Nga Conte te Mourinho, Icardi, Totti, De Rossi…; VIP-at në “skanerin” e Materazzi

541
Sigal

Marco Materazzi ishte në formë të mirë në eventin “20 anni di gol”, pikërisht në qendër të Milanos. Ai kaloi nga ngjyrat blu të kombëtares tek ato zikaltër, foli për Juventusin, Milanin dhe Napolin, për dy ikonat e larguara nga Roma, Totti dhe De Rossi. U ndal edhe tek e ardhmja e Jose Mourinho, si dhe analizoi të rinjtë italianë: Kean dhe Zaniolo. Pra, nuk kishte asnjë temë, me të cilën kampioni i Botës dhe Europës të mos përballej. Me një përjashtim: rasti “Icardi”.

Totti na befasoi me lamtumirën nga Roma. Përveç Francesco, gjithashtu, u largua edhe De Rossi…
Isha i pranishëm në ndeshjen e fundit të Daniele me Romën. Në njëfarë mënyre, e “tradhtova” Interin, i cili, njëkohësisht, po luante një sfidë të çmendur kundër Empolit, për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Besoj se për njerëz si ata, fjala dinjitet nuk është e mjaftueshme. De Rossi dhe Totti janë shumë të mëdhenj, sidomos për ekipin e tyre të zemrës, sepse kanë bërë zgjedhje të vështira. Kanë refuzuar oferta mjaft tunduese, duke treguar një ndjenjë përkatësie dhe respekti për tifozët.

Interi në Ligën e Kampionëve dhe me trajner Antonio Conte…
Conte ka një potencial të madh si trajner. Është momenti ta duam dhe ta ndihmojmë, pasi e kemi urryer sportivisht më parë, duke pasur parasysh të kaluarën e tij. Ndoshta këtu ka ndikuar fakti se ka qenë një emblemë e Juventusit. Dihet rivaliteti mes dy klubeve. Ai ka marrë përsipër drejtimin e një skuadre të rëndësishme, me një histori për t’u respektuar. Mos harroni se Interi sjell rreth 70 mijë tifozë në stadium për çdo ndeshje. Kudo ka drejtuar, Conte ka provuar se jep 100% për skuadrën e tij. Në këtë aspekt, ai është i ngjashëm me Mourinho, edhe pse janë dy profile krejtësisht të ndryshme. Njëri është dashur shumë nga njerëzit në Milano, tjetri duhet të bëhet kaq i dashur për zikaltrit.

Duke folur për të, ka zëra se mund ta ndiqni trajnerin e “tripletës” te Newcastle…
Është ndoshta dëshira ime më e madhe, që kur e kam lënë futbollin e luajtur. Do të ishte e jashtëzakonshme ta filloja trajningun si ndihmës i trajnerit numër një në botë. Fundja, kush nuk do ta dëshironte këtë gjë.

Ju flisni gjithmonë me Mourinho. A dëshiron akoma të kthehet në Itali?
José është kthyer te Chelsea dhe fitoi. Në të ardhmen nuk i dihet. Sigurisht, këtu mund ta shikoni duke drejtuar vetëm një ekip…

Kthehemi tek Interi. A ia vlen të sakrifikosh 124 golat e Icardi për të marrë një sulmues, që kushton më shumë, por shënon më pak?
Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur në muajt e fundit, kështu që nuk mund të flas. Ndryshe, do të tregoja mungesë respekti ndaj klubit. Nuk i di raportet mes Conte dhe Mauro. Sidoqoftë, di të them se Dzeko dhe Lukaku janë ende shumë të fortë. Gjatë viteve kanë dhënë vërtet shumë, sidomos Dzeko, në aspektin e vazhdimësisë.