente Kukësi, për kalimin në turin e tretë të Ligës së Europës! Ju lumtë!”. Kukësi eliminoi boshnjakët e Sarajevos në turin e dytë, ndërsa në të parin estonezët e Flora Talinit. Në turin e tretë eliminator do të përballet me ukrainasit e Metalurg Donteskut. Interesant është fakti se, në katër ndeshjet e zhvilluara në Ligën e Europës, Kukësi nuk ka humbur asnjë takim: 1 fitore (me Sarajevon) si dhe tre barazime (dy prej tyre me Flora Talinin).

 Mediat boshnjake: “Turp, na eliminoi Kukësi!”

 Besoni apo jo Kukësi eliminoi Sarajevën Barazimi i mbrëmshëm i Kukësit në Sarajevë, që i dha kualifikimin historik skuadrës verilindore për në turin e tretë të Ligës së Europës nuk ka kaluar pa zhgënjime qoftë te skuadra vendase qoftë tek mediat boshnjake. Portali boshnjak “Sportsport” e nisë artikullin me fjalët “Besoni apo jo Kukësi eliminon Sarajeven” e cila madje nuk ngurron ta quajnë të turpshëm një eliminim te tillë. Edhe gazeta tjetër “Oslobodjenja” shkruan “Futbollistët e Sarajevës përfunduan pjesëmarrjen në raundin e dytë të Ligës së Europës duke luajtur baraz me Kukësin e Shqipërisë 0-0. Kukësi kalon përpara falë rezultatit në lojën e parë” e cila ndër të tjera i thurë elozhe portierit shqiptar që mbrojti penalltinë Argent Halilaj. Ndërsa gazeta ”Dnevni Avaz” citon trajnerin boshnjak Musemiç që shprehet pas ndeshjes “Nuk di çfarë të them kjo është një katastrofë e madhe”. Ndryshe mediat boshnjake nuk kanë lënë pa vënë në pah edhe atë se skuadra e Sarajevës deri tani është paraqitur hiç më pak se 48 herë në garat europiane nëpër rangje të ndryshme, derisa Kukësi ishte debutues.